1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta ndaj antisemitizmit preokupim mbipartiak

Marcel Fyrstenau5 Nëntor 2008

Parlamenti gjerman debaton për antisemitizmin. Qeveria mendohet të ngrejë një forum ekspertësh për të paraqitur rregullisht një raport për antisemitizmin në Gjermani.

https://p.dw.com/p/FnoS
Krye të thyer dhe simbole të tjera naziste në një varrezë hebreje
Krye të thyer dhe simbole të tjera naziste në një varrezë hebrejeFotografi: AP

Kur Bundestagu gjerman ka si temë diskutimi një debat për antisemitizmin mund të nisesh nga fakti se partitë nuk do të grinden. Por punët në Bundestag këtë herë erdhën ndryshe, sepse partitë e tjera donin të distancoheshin nga Partia e Majtë.

Lufta ndaj antisemitizmit është një "preokupim mbipartiak", tha Hans Peter Ul (Uhl) i fraksionit CDU/CSU në çelje të debatit në Bundestag. Fjala nuk është për "qendrime kalorësiake mbi bazën e parimeve partiake". Por fraksioni i tij nuk pranoi që të miratojë një rezolutë të përbashkët me Partinë e Majtë. Arguntimi:

"Eshtë e pamohueshme, që një antisemitizëm i fshehur ka bërë pjesë thuajse në arsyen shtetërore të RDGJ."

RDGj vërtet që nuk ekziston më prej vitit 1990. Por, kështu e justifikon Ul sjelljen e fraksionit unionist, tek e Majta e sotme ka "tek tuk tendenca antisemite".

Deputetë të të gjitha fraksioneve të tjera reaguan me moskuptim dhe pjesërisht me zemërim ndaj fjalimit të Ul-it. Renate Kynast (Künast), kryetare e fraksionit të Të Gjelbërve e akuzoi politikanin e CSU-së se është "i vetëkënaqur". Deficite në përballimin me të kaluarën ka pasur kudo në Gjermani:

"Këto deficite kanë ekzistuar në RDGJ, ato kanë ekzistuar edhe në RFGJ. Ai që flet këtu dhe kritikon të tjerët, përmend vetëm njërën, pa e përmendur tjetër, zoti Ul, ai nuk tingëllon i besueshëm."

Më parë Uli kishte pranuar se antisemitizmi është i pranishëm në të gjitha kampet politike, prej së majtës në të djathtën", megjithatë:

"E Majta (ushtron nganjëherë me zell) një kritikë të tepruar ndaj Izraelit, dhe kjo duhet tematizuar."

Por këtë e Majta nuk e bëri në këtë mbledhje të Bundestagut, pak ditë para përvjetorit të 70-të të pogromit kundër hebrenjve në Gjermani, në 9 nëntor 1938. Deputetja e Partisë së Majtë dhe zëvendëspresidentja e parlamentit, Petra Pau e kritikoi fjalimin e kolegut të CSU-së Ul si "pa kujtesë historike dhe pa dinjitet." Ajo kujtoi shembuj të aksioneve të përbashkëta kundër antisemitizmit dhe ekstremizmit të djathtë:

"Vetëm pak javë më parë demonstroi CSU-ja në Memingen të Bavarisë së bashku me Partinë e Majtë dhe shumë të tjera kundër një marshimi të NPD-së; unë isha aty. Ju të gjithë, që jepni këtë shembull të kurajos civile, me të drejtë mund të pretendoni që Bundestagu t'ju mbështesë në luftën tuaj të përditshme kundër ekstremizmit të djathtë, racizmit dhe antisemitizmit, dhe që të mos përcjellë përkundrazi sinjale egoiste."

Edhe politikania socialdemokrate, Gabriele Fograsher e kritikoi sjelljen e unionistëve dhe fjalimin e Ulit si "pa dinjitet". Ajo kërkoi që qeveria të ngrejë një forum ekspertësh për të paraqitur rregullisht një raport për antisemitizmin në Gjermani.

Ndërsa oratori i fundit, deputeti socialdemokrat Gert Vajskirhen (Weiskirchen) e quajti "dhuratë", që megjithë holokaustin, në Gjermani ka sërish një jetë hebreje që lulëzon.

Të gjithë deputetët votuan në fund pro peticionit me të njëjtën përmbajtje të unionistëve, socialdemokratëve, të të Gjelbërve dhe të liberalëve, nga njëra anë, dhe peticionit të të majtëve nga ana tjetër.