1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta me avionët pa pilot

Spencer Kimball / Amarildo Topi6 Qershor 2012

Administrata e presidentit Obama ka shtuar misionet e saj me avionët luftarakë pa pilot, drone, në Pakistan dhe Jemen. Analistët janë të shqetësuar për problemet politike që mund të shkaktojë vrasja pa dashje e civilëve.

https://p.dw.com/p/158v6
Një avion pa pilo - drone
Fotografi: picture alliance/dpa

Shtetet e Bashkuara kanë rritur intesitetin e misioneve me avionët pa pilotë (drone) në jug të Jemenit dhe përgjatë kufirit afgano-pakistanez gjatë muajit të kaluar, duke konfirmuar 14 sulme nga të cilat kanë humbur jetën 70 militantë të dyshuar. Sulmet ajërore janë një plus për fushatën e presidentit amerikan Barack Obama në luftën kundër Al Kaedas, por këto sulme janë duke i kushtuar ekonomikisht dhe politikisht Amerikës. Edhe pse trupat Amerikane u tërhoqën nga Iraku në hhjetor të vitit 2011 dhe do të bëjnë një gjë të tillë edhe nga Afganistani në vitin 2014, avionët pa pilot janë hedhur në ofensivë që prej janarit 2009 kur Obama mori presidencën.

John Brennan, këshilltari i luftës kundër terrorizmit i presidentit Obama, në një fjalim të mbajtur në 30 Prill në Woodrow Wilson Center, i ka quajtur sulmet “etike”, “legale” dhe “të drejta”. Brennan argumentoi të drejtën për t'u mbrojtur, sipas ligjit ndërkombëtar dhe autorizimin e Kongresit, nga Al Kaeda dhe Talebanët. “Ky është një mjet që minimizon humbjen e jetës së civilëve,” deklaroi ai.

John Brennan, këshilltari i luftës kundër terrorizmit i presidentit Obama, në konferencë shtypi në Uashington
John Brennan, këshilltari i luftës kundër terrorizmit i presidentit Obama, në konferencë shtypi në UashingtonFotografi: AP

“Fajtor për shkak të shoqërimit”

Por më 29 Maj New York Times raportoi se shifrat e paraqitura zyrtarisht nuk mund të jenë ato të vërtetat. Presidenti Obama ka pranuar një mënyrë të numërimit të viktimave që mund të jetë e shtrembëruar. Sipas një burimi të NYT në shërbimet e sigurisë, të gjithë burrat që ndodhen në vendin ku sulmohet presupozohet se janë militantë, në qoftë se faktet nuk provojnë të kundërtën. Ai e quajti këtë “fajtor për shkak të shoqërimit”, pra fajtor se të tillë janë personat rreth teje.

“Ky është një program që sulmon baza të dyshuara, pra nëse je një burrë nga Pakistani, Somalia, Jemeni ose çdo vend arab dhe qëllohesh nga një drone, atëherë je detyrimisht fajtor për diçka,” thotë për DW Tom Parker, ekspert kundër terrorizmit pranë Amnesty International. “Ai mjet i vetëm nuk mund të bëjë dallimin mes civilëve të pafajshëm dhe atyre individëve që administrata beson se janë militantë. Dua të theksoj këtu fjalën 'beson', pra nuk e di me siguri,” shprehet Parker.

Luftë e komanduar në Pakistan

Në pamundësi për të bindur Pakistanin të nisë një ofensivë kundër militantëve islamikë në terren, Uashingtoni ka intesifikuar fushatën në Veri dhe Jug të rajonit Waziristan, me argumentin se sulmet kryhen për të parandaluar sulmet e mundshme të forcave të koalicionit që shërbejnë në Afganistanin fqinj.

Fondacioni me bazë në Uashingotn “Amerika e Re”, raporton se që nga viti 2004 deri tani janë vrarë të paktën 1.819 persona nga sulmet me avionët pa pilotë, ku 293 mendohet të jenë civilë të pafajshëm. Sipas revistës “Long War Journal” rreth 2300 militantë dhe 138 civilë janë vrarë nga sulmet e këtij lloji që prej vitit 2006 në Paksitan.

Parlamenti pakistanez i kërkoi SHBA-së marsin e shkuar t'i jepte fund misioneve të avionëve të telekomanduar, duke argumentuar se një gjë e tillë shkel sovranitetin e Paksitanit dhe rrezikon jetën e civilëve të pafajshëm, që çon në shtimin e urrejtjes ndaj Amerikës. Por Uashingtoni justifikohet me të drejtën e saj për t'u mbrojtur, sidomos pas sulmeve të 11 Shtatorit.

Aktivisti i dyshuar i Al Kaidas, Anwar al-Awlaki, u vra nga një sulm me drone
Aktivisti i dyshuar i Al Kaidas, Anwar al-Awlaki, u vra nga një sulm me droneFotografi: dapd

Ligji ndërkombëtar

“Administrata po luan me zjarrin”, thotë John Bellinger, këshilltar ligjor në Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe në Departamentin e shtetit gjatë periudhës së presidentit Bush. “Shohim një tension në rritje nga komuniteti i të drejtave të njeriut dhe opinioni ndërkombëtar mund të kthehet kundër përdormit të droneve nga administrata,” thotë Bellinger për Deutsche Welle.

Uashingtoni e quan të ligjshme luftën e tij kundër Al Kaedas, fronti i së cilës është hapur në vende të ndryshme të botës. “Europianët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut në gjithë botën prisnin që administrata e Obamës t'i jepte fund luftës së nisur nga Bush, por tani njerëzit janë të zhgënjyer që kjo administratë nuk e ka bërë një gjë të tillë,” thotë Bellinger.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe Amnesty International këmbëngulin në luftimin e terrorizmit në mënyrën tradicionale: me shërbimet e inteligjencës dhe policinë.

“Shtetet e Bashkuara pretendojnë se janë në një konflikt ndërkombëtar me një aktor jo-shtetëror, por një pretendim i tillë nuk është ngritur asnjëherë në histori, prandaj është e pakuptueshme që ta thuash. Luftarat zhvillohen midis shteteve. Ky është standarti ligjor, që kur është vendosur një ligj ndërkomëbtar,” thotë Parker.

Kostot e misioneve

Në foto protesta në Pakistan kundër sulmeve me drone
Kosto politike për SHBA-në mund të jenë të larta - në foto protesta në Pakistan kundër sulmeve me droneFotografi: dapd

Përveç debatit ligjor, misonet me avionë të telekomanduar kanë edhe kostot njerëzore. Është e vërtetë që shumë drejtues të Al Kaedas janë vrarë, por është e vërtete se edhe shumë civilë të pafajshëm kanë humbur jetën. “Sulmet kanë qenë shumë efektivë në asgjësimin e disa drejtuesve shumë të rrezikshëm të Al Kaedas, të cilët planifikonin sulme të tjera mbi SHBA-në," thotë Bellinger. Pavarësisht se misionet me avionët Drone kanë qenë të suksesshëm nga ana taktike, Parker argumenton se nga pikëpamja afatgjatë Shteteve të Bashkaura u është shkaktuar një dëm. “Ato kanë destabilizuar rajonet ku kanë kryer sulmet dhe mendoj se kanë vrarë shumë njerëz të pafajshëm,” përfundon Parker.