1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

241208 Rumänien Regierung

Andreas Meyer-Feist24 Dhjetor 2008

Qeveria e re rumune mund të mbështetet tek një shumicë prej 70% në parlament. Por edhe nën këtë mantel harmonik zjen lufta për pushtet dhe gjendja e reformave lë për të dëshiruar.

https://p.dw.com/p/GMPB
Parlamenti rumunFotografi: picture-alliance/ dpa

Gjithçka mund të ishte harmonike dhe më së miri, të paktën në pamje të jashtme, nëse nuk do të ekzistonte televizioni. Një kanal bulevardesk rumun shokoi politikanët dhe qytetarët me një telefonatë të inçizuar fshehurazi. Regjistrimi iu dorëzua televizionit në fjalë. Në të dëgjohej zëri i politikanit drejtues socialdemokrat, Miron Mitrea tek bisedonte me një shokun e tij të partisë. Mitrea drejtoi bisedimet për krijimin e koalicionit me nacional-demokratët. I indinjuar ai shan kryetarin e partisë socialdemokrate, Mircea Geoana. Ky i kish premtuar atij një post me influencë në parlament. Por Mitrea doli pa asnjë post.

Nga regjistrimi i telefonatës dëgjohej zëri i Miteras: „Me Geoana kam probleme. Unë i kam ngulur dhëmbët atij në gurmaz dhe nuk e lëshoj më. Unë do t´i çaj atij gurmazin. Do ta sulmoj derisa ta shkatërroj.“

Mircea Geoana Ex Außenminister Rumänien
Mircea Geoana, kryetari i socialdemokratëve rumunëFotografi: Cristian Stefanescu

Të tilla sharje me tonet e një kafshe grabitqare janë të zakonshme në politikën rumune, kur bëhet fjalë për ndarjen e pushtetit dhe të parave. Biznes tarafesh ka jo vetëm tek socialdmeokratët, por tek këta ato janë më të spikatura. Socialdemokratët nuk janë asgjë tjetër veçse komunistët e transformuar të epokës së Çausheskut. Kushdo që në periudhën e kthesës falë lidhjeve të mira me paranë, pasuritë e patundshme, apo firmat, arriti në qarqet e oligarkëve të Rumanisë, qëndron sot në anën e socialdemokratëve. Me qeverinë e re duhet të marrë fund influenca e oligarkëve, që i luajnë fijet edhe në politikë.

Lufta për poste - e ashpër

Presidenti Trajan Bashkesku (Traian Basescu) i drejtoi një apel me nota dramatike qeverisë së re: „Unë gëzohem, që kjo qeveri është 100% e Rumanisë. Përpara katër vjetësh nisi po kështu, por ajo përfundoi si një qeveri e manjateve të ekonomisë Patriciu, Feneçiu e të tjerë. Ju bëj thirrje, që deri në fund të mbeteni qeveri e Rumanisë."

Rumänien Präsident Traian Basescu
Trajan BashkeskuFotografi: Autor Sorin Lupsa / Administratia prezidentiala

Por pazari brutal për ndarjen e posteve që po zhvillohet në prapaskenë lë të nënkuptosh diçka tjetër. Ministri i ri i brendëshëm është përgjegjës për luftën kundër korrupsionit. Komisioni Evropian kërkon ne këtë drejtim më shumë impenjim. Eshtë në pikëpyetje, nëse kjo do të realizohet. Gabriel Oprea ka qenë ministër i brendëshëm në periudhën e qeverisë së implikuar në afera korrupsioni nën ish-kryeministrin Adrian Nastaze. Kundër tij është hapur proces gjyqësor. Ministër i ri i mjedisit u emërua kryetari i pushtetëshëm i partisë socialdemokrate të një qyteti industrial, me të cilin lidhen interesa të mëdha financiare dhe ekonomike. Ministri i ri i tregtisë, Konstantin Nita, deri tani është dëgjuar prej hetimeve, që janë kryer ndaj tij për shkak të kontakteve me mafian siçiliane.

Frika për mbetjen në vend të reformave

Baronët rajonal të partisë dhe strukturat feudale karakterizojnë imazhin e qeverisë së re, kështu komentojnë gazetat rumune duke mos pritur asgjë të mirë prej kësaj qeverie. Lufta kundër korrupsionit tani do të mbetet pas dore. Presidenti i shtetit Bashesku nuk shpreh shqetësimin për këtë, ai konsideron diçka tjetër të rëndësishme: „Me një mazhorancë të madhe votash në parlament, kjo është qeveria më e fortë e Rumanisë qysh nga viti 1989.“


Faktikisht nacional-demokratët dhe socialdemokratët së bashku arrojnë të kenë 70% të votave. Për qeverinë kjo është një shumicë komode në koalicionin e gjerë, që nuk ka pasur asnjëherë në Rumani. Por vëzhguesit politikë konsiderojnë se ky është një çmim i madh. Me këtë koalicion do të sakrifikohen reformat, qëllimi kryesor i politikës rumune: kërkesat për reforma të parashtruara nga BE-ja nuk mund të realizohen shpejt me ekonominë e tarafeve dhe me korrupsionin në vend.