1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Lojërat Olimpike: ngjarje historike për Kosovën

Për herë të parë në Lojërat Olimpike merr pjesë edhe Kosova. Një vend i vogël, i shpallur i pavarur në vitin 2008, por me potencial të madh sportiv.

Kosovën e kanë njohur më shumë se gjysma e vendeve të botës, por deri tani ajo nuk ka mundur të paraqitet zyrtarisht në garat më të mëdha botërore. Kjo ndryshon me Lojërat Olimpike në Brazil, ku për herë të parë është ngritur edhe flamuri i Kosovës, në familjen e vendeve që do të konkurojnë në evenimentin më të madh sportiv në botë.

Kosova do të përjetojë në Rio premirën e saj sportive. Ndër të parët që dalin në skenë janë vrapuesit në 800 metra Musa Hajdari dhe në 400 metra Vijona Kryeziu. Ata stërviten në male, sepse nuk kanë ndonjë pistë për stërvitje normale. Kushte aventureske për stërvitje, por vullneti është i madh për pjesëmarrje dhe sukses. "Neve na mungojnë të gjitha, përveç vullnetit të fuqishëm. Mjafton të shikoni vetëm kushtet për stërvitje", thotë trajneri Zijadin Kryeziu. Ndërsa atletja Vijona Kryeziu shton: "Jam e gëzuar shumë për pjesëmarrjen në garat e Rios, sepse kjo është hera e parë që Kosova paraqitet në këto gara."

Majlinda Kelmendi

Majlinda Kelmendi

Shpresat më të mëdha tek Majlinda

Kosova do të ketë në Rio tetë sportistë në start. Flamurin në ceremoninë e hapjes do ta mbajë xhudistja Majlinda Kelmendi, kampione e botës. Edhe pse më e mira në botë, Majlinda shpesh është përballur me kushte jashtëzakonisht të vështira sportive, por edhe me pengesa burokratike dhe diplomatike, për shkak se vjen nga një vend i ri. Tani ajo do të ketë shansin që të fitojë medaljen e parë olimpike për vendin e saj. Shpresat e Majlindës dhe opinionit në Kosovë janë të mëdha, por motoja e Lojërave Olimpike është: me rëndësi është pjesëmarrja! Në veçanti kur dihet se në çfarë kushtesh stërviten sportistët nga Kosova.

Shqipëria me pesë sportistë, Gjermania mbi 450

Flamurin e Shqipërisë në ceremoninë e hapjes do ta mbajë atletja shumë e suksesshme Luize Gega, e cila ka shkëlqyer edhe në Kampionatin e kaluar Evropian. Ajo është shpresa më e madhe e Shqipërisë që të fitojë ndonjë medalje. Shqipëria ka dërguar në këto gara pesë sportistë. Ndërsa Gjermania do të ketë në start rreth 450 atletë. Një ekip më të madh ka pasur vetëm para 12 vitesh në Athinë. Ekipi i Gjermanisë shpreson se në këto lojëra do të fitojë më shumë se 50 medalje, që do të ishte më shumë se para katër vitesh në Londër (44). Por opinioni sportdashës do të presë me padurim edhe paraqitjet e yjeve si Usain Bold (atletikë), Michael Phelps (not), yjet amerikane të basketbollit, futbollisti brazilian Neymar etj.