1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Londra goditet nga terrori

Një sulm me thikë, të shtëna, një automjet që vërsulet në masën e njerëzve në zemrën e Londrës pranë parlamentit të mërkurën mbasdite, disa të vdekur e mjaft të plagosur. Policia flet për sulm terrorist.

Pas sulmeve të mundshme terroriste në zonën e parlamentit britanik në Londër, kryeministrja britanike, Theresa May ka thirrur urgjent kabinetin e sigurisë. Të mërkurën Londra u trondit nga sulme të dyshuara terroriste. Atentatori u mori katër personave jetën, para se të eliminohej nga policia. Të plagosur janë të paktë njëzetë të tjerë, disa prej tyre rëndë. Ndër viktimat ndodhet edhe një polic, bëhet fjalë për policin e sulmuar me thikë para parlamentit britanik. "Po e trajtojmë këtë si një sulm terrorist, deri sa të dimë diçka tjetër më shumë", bëri të ditur Scotland Yard në twitter menjëherë.  Të mërkurën vonë u bë e ditur se ka pasur vetëm një atentator, i cili është goditur për vdekje, sipas zëdhënësit të Scotland Yard.

Të mërkurën pasdite në qendrën e Londërs u bë fjalë për sulm të dyfishtë terrorist. Sipas të dhënave një person ka sulmuar me thikë një polic para parlamentit britanik. Sulmuesi u qëllua më pas. Dëshmitarët thonë se kanë dëgjuar katër të shtëna. Me sa duket më parë ai i është vërsulur kalimtarëve me një automjet në urën mbi lumin Themse.

Dhoma e ulët e parlamentit britanik ndërpreu menjëherë një seancë të saj, ndërsa kryeministrja, Theresa May u dërgua në rezidencën në Downing Street, nga ku ndiqte situatën. Ndërsa Mbretëresha Elisabeth në kohën e sulmeve të dyshuara terroriste ndodhej në Pallatin Buckingham.

Në pamjet nga ajri shiheshin të mërkurën disa persona në urën Westminster para parlamentit britanik që ishin të shtrirë dhe trajtoheshin nga forcat e shpëtimit. Territori përreth parlamentit u evukuua menjëherë. Para gardhit të parlamentit shihej një automjet i shkatërruar. Policia bëri thirrje që dëshmitarët të dërgojnë në adresë të saj fotot ose pamjet filmike, por të mos publikojnë pamje të të plagosurve. Stacioni i metrosë Westminster u mbyll të mërkurën. Sulmi u zhvillua një vit pas atentateve terroriste në Bruksel, ku humbën jetën 32 vetë. Sulmi më i rëndë terrorist në Londër ka ndodhur para 12 vjetësh, ku në një metro dhe autobus ishin vendosur lëndë shpërthyese, e si pasojë 56 vetë humbën jetën.