1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Lufthansa anulon mbi 1500 fluturime

Një grevë paralamëruese e personelit tokësor, e ka detyruar shoqërinë ajrore gjerman Lufthansa të anulojë këtë të hënë (22.04.) thuajse të gjitha fluturimet. Sindikata Verdi kërkon rritjen e pagave për punonjësit.

Sindikata Verdi i ka bërë thirrje për grevë personelit tokësor gjatë gjithë ditës së hënë (22.04.) dhe thuajse në të gjithë territorin e Republikës Federale. Për këtë arsye Lufthansa ka anuluar gati të gjitha fluturimet: nga gjithsej 1720 fluturimet e planifikuara në Gjermanido të kryhen vetëm 32. Greva zhvillohet ndër të tjera në aeroportin më të madh të Gjermanisë në Frankfurt am Main si dhe në aeroportet në Hamburg, Mynih, Shtutgart, Hanover, Dyseldorf dhe Këln. Në aeroportin e Shtutgartit punonjësit e teknikës tek Lufthansa e ndërprenë punën që të dielën (21.04.) në mbrëmje.

Veçanërisht të prekura janë lidhjet brenda Gjermanisë dhe me Evropën. Nga më shumë se 1650 fluturimet e shkurtra do të ofrohen me një plan të jashtëzakonshëm fluturimi vetëm 20. Në Frankfurt nga 50 fluturimet e planifikuara me destinacione në Evropë, do të kryhen vetëm gjashtë.

Alternativa janë shinat

Greva nuk shkaktoi kaos pasi pasagjerët ishin njoftuar në kohë

Greva nuk shkaktoi kaos pasi pasagjerët ishin njoftuar në kohë

Udhëtarët është mirë të informohen me kohë para fillimit të udhëtimit, p.sh. në internet për statusin e fluturimit të tyre. Hekurudha gjermane (Deutsche Bahn) do të angazhojë më shumë trena dhe personal për shkak të grevës së punonjësve të Lufthansës. Për fluturimet e anuluara Lufthansa ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me Deutsche Bahn. Pasagjerët mund ta kthejnë biletën e fluturimit në bono udhëtimi për hekurudhën.

Shkak për grevën sipas sindikatës Verdi është dështimi i bisedimeve për rritjen e pagave me Lufthansën. Sindikata Verdi kërkon për rreth 33.00 të punësuar të Lufthansës një rritje page me 5,2 për qind. Negociatat vazhdojnë që prej muajit shkurt.

Dëme për udhëtarët dhe kompaninë

Lufthansa ka ndërmarrë një program kursimesh dhe shkurtimesh. Koncerni do të mbyllë 3.500 vende punë në administratë në nivel ndërkombëtar për të përmirësuar rezultatin korrent me 1,5 miliardë euro. Një zëdhënës i shoqërisë tha se greva do t'i shkaktojnë dëme të larta koncernit.

Raundi i ardhshëm i negociatave mes Verdit dhe Lufthansës është planifikuar në 29/30 prill. Lufthansa po shqyrton mundësinë e masave ligjore kundër sindikatës.