1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lubonja mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri

Arben Muka8 Nëntor 2013

Shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja në një intervistë për DW bën vlerësime mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri.

https://p.dw.com/p/1ADb0
Fatos LubonjaFotografi: Arben Muka

DW: Në më pak se dy muaj kur nisi punën qeveria e majtë e Edi Ramës cfarë do të vlerësoni si pozitive dhe negative nga performanca e saj?

Fatos Lubonja: Vlerësoj si pozitiv faktin që qeveria, ekipi i ri, është i vetedijshëm për problematikën e madhe që ka Shqipëria. Njeh sensibilitetin e qytetarëve dhe kërkon që të japë sinjale se do ta ndryshojë gjendjen. Por si problematik unë përmend faktin se sa realisht ka mundësi dhe energji për të ndërtuar një strategji të mençur për të bërë ndryshimet që kërkon publiku. Të marrim korrupsionin dhe krimin e organizuar që zë vend në çdo raport vlerësues që bëhet për Shqipërinë. Për t'i goditur këto fenomene gangrenë do të ndryshohet sistemi apo do të mjaftohet vetëm me ndryshim të njerëzve? Edi Rama ka arsyetuar para se të merrte detyrën si kryeministër se ekziston një sistem i tillë korruptiv në Shqipëri, që kushdo që hyn, brenda 7 ditëve është i detyruar të korruptohet. Atëherë, do të ndryshojmë këtë sistem në mënyrë që njerëzit që kanë qenë pjesë të ndryshojnë mendim, apo do të ndryshojmë thjesht njerëzit dhe që më pas edhe ata të infektohen nga sistemi? Kjo nuk është lojë fjalësh, por është një sfidë e madhe e gjithë shoqërisë ku qeveria ka një rol kryesor. Në këtë aspekt unë nuk po shoh ende hapa të sigurtë drejt ndryshimit të sistemit, por thjesht ndryshim njerëzish. Nuk po shoh ende goditjen për shtyllat kryesore të sistemit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Që sipas jush cilat janë?

Një prej shtyllave është lidhja e fuqishme pushtet politik-pushtet financiar dhe ekonomik- pushtet mediatik, i cili mban në këmbë sistemin e korrupsionit dhe ushqen krimin e organizuar. Është mungesa reale e ndarjes së pushteteve dhe konflikti i interesit të klasës drejtuese. Shikoni parlamentin e pas 23 qershorit dhe do të gjeni përfaqësues të lidhjeve të konfliktit të interesit mes pushteteve të lidhura. Dua të nënvizoj se financimi i partive politike dhe media e kapur nga grupet e interesit ekonomik ose politik, janë dy shtylla të tjera të sistemit që duhet goditur realisht.

Nga zyrat e tatimeve dhe taksave janë bërë njoftime këto ditë se ka tejkalime të treguesve të planifikuar.

Nuk dua ti hyj shifrave në këto deklarata, por e rëndësishme për mua është që shteti nuk duhet konsideruar thjesht si mbledhës taksash. Nuk duhet krijuar përshtypja se eleminimi total i evazionit fiskal do të na sjellë të gjithë të mirat e botës. Kjo nuk duhet marrë klishe dhe shteti duhet që në rradhë të parë të hapë perspektiva prodhimi që shoqërohen me punësim dhe rritje të mirëqënies. Nga kjo duhet filluar, më pas veprohet fort me instrumentet e taksave. Unë nuk jam për evazionin fiskal as nuk dua që të nxis dikë të bëjë evazion fiskal. Por dua të them se detyrë primare për shtetin është gjallërimi ekonomik dhe punësimi i qytetarëve.

Lëvizjet në administratë janë një temë që debatohet. Ju si e shikoni këtë proces?

Mendimi im, të cilin e kam shprehur dhe here të tjera publikisht, është se administrata duhet ndryshuar se se ka qenë shumë klienteliste. Ka qenë e ndërtuar me filozofinë e punësimit të militantëve. Ndryshimi nuk duhet të bëhet me mendësinë se ikin një palë militantë dhe vijnë disa të tjerë. Kjo do të ishte sfilitëse për shtetin dhe me pasoja katastrofale. Zëvendësohen postet politike që më pas duhet ti hapin rrugë ndërtimit të një administrate me ekspertë dhe specialistë, me synimin afatgjatë që ekipet duhet t'i rezistojnë ndryshimeve të mëvonshme. Pra, të kemi një pjesë që përfaqëson nivelin politik dhe që ndryshon me rotacionin, dhe një pjesë stabël që vijon punën e pa influencuar dhe pa presionin e kastave politike.

Duke u ndalur në politikën e jashtme, a ka një orientim të ri të Shqipërisë në planin ndërkombëtar?

Gjykoj se ka vijëmësi. Nuk dalloj të cënohet fryma proeuropiane e vendit. Kjo është pozitive. Por nga ana tjetër nuk mund të rri pa përmendur vijimësinë e sjelljes me servilizëm apo përdorim të të huajve për t'u legjitimuar në pushtet. Shikoni se si po sillen me projektin për sjelljen e armëvë kimike nga Siria në territorin shqiptar për t'u çmontuar. Haptazi kjo bëhet për ti bërë qejfin amerikanëve, pavarësisht se ky projekt është në dëm të Shqipërisë. Kjo është e turpshme që bëhet për kredo politike dhe për ca para. Unë mendoj se kjo është vazhdë e politikanëve shqiptarë me ndërkombëtarët. Kështu ka qenë dhe me rastin e mëparshëm të financimeve arabe për bulevardin e Tiranës. Pra, politika jonë hedh sytë nga të mundet nëpër botë, duke shfaqur dhe servilizëm për para dhe mbështetje.

Për raportet aktuale Tiranë-Ankara ka fluks qëndrimesh me vlerësime nga më të ndryshmet. Ju çfarë mendimi keni?

Turqia nuk duhet gjykuar si e kundërta e Europës. Është një vend i zhvilluar dhe anëtar i NATO-s që aspiron fort për t'u integruar në Europë dhe në këtë aspekt unë nuk shikoj asnjë problematikë. Por duke ju kthyer argumentit të mëparshëm theksoj se duhet hequr dorë nga servilizmi. Konkretisht në një klimë të ngushtë me Turqinë nuk do të thotë se të gjitha investimet ose projektet e këtij vendi duhen parë vetëm me pozitivitet. Nëse kompania turke që operon në ish Metalugjikun e Elbasanit provohet se abuzon atëherë këtu nuk duhet të ndikojë bashkëpunimi mes vendeve, por duhet të ketë penalizim njësoj si me të tjerat kur shkelin ligjin. Që të mos përsëritet rasti i kompanisë që ndërtoi rrugën e kombit dhe që na ka lënë aq shumë problem me kosto.