Më shumë ankth se shpresë në Ukrainë
16 Shkurt 2015Për njerëzit në Lindje të Ukrainës ishte një rreze shprese: të dielën hyri në fuqi armëpushimi, për të cilin u ra dakord në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk. Në shumicën e segmenteve të frontit të gjatë prej qindra kilometrash, ky armëpushim u respektua. Pas muajve të tërë të goditjeve të pandërprera, familjet me fëmijë guxuan të dilnin për shëtitje në rrugë. Madje edhe moti dha mbështetjen e tij: nën rrezet e diellit dhe temperaturat e moderuara, në fundjavë u duk se në pjesë të rajonit të përfshirë nga luftimet në fundjavë fryu një fllad paqeje.
Krejt e ndryshme është gjendja pak kilometra më tej në Debalceve. Ky vend në linjën hekurudhore midis Donjeckut dhe Luhanskut po kthehet në test për Marrëveshjen e Paqes të Minskut. Për këtë nyje qarkullimi kyçe, të rëndësishme nga ana strategjike, javët e fundit janë zhvilluar luftimet më të ashpra. Deri 8000 ushtarë ukrainas janë rrethuar aty sipas të dhënave të separatistëve nga Moska. Qeveria e Kievit e kundërshton këtë.
Ajo që është e sigurtë: asnjëra nga palët e konfliktit në Debalceve nuk mendon aktualisht për t'u tërhequr. Ushtria ukrainase do ta mbajë këtë qytet. Separatistët duan ta pushtojnë. Madje krerët e separatistëve thonë se armëpushimi nuk vlen fare për Debalceven. Në këtë vend të vogël, kështu duket, mund të vendoset së shpejti për luftë apo paqe në Ukrainën Lindore.
Armët e rënda duhet të largohen
Armëpushimi mbetet i brishtë, nëse tani nuk do të vihen në jetë pika të tjera të rëndësishme të Marrëveshjeve të Minskut, sa më shpejt që të jetë e mundur: të gjitha armët e rënda duhet të tërhiqen nga fronti - edhe në Debalceve. 48 orë pas fillimit të armëpushimit, pra që prej së martës duhet të fillojë ky proces. Vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që duhet të vëzhgojnë vënien në jetë të marrëveshjes, duhet të kenë qasje të papenguar në të gjitha zonat e luftimit. Dhe kjo nuk po ndodh. Aq më pak në Debalceve.
Ankthi dhe frika në Debalceve janë pranë njëra-tjetrës. Të gjithë pjesëmarrësit e dinë se armëpushimi mund të bëhet më i qendrueshëm, po të tërhiqen me të vërtetë të gjitha tanket, topat dhe raketëhedhësit. Megjithatë përvoja tregon: separatistët e kanë shfrytëzuar deri tani çdo armëpushim vetëm për ta avancuar marshimin e tyre me teknikë ushtarake ruse.
Jo armëpushim në Debalceve
Pikërisht çështja e armëve të separatistëve është njëra nga pikat më të dobëta në Marrëveshjen e Minskut. Rruga përmes kufirit rus vazhdon të jetë e hapur për furnizime ushtarake për separatistët. Sepse kontrolli në këtë kufi, Kievit i mohohet deri në fund të vitit. Dhe kështu ekziston droja që në rajon të mbërrijnë edhe më shumë armë, me të cilat të kërkohet vendimi në fushat e betejës si në Debalceve.
Në Minsk u fol shumë për këtë. Edhe gjendja në Debalceve qe temë e rëndësishme. Në bazë të marrëveshjeve, edhe atje separatistët si dhe ushtria ukrainase do të tërheqin armët e tyre të rënda. Por aktualisht asgjë nuk flet për këtë. Në Debalceve sinjalet flasin për luftë. Për armëpushim atje gjithsesi nuk bëhet fjalë.