1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Londra me kryebashkiak mysliman

la/(dpa, rtr)7 Maj 2016

Emigranti fiton kundrejt miliarderit. Kryeqyteti britanik ndërron kurs: Kandidati i partisë laburiste, Sadiq Khan fitoi kundrejt rivalit konservator, Zac Goldsmith në zgjedhjet për Londrën.

https://p.dw.com/p/1IiyE
London Bürgermeister Sadiq Khan
Sadiq Khan -kryetari i ri i bashkisë së LondrësFotografi: picture-alliance/AP Photo/K. Wigglesworth

Khan falënderoi votuesit dhe u shpreh se do të jetë kryebashkiaku i të gjithë qytetarëve të Londrës. Kryeqyteti britanik ndërroi kurs pas tetë vitesh me kurs konservator: Boris Johnson drejtoi si kryetar bashkie kryeqytetin britanik. Tani kandidati me origjinë pakistaneze, laburisti liberal, Sadiq Khan, e la dukshëm pas konservatorin, Zac Goldsmith. Sipas përllogaritjeve, Khan merr 56,8 % të votave, ndërsa rivali Goldsmith vetëm rreth 43% të tyre. Londra e zgjedh drejtpërdrejt kryetarin e bashkisë. Rezutati përfundimtar u publikua të premten në mbrëmje. Gjatë fushatës zgjedhore, Khan nuk e fshehu origjinën e tij e besimin e tij, por theksoi se besimi eshtë vetëm një element përbërës i tij. "Jam londindez, jam europian, jam britanik, jam anglez, jam i besimit mysliman", theksonte Khan që ka premtuar të mbështesë më shumë ekonominë lokale. Në Angli jetojnë rreth 3 milionë myslimanë.

Laburisti Khan vjen nga familje emigrantësh, është djali i një shoferi autobusi, dhe është rritur në një apartament të fondit social. Për Londrën kandidatura e Khan nuk është e habitshme. Kryeqyteti i kolonisë botërore prej kohësh është zhvilluar në metropol multikulturor. Rivali i Khan, konservatori Goldsmith vjen nga një familje miliarderësh të një dinastije hebreje, ai është djali i një investitori bankar me famë, James Goldsmith.

Khan konsiderohej me më shumë shanse në garën elektorale, por së fundmi kundërshtarët e tij e përmendnin shpesh sfondin fetar të Khanit. Edhe kryeministri konservator, David Cameron ka pretenduar se myslimani Khan ka kontakte me ekstremistët.

Dështim i laburistëve në vend

Megjithatë suksesi i kandidatit laburist në zgjedhjet për Londrën nuk e mbulon dot dështimin e laburistëve në shkallë vendi. Partia shënon rezultate të dobta në të gjithë Anglinë. Pas numërimit të votave në zgjedhjet komunale, laburistët humbën një duzinë mandatesh në parlamentet vendore. Sipas sondazeve, shumë votues kanë kaluar në anën e partisë euroskeptike, Ukip. Ndërsa në Wales pritet që nacionalistët të hyjnë për herë të parë në parlamentin vendor.

Großbritannien Wahlen Zac Goldsmith
Konservatori Zac Goldsmith pas dhënies së votësFotografi: Getty Images/C. Ratcliffe

Votuesit në Skoci

Edhe në Skoci vihet re një rënie e partisë së punëtorëve, këtu në favor të konservatorëve dhe partisë së majtë nacionale, SNP. Nacionalistët fitojnë terren. Kryeministrja e qeverisë skoceze, Nicola Sturgeon ka bërë fjalë për një "fitore historike" të partisë së saj. Por supriza kryesore pritet të vijë nga shpërndarja e roleve mes konservatorëve dhe laburistëve. Konservatorët shënojnë rritje të konsiderueshme në elektorat në disa pjesë të Skocisë, dhe bëhen ndoshta forca e dytë politike në vend. 40 milionë britanikë votuan të enjten (05.05) për parlamentet rajonalë dhe komunalë. Krahas Londrës ka pasur zgjedhje për kryetarë bashkie edhe në qytete të tjerë të mëdha britanike.