1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Lufta "ilegale" e NATO-s

Cornelius Friesendorf është bashkëpunëtor shkencor në Universitetin Gëte në Frankfurt në Majn dhe Fondacionin "Studime për paqen dhe konfliktet" në Hessen. Tema e tij kryesore është ndërhyrjet ndërkombëtare.

Dr. Cornelius Friesendorf

Dr. Cornelius Friesendorf

Deutsche Welle: 13 vjet më parë, në mbrëmjen e 24 marsit sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Havier Solana dhe shefi i shtabit Wesley Clark njoftuan se NATO do të fillonte sulmet ajrore kundër ish Jugosllavisë. Në orën 20:00 sulmet filluan kundër bazave ushtarake të ushtrisë serbe në Pancevë; Beograd, Prishtinë, Novi Sad dhe Podgoricë. Ishte kjo hera e parë që ndodhte një sulm i tillë nga NATO. Si vlerësohet ky sulm sot?

Dr. Cornelius Friesendorf: Nga njëra anë sulmet ajrore shihen si të suksesshme. Pas më shumë se dy muajsh Sllobodan Millosheviçi u detyrua të dorëzohet dhe tërhoqi trupat jugosllave dhe serbe nga Kosova. Nga ana tjetër, lufta e NATO-s nuk ishte krejtësisht e suksesshme, sepse zgjati relativisht gjatë deri sa NATO fitoi luftën kundër ish-Jugosllavisë, Serbisë, dhe kjo luftë e çoi gati në probleme të mëdha. Problemi më i madh ishin viktimat civile të sulmeve ajrore të NATO-s, të cilat u kritikuan shumë edhe në Gjermani. Një problem tjetër ishte edhe se një pjesë e popullsisë gjermane dhe popujve të vendeve të tjera argumentuan se sulmet ajrore shkaktuan ose përshpejtuan dëbimin e popullsisë kosovare.

Deutsche Welle: A jeni edhe ju i këtij mendimi?

Dr. Cornelius Friesendorf: Është e vështirë të thuhet, ka qenë atëherë e vështirë dhe është sot e vështirë. Ekziston një lidhje kohore midis dëbimit të kosovarëve nga trupat serbe dhe sulmeve ajrore të NATO-s. Që do të thotë se numri i refugjatëve u shtua me fillimin e sulmeve të NATO-s. Pa qenë në gjendje të kuptojmë cilat kanë qenë planet e Millosheviçit, mbetet të bëhen vetëm spekullime lidhur me pyetjen nëse sulmet ishin arsyeja kryesore për numrin aq të madh të refugjatëve që u dëbuan nga trupat jugosllave.

Deutsche Welle: A mendoni se problemi i Kosovës mund të zgjidhej ndryshe?

Dr. Cornelius Friesendorf: Perëndimi u mundua të jepte zgjidhje tjetër. U bënë bisedimet e Rambujesë, por në atë kohë sundonte mendimi se për të ndërprerë reprazaljet kundër popullsisë shqiptare, Milloviçi mund të bindej vetëm me një obsion ushtarak. Millosheviçi ka vepruar më shumë mjeshtëri, ai u përpoq të nxiste vendet e NATO-s kundër njëri tjetrit, që aktorët ndërkombëtarë që shkonin në Beograd për bisedime të ktheheshin kundër njëri tjetrit, të gjitha këto mund të lexohen në autobiografinë von Wesley Clark, Waging Modern War, quhet libri ku ai, njëri nga aktorët kryesorë tregon me sa mjeshtëri vepronte Millosheviçi. Perëndimi e kuptoi vetëm më 1999 se me Millosheviçin nuk mund të bëhej paqe. Ndërhyrja në Kosovë duhet parë edhe nisur nga lufta e Bosnjës. Gjatë luftës së Bosnjës perëndimi e shihte Millosheviçin si sjellësin e paqes, megjithëse Millosheviçi ishte njëri nga pjesëmarrësit dhe fajtorët kryesorë të luftës së Bosnjës. Kjo është një nga arsyet pse perëndimi përdori ndërhyrjen ushtarake.

Deutsche Welle: Ishte ndërhyrja ushtarake në Kosovë, aq e suksesshme për NATO-n, e cila e përdori si shembull për të bërë aksione të tjera shpëtimtare. Edhe sot ndërhyrjet ushtarake shihen si zgjidhje për konflikte të vështira.

Dr. Cornelius Friesendorf: Çdo rast i ndërhyrjeve ka qenë i ndryshëm. Pati që atëherë druajtje se lufta e Kosovës do të kthehej një rast precedent, kryesisht sepse NATO nuk kishte mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sipas mendimit të shumë juristëve të të drejtës ndërkombëtare lufta e NATO-s ishte ilegale. Që nga Kosova, është parë se NATO përpiqet gjithnjë të marrë një mandat të Këshillit të Sigurimit. Pas Kosovës nuk ka patur situata të tilla ku NATO apo organizata të tjera ndërkombëtare të ndërhyjnë siç duan. Nga pikëpamja ushtarake situata për NATO-n ishte shumë e thjeshtë. NATO kishte synimin kryesor të mos kishte viktima nga radhët e veta. Sulmet ajrore ishin mjeti më i mirë për të arritur këtë synim. Nëse do të ishin dërguar trupa tokësorë, rreziku do të kishte qenë më i madh. Ekzistonin objektivat që mund të bombardoheshin, ekzistonte një ushtri kundërshtare, megjithëse ajo fshihej mirë. Pas përfundimit të bombardimeve pjesa më e madhe e trupave serbe u tërhoqën nga Kosova, pra ushtria jugosllave nuk u shkatërrua. Po ashtu me kalimin e kohës mbaruan objektivat ushtarakë, prandaj filluan të bombardoheshin objektiva gjysëmushtarakë dhe civilë. Por NATO kishte njëkohësisht avantazhin që luftonte kundër një ushtrie kundërshtare dhe kishte një partner në Kosovë, UÇK-në. Nëse mendojmë sot për Afganistanin, aty situata është shumë më e komplikuar. Aty lufta nuk mund të fitohet nga ajri. Partnerët në tokë janë po ashtu problematikë. Lufta e Kosovës ishte për NATO-n një mundësi për fituar një luftë pa patur humbje në radhët e veta, dhe kjo situatë nuk ekziston në luftën asimetrike.

Deutsche Welle: Në librat tuaja shkruhet se konceptet "drejtësi, demokraci dhe paqe" duhet të kenë definim të ri. Po ashtu si konceptet "goverment, siguri, zhvillim, dhunë dhe të drejta të njeriut". Pse?

Dr. Cornelius Friesendorf: Lufta e Kosovës shihet si shembull klasik i ndërhyrjeve humanitare. Sigurisht, që ekzistonte druaja se nëse NATO nuk do të reagonte atëherë do të binte vetë në probleme legjitimiteti. Kishim të bënim me arsye humanitare, por edhe me ndikimin ndërkombëtar të politikës së Millosheviçit, dhe rreziqet për paqen ndërkombëtare dhe sigurinë rajonale. Ndërhyrja e Kosovës ishte një moment i rëndësishëm historik edhe për zhvillimin dhe zbatimin e principit të "marrjes së përgjegjësisë për të marrë nën mbrojtje"si dhe definimin e ri të sovranitetit të shtetit. Që do të thotë se nëse një shtet ushtron presion masiv mbi popullsinë e vet, atëherë ai nuk mund t`i referohet më si më parë sovranitetit shtetëror, por duhet të trembet edhe nga një ndërhyrje nga jashtë. Lufta e Kosovës ishte fillimi i etablimit dhe krijimit të protektoratit ndërkombëtar në Kosovë. UNO ishte përgjegjëse për disa vjet me radhë në drejtimin qeveritar të Kosovës, deri në krijimin e institucioneve të veta. Kjo ishte një sfidë po aq e madhe sa fitorja ushtarake mbi trupat serbe.

Intervistën e zhvilloi Aida Cama

Redaktoi: Bahri Cani