1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dënimi i Sanaderit

Zoran Arbutina / Aida Cama21 Nëntor 2012

Ivo Sanader është politikani i parë i lartë që ndëshkohet në Ballkan me një dënim të lartë për korrupsion. Kjo do të ketë ndikim pozitiv edhe tek vendet fqinjë, që janë shumë të infektuara nga korrupsioni.

https://p.dw.com/p/16mzG
Ivo Sanader
Ivo SanaderFotografi: getty

Shprehja e tij ishte e ngurtë, qëndrimi i tendosur dhe pak arrogant, kostumi i qepur me porosi dhe me kualitetin më të mirë. Kështu iu prezantua Ivo Sanader publikut gjatë gjithë procesit, kështu ishte edhe tani, kur gjykatësi kryesor i gjykatës së rrethit, dha dënimin në kryeqytetin kroat, Zagreb. Ish kryeministri i Kroacisë duhet të bëjë dhjetë vjet burgim. Përveç kësaj ai duhet t`i transferojë shtetit në 15 ditët e ardhshme një gjysmë milioni euro – shumën që në vitin 1995 ai ka marrë duke qenë zëvendësministër i Jashtëm, pak para përfundimit të luftës së Kroacisë, nga Banka austriake Hypo-Alpe-Adria Bank, në formën e një provizioni ilegal. 

Kjo është vetëm një pjesë e parave, që Sanader ka futur gjatë karrierës politike në xhepin e tij. Në argumentimin e vendimit u fol për më shumë se 10 milionë euro. Në pjesën më të madhe bëhet fjalë për rryshfete që Sanader i ka marrë si kryeministër, për t`i dhënë koncernit hungarez të naftës MOL, të drejtat e shumicës në koncernin kroat të naftës, INA, duke i siguruar kështu pozicion dominant në tregun kroat. Autoritetet kroate të antikorrupsionit USKOK, flet për humbje më të madhe të ekonomisë popullore, prej rreth 200 milionë eurosh, është shifra e dëmit.

Ivo Sanader
Ivo SanaderFotografi: picture-alliance/dpa

Një sinjal për rajonin

Dënimi i tij është shumë i rëndësishëm për shoqërinë kroate, mendon Franz-Lothar Altmann, ekspert i Balkanit në Shoqatën për Evropën Juglindore. "Tani popullsia mund të shikojë se korrupsioni do të luftohet vërtet," thekson Altmann, dhe tregon se "drejtësia funksionon në Kroaci, dhe jep dënime edhe kundër politikanëve prominentë. Ky është një lajm i mirë. Drejtësia është e pavarur."

Edhe Davor Gjenero, politikan nga Zagrebi është i bindur se gjykimi kundër Sanaderit do të ketë një ndikim pozitiv për Kroacinë: "Ky është dënimi i parë në një aferë të madhe korrupsioni. Për Kroacinë është shumë e rëndësishme, që procesi u zhvillua mirë edhe pas ndryshimit të qeverisë. Kjo tregon se me siguri nuk kemi të bëjmë me një proces politik dhe se Kroacia është duke u kthyer në një shtet normal."

Por jo vetëm në Kroaci. Ivo Sanader është politikani i parë i lartë që ndëshkohet në Ballkan me një dënim të lartë për korrupsion. Kjo do të ketë ndikim pozitiv edhe tek vendet fqinjë, mendon Franz-Lothar Altmann:

"Ky rajon shihet si shumë i infektuar nga korrupsioni, kryesisht Mali i Zi, por edhe Kosova, Serbia dhe tani Kroacia është duke na dhënë një shembull të mirë". Korrupsioni, thotë Altmann duhet luftuar "në nivel të lartë," prandaj dënimi kundër Sanaderit është "një sinjal i rëndësishëm për të gjithë rajonin".

Dy fytyra: Reforma dhe korrupsioni

Për një kohë të gjatë Sanadër, kryeministër nga 2003 deri më 2009, ka qenë shumë popullarizuar në vend dhe është parë si i paprekshëm. Ai u transformua  nga njeriu besnik i presidentit kroat Franjo Tudjman në një kritik të tij, dhe ka kontribuar shumë për të zhvendosur nacionalistët ultra të djathtë në skajet e skenës politikë në Kroaci. Ai ka qenë shumë i preferuar në Evropë, dhe në Gjermani ka pasur një emër shumë të mirë. Ai ka studiuar filologji në Insbruk, dhe flet shumë mirë gjermanisht. Në vitin 2007 ai morri Urdhërin Bavarez të Nderit, një nderim që i bëhet rrallë kryeministrave të vendeve të tjera.

Sanader vlerësohet edhe si një nxitës i rëndësishëm i anëtarësisë së Kroacisë në BE dhe NATO. Kështu ai i dorëzoi Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës gjeneralin kroat Ante Gotovinë, i cili mbahej prej shumë vetëve si hero, duke hapur kështu rrugën e Kroacisë për në BE. është ironi e fatit që Sanader të dënohet tani me dënim shumëvjeçar, pothuaj njëkohësisht në një kohë me lirimin e Gotovinës nga instanca e dytë e Tribunalit të Hagës.

Gjatë qëndrimit të Sanaderit në krye të qeverisë, vendi i kishte mirë punët në ekonomi. Shumë vetë e shihnin Kroacinë si shembull në rajon. Por, tani dihet se kjo ishte vetëm një maskë dhe se Sanader ka thurur në prapaskenë një rrjet të tërë korrupsioni. Por ndërkohë që ai dhe disa bashkëfajtorë të tjerë duhet të përgjigjen në bankën e të akuzuarit, shumë të tjerë të përzier në korrpsione nuk janë zbuluar. Prandaj procesi i Zagrebit mund të jetë hapi i parë.