1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konservatorët me përparësi të lehtë

Bernd Riegert/ Auron Dodi25 Maj 2014

Studiuesit e opinionit në Bruksel parashikojnë që konservatorët të mbeten grupi më i fortë në Parlamentin Evropian. Kundërshtarët e BE dhe partitë e djathta ekstremiste pritet të shtojnë dukshëm numrin e votave.

https://p.dw.com/p/1C6Un
Plenarsaal Parlament Strasbourg
Fotografi: picture-alliance/dpa

Deri tani dukej si një vrapim gjoks më gjoks e dy forcave më të mëdha politike në Parlamentin Evropian. Por në bazë të parashikimeve më të fundit për rezultatet në Evropë, distanca midis konservatorëve dhe socialistëve po bëhet sërish pak më e madhe. Partia konservatore Partia Popullore Evropiane e ka përmirësuar pozicionin lehtë në krahasim me anketimin e një jave më parë dhe pritet të marrë 218 vende. Socialistët humbasin disa vende dhe marrin 201 vende. Kjo është e barabartë me tetë vende më pak përballë parashikimeve të javës së kaluar. Këto shifra i publikoi të mërkurën (21.05.14) në Bruksel projekti evropian "PollsWatch2014". Shumicën e gjithsej 751 vendeve në Parlamentin Evropian nuk e arriti asnjëri prej dy blloqeve të mëdhenj, thotë drejtori i "PollsWatch2014", Doru Frantescu. "Parlamenti i ardhshëm do të jetë shumë më i polarizuar. Do të shohim më shumë ekstreme në krahun e djathtë dhe të majtë. Grupet në mes do të jenë më të vogla."

Kjo do të ketë pasoja edhe në politikën praktike dhe në krijimin e koalicioneve, thotë ai. "PollsWatch2014" është pjesë e organizatës joqeveritare "VoteWatch", e cila dokumenton sjelljen e parlamentarëve të BE në votime dhe që synon të tregojë ndikimin eventual nga grupet e lobiimit.

Doru Frantescu, drejtor i VoteWatch Europe
Doru Frantescu, drejtor i VoteWatch EuropeFotografi: Bernd Riegert

Nacionalistët ekstremë mund të bëhen grupi parlamentar i katërt për nga madhësia

Partitë skeptike ndaj Evropës dhe që e kundërshtojnë Evropën në krahun e djathtë do të jenë më të forta se kurrë më parë, parashikon më tej "PollsWatch2014". Ato mund të formojnë dy grupe parlamentare me rreth 100 vende. Partitë ekstremiste nacionaliste dhe ato me qëndrim armiqësor ndaj të huajve, si Front National i Marie Le Pen-it në Francë dhe Partia e Lirisë e Geert Wilders nga Hollanda do të bashkohen me parti ekstremiste nga pesë shtete të tjera anëtare, duke krijuar një grup parlamentar me 38 vende. Grupi Parlamentar që ekziston tashmë i kundërshtarëve nacionalistë të Evropës, në të cilën ndodhet Partia e Pavarësisë e Britanisë së Madhe me Nigel Farage pritet të shënojë rritje, duke marrw 66 mandate. Studiuesit e opionionit llogarisin që kundërshtarët italianë të Evropës të lëvizjes "Pesë yje" rreth Beppe Grillos të futen në këtë grup parlamentar. Së bashku me një grup parlamentar tjetër, të moderuar skeptik ndaj Evropës, që merr 45 vende, kundërshtarët e Evropës dhe nacionalistët mund të llogarisin 150 deri 165 vende. Kjo është e barabartë me një të pestën e deputetëve në Parlamentin e ri Evropian.

Peshë pritet të humbasin të Gjelbrit dhe Liberalët. E majta ekstreme pritet ta dyfishojë numrin e deputetëve në grupin parlamentar duke arritur 55 vende.