Lufta midis Rusisë dhe Gjeorgjisë i ka bërë të pasigurtë njerëzit në Ukrainë
18 Gusht 2008Për qytetarët e Ukrainës, Rusia është një vend i rëndësishëm, me të cilin ata duan të kenë marrëdhënie të mira. Shumë kanë të afërm e shokë në Rusi. Por edhe me Gjeorgjinë njerëzit ndihen të lidhur. Sepse edhe në drejtim të Tibilisit ka shumë marrëdhënie personale. Politikisht, punët paraqiten ndryshe. Raporti midis Moskës dhe Kievit është karakterizuar vitet e fundit nga grindjet. Me Gjeorgjinë nga ana tjetër, marrëdhëniet politike janë zhvilluar në mënyrë të tillë, sa presidenti ukrainas Viktor Jushçenko mori hapur në konflikt anën e homologut të tij gjeorgjian.
Ukrainasit e kanë humbur disi sigurinë
Bisedat në rrugët e Kievit tregojnë se shtetasit e Ukrainës e kanë humbur disi sigurinë. Shumë druhen për një grindje të mundshme ekonomike dhe ndoshta ushtarake me Rusinë.
"Rusia nuk ka të drejtë që të përzihet në punët e brendshme të një shteti të pavarur. Nga pikëpamja e ukrainasve, politika që ndjek presidenti Jushçenko ndjek ndaj Rusisë është megjithatë e papërshtatshme. Sepse ne jemi të varur nga Rusia, në radhë të parë në formën e energjisë. Prandaj do të ishte më mirë që të mos grindemi me ta."
Shumë ukrainas nuk dëshirojnë që politikanët e tyre të përfshihen në konfliktin midis Rusisë dhe Gjeorgjisë:
"Prej Rusisë mund të presësh gjithçka. Mund të tregosh mirëkuptim si për njërën, ashtu edhe për tjetrën palë. Por unë nuk do të justifikoja asnjë palë. Kryesorja, Ukraina të mbetet e paprekur prej kësaj."
Krimeja me popullsinë e saj rusishtfolëse mund të jetë shkas për grindje me Rusinë
Krimeja, mendojnë njerëzit, mund të jetë shkas për grindje me Rusinë. Gadishulli i Detit të Zi i takon Ukrainës. Atje mbizotëron popullsia rusishtfolëse, e cila përpiqet për lidhje me të ngushta me Rusinë. Një konflikt në Krime Rusia mund ta merrte për shembull si bazë për të ushtruar presion. Njerëzit e kanë të qartë se në fund qëndrimin e presidentit ukrainas pro Gjeorgjisë do ta paguajnë në fund me çmimin e gazit:
"Presidenti ukrainas ka nënshkruar një dekret për Flotën e Detit të Zi. Kjo do t'i ndikojë negociatat për gazin midis Ukrainës dhe Rusisë. Por ndoshta për Ukrainën ka ardhur koha të mësojë se duhet paguar një çmim për pavarësinë. Sepse gazi nuk është gjithçka në jetë."