1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Humbjet kulturore nga lufta

Elizabeth Grenier / Esat Ahmeti8 Shtator 2013

Gjendja humanitare në Siri mbetet shqetësuese. Ndërkohë si pasojë e konfliktit janë shkatërruar edhe qindra thesare kulturore. UNESCO përpiqet për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm.

https://p.dw.com/p/19dYl
Fotografi: picture alliance/Bildagentur Huber pixel

Pasiguria në lidhje me një ndërhyrje të bashkësisë ndërkombëtar dhe numri i padurueshëm i vdekjeve dominojnë debatin mbi luftën në Siri. Duke pasur parasysh numrin e viktimave diskutimi për humbjet materiale nuk çon peshë të madhe.

Shkatërrimi i trashëgimisë së pasur kulturore të vendit është megjithatë një humbje e madhe për njerëzimin. Irina Bokovo, drejtoreshë e Përgjithshme e UNESCO-s, theksoi në një apel të saj, se kjo nuk do të thotë që ne harrojmë tragjedinë humanitare vetëm pse i kushtojmë rëndësi edhe aspektit kulturor të konfliktit. Shkatërrimi i kësaj trashëgimie kulturore është "pjesë e katastrofës humanitare në Siri", tha ajo.

Bomba, armë dhe hajdutë

Francesco Bandarin, zëvendës-drejtor i Përgjithshëm për Kulturë në UNESCO, është thellësisht i shqetësuar rreth pasojave të luftës për monumentet historike të Sirisë. "Situata është katastrofike, shumë më keq se sa mund ta imagjinojë njeriu," tha ai për Deutsche Welle.

Ekzistojnë tri lloje të dëmeve që godasin trashëgiminë kulturore të Sirisë. Kështu, konflikti i armatosur ka dëmtuar qytetet e lashta. Ndërtesat historike u shkatërruan, sidomos në qytete të tilla si Aleppo dhe Homs. Soukut, pazarit më të madh në Lindjen e Mesme me një sipërfaqe prej 350 hektarësh iu vu zjarri në vitin 2012.

Pamje nga amfiteatri në Bosra
Pamje nga amfiteatri në BosraFotografi: Fotolia/waj

Aleppo historike është një nga gjashtë qytetet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Siri. Në listën e UNESCO-s janë edhe pjesët e vjetra të qytetit të Damaskut dhe Bosra-s, fshatërat e lashta në veri të Sirisë, Kështjella e "Crac des Chevaliers" që nga koha e kryqëzatave, kalaja e Qal'at Salah El-Din si dhe rrënojat në oazin Palmyra. Të gjitha këto vende janë prekur nga lufta civile dhe kohët e fundit janë futur nga UNESCO në listën e vendeve të rrezikuara të Trashëgimisë Botërore.

Humbje të tjera po shkaktohen për shkak të vjedhjeve në muze. Objekte të rëndësishme historike janë vjedhur të paktën në gjashtë muze. Për fat të mirë, 77.000 eksponata nga muzetë arkeologjike të Sirisë janë dërguar tani në një vend të sigurt.

Gërmimet ilegale dhe krimi i organizuar

Përveç kësaj, vendet arkeologjike janë shkatërruar nga gërmimet e paligjshme. Sipas Bandarin ky është problemi më i madh. "Nëse shkatërrohet minarja e Xhamisë Umayyad në Aleppo, kjo është me të vërtetë një fatkeqësi, por një ditë ajo mund të rindërtohet sërish. Por në qoftë se njerëzit thjesht marrin gjëra me vete, ato nuk do të kthehen kurrë."

Karin Bartl ishte udhëheqëse e gërmimeve të Institutit Arkeologjik Gjerman në Damask. Ajo shpjegon se nga Siria janë tërhequr të gjithë studiuesit e institutit të saj, sapo kanë filluar trazirat në vitin 2011. Ka dy vite që atje janë ndërprerë gërmimet e huaja arkeologjike.

Tani nga Jordania ajo mbledh informacione në lidhje me situatën. Ajo për zhvillimet e fundit informohet nga kolegët e saj sirianë apo përmes internetit. "Sipas informacioneve tona, vendgërmimet arkeologjike të Institutit Arkeologjik Gjerman nuk janë plaçkitur, por patjetër që është duke ndodhur një shkatërrim i madh i trashëgimisë kulturore në Siri", tha ajo për Deutsche Welle-n. Së bashku me përfaqësues të tjerë të qendrave kërkimore arkeologjike Bartl ka kontribuar në informimin e UNESCO-s se cilat objekte janë të rrezikuara nga plaçkitja në Siri.

Pamje nga Oaza Palmyra
Pamje nga Oaza PalmyraFotografi: Fotolia/waj

Imazhet satelitore të rrënojave në Apamea, të cilat janë bërë para dhe gjatë luftës, tregojnë shkallën e shkatërrimit: Vendi duket sikur kanë rënë bombat por në fakt gropat janë shkaktuar nga gërmimet e paligjshme. Qeveria siriane, ndërkohë, ka nisur një fushatë mediale me titull "Siria, shtëpia ime". Në të i bëhet thirrje popullsisë për t'i mbrojtur objektet arkeologjike.

Francesco Bandarin sqaron se shkatërrimet nuk janë bërë nga ana e fshatarëve. "Këto nuk janë veprime spontane. Ky është krim i organizuar i cili ka edhe zingjirin e tij komandues. Tregu për mallra kulturore ilegale është i madh. Këto grupe kriminale është pothuajse e pamundur për t'i ndalur", thotë Bandarin. Megjithatë sipas tij "kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të paktën të përpiqemi."