1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140611 Wehrmacht Sowjetunion

15 Qershor 2011

Sulmi ndaj i Wehrmacht-it ndaj Bashkimit Sovjetik - Shtatëdhjetë vjet më pas, kujtohet në Gjermani lufta e nisur me një gënjeshtër propagandistike.

https://p.dw.com/p/11atJ
1941 sulmi i Wehrmacht-it ndaj Bashkimit Sovjetik, fotografi e 20.11.1941
1941 sulmi i Wehrmacht-it ndaj Bashkimit Sovjetik, fotografi e 20.11.1941Fotografi: picture-alliance/akg-images

Për zhvillimin e luftës kundër ish-Bashkimit Sovjetik, udhëheqja nacionalsocialiste pati filluar përgatitjet që në vitin 1933 dhe tetë vjet më vonë, më 22 qershor 1941 një ushtri milionash marrshoi në drejtim të Evropës Lindore duke filluar luftën më brutale që kishte përjetuar historia e re. Shtatëdhjetë vjet më pas, në Gjermani kujtohet kjo luftë e cila filloi me një gënjeshtër propagandistike.

Komunikata që u lexua në radio ishte: „Komando e lartë e ushtrisë njofton se në mbrojtje kundër rrezikut të madh që vjen prej lindjes, ushtria gjermane u ndesh më 22 qershor në orën 3 të mëngjesit me një dislokim të madh të forcave të armikut. Njësia e forcave ajrore gjermane u ndesh në agim të ditës me armikun sovjetik."

Marrshimi filloi me një gënjeshtër, nuk bëhej fjalë për një sulm për vetëmbrojtje të ushtrisë gjermane, por për një sulm ndaj vendeve dhe njerëzve të papërgatitur, për një shkelje të së drejtës ndërkombëtare, fillimin e një lufte shfarosëse me trupa brutale dhe gjenocid. Në fuqi ishte ende pakti gjermano-rus i mossulmimit, të arritur gati dy vjet më parë. Megjithatë më 22 qershor 1941, 3 milionë ushtarë të Wehrmacht-it u futën në marrshim me gjithçka që ofronte industria nacionalsocialiste e armatimit: me tanke, aeroplanë, armë. Brenda natës, Bashkimi Sovjetik filloi luftën për mbijetesë. Legjenda, sipas të cilës Hitleri filloi më parë se Stalini marrshimin, ndërkohë që edhe Ushtria e Kuqe kishte plane për një të tillë, ka jetuar për një kohë të gjatë. Megjithatë ajo nuk është vërtetuar shkencërisht, thekson historiani Wolfram Wette: „Qëllimi ishte të pushtohej Bashkimi Sovjetik, të reduktohej popullsia, të vidhej vendi në mënyrë që në një të ardhme vendi të kolonizohej me gjermanë, për të ngritur një Perandori të madhe gjermane nga Atlantiku deri në Urale."

Genocid i programuar mirë

Tërheqja e ushtarëve të Wehrmacht-it pas luftimeve në Stalindgrad, fotografi e 31 janarit 1943
Tërheqja e ushtarëve të Wehrmacht-it pas luftimeve në Stalindgrad, fotografi e 31 janarit 1943Fotografi: AP

Gjenocidi kundër hebrejve evropiano-lindorë, vrasja masive e të burgosurve të luftës dhe civilëve ishin llogaritur shumë mirë. Nga elita ushtarake nuk erdhi kundërshtim. Pavarësisht nga propaganda e madhe, popullsia gjermane reagonte me ankth dhe tmerr. Frika se tani do të ndodhte një katastrofë ishte shumë e përhapur.

Që edhe nga pala gjermane do të kishte miliona viktima, nuk e parashikonte askush në atë kohë. Bashkë me ushtrinë gjermane u bashkuan edhe forcat e armatosura të vendeve aleate: Italisë, Findlandës dhe Rumanisë. Bota nuk arrinte të kuptonte çfarë po ndodhte.

Njoftim i BBC: "Lajmet e BBC-së, New York. Gjermania, Italia, Finlanda dhe Rumania ndodhen prej 24 orësh në luftë me Rusinë. 5 milionë vetë marrin pjesë në të. Dhe ajo është duke u kthyer në luftën më të madhe që ka pasur ndonjëherë në histori. Midis Bukovinës dhe Detit të Zi kanë shpërthyer luftime të ashpra. Gjithçka është duke u zhvilluar aq shpejt saqë kryeqytetet e botës kanë vështirësi të kuptojnë çfarë po ndodh."

Winston Churchill, 12 gusht 1953
Winston Churchill, 12 gusht 1953Fotografi: AP

Në Britaninë e Madhe, kryeministri Winston S. Churchill iu drejtua me një fjalim në radio popullit. "Hitleri është mostër e së keqes. I pangopur në epshin e tij për gjak dhe plaçkitje. Sikur të mos i mjaftonte që vuri gjithë Evropën nën çizmen e tij, terrorizoi dhe mjeroi, ai i kthehet tani Rusisë për të vazhduar masakrën dhe shkatërrimin."

Llogari e bërë gabim

Shtetet baltike, Bjellorusia dhe Ukraina u morën shpejt. Hitleri dhe gjeneralët e tij kanë bërë planet që me një "luftë rrufe" të marrshonin deri në kryeqytetin sovjetik, por ata i kishin bërë llogaritë gabim. Pak muaj pas fillimit të sulmit, njësitë e ushtrisë bllokohen në dimër para Moskës- sipas vlerësimeve të sotme, ky ishte fillimi i humbjes përfundimtare më 1945. 3 milionë ushtarët gjermanë nuk u kthyen më në shtëpi. Wolfram Wette:

„Rusia vetë pati dhjetëfishin e viktimave. Prej tyre 10 milionë ishin të Ushtrisë së Kuqe, pra ushtarë që luftuan. Më shumë se 3 milionë ishin të burgosur lufte që përfunduan në kampet gjermane. Po ashtu 3 milionë hebrej rusë u vranë sistematikisht nga gjermanët. Rreth 6 milionë civilë sovjetikë ranë viktimë e politikës shfarosëse gjermane."

Historiani profesor Wolfram Wette
Historiani profesor Wolfram WetteFotografi: Badische Zeitung/Wolfram Wette


Thyhet heshtja 70 vjeçare - Sulmi i 1941-it më në fund temë e publicistikës

Dekada me radhë përgjegjësia gjermane për luftën shkatërruese në Lindje nuk ka qenë temë e debateve publike. Kujtimet lidheshin kryesisht me vuajtjet e veta. Legjenda e "Wehrmachtit të pastër", jetoi gjatë duke ia kaluar përgjegjësinë për krimin organizatave nacionalsocialiste, si për shembull SS. Empati për viktimat e panumërta nga pala sovjetike nuk ka pasur mes popullsisë gjermane. Vetëm studimet e historianëve kritikë, dhe më vonë edhe ekspozita shumë të diskutueshme dhanë mundësinë për të filluar një proces rishqyrtimi.

Sot, thotë historiani Wette: „Gjermania dhe Rusia përjetojnë një klimë shumë pozitive. Askush nuk e sheh tjetrin si armik. Kërkush nuk ndjen urrejtje kundër tjetrit. Kjo është një situatë, të cilën gjermanët nuk mund ta prisnin, dhe më mirë se kaq nuk mund të jetë."

Tani, 70 vjet më pas sulmi i 1941-it është temë e publicistikës. Dhe në disa vende të Gjermanisë janë organizuar aktivitete përkujtimore. Aktiviteti kryesor zhvillohet në Berlin. Aty janë bërë bashkë disa institucione dhe kanë organizuar një koncert të madh tek Filarmonia, ku do të luhet „Sinfonia e Leningradit“ nga Dmitrij Schostakowitsch.


Autor: Cornelia Rabitz / Aida Cama

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora