Lirimi i Deniz Yücel: Alarmit nuk i jepet fund | Gjermania | DW | 17.02.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Lirimi i Deniz Yücel: Alarmit nuk i jepet fund

Megjithë gëzimin për lirimin e Deniz Yücel nuk duhet të harrojmë, se ende më shumë se 100 gazetarë ndodhen në burgjet turke, mendon kryeredaktorja e Deutsche Welle-s, Ines Pohl.

E njoh Denizin prej shumë vitesh. Gati 6 vjet kam punuar bashkë me të. Jemi grindur për kryetitujt më të mirë të artikujve. Nuk ka qenë gjithmonë e këndshme, por shumë intensive. Kam mësuar shumë nga përkushtimi i tij. Deniz është një gazetar origjinal, i shkëlyer dhe i pa frikësuar. Ai mund të përshkruajë në mënyrë të mrekullueshme, në stilin e tij gati poetik dhe të ndjeshëm. Por ai di të bëjë edhe zhurmë, di se si mund të tërheqë vëmendjen e ta mbajë atë.

Fuqia e inskenimit publik

Një aftësi që e kanë edhe miqtë e tij. Ata nuk u ndalën së rëni tambureve, organizuan koncerte solidariteti, hashtagu #freeDeniz ishte kudo prezent. Ishte fuqia e inskenimit publik që nuk ia hoqi përgjegjësinë politikës. Madje edhe natën e lirimit u negociua në nivel të lartë. Detajet e marrëveshjes nuk dihen. Por paas një viti e dy ditësh, Deniz u lirua. Nuk mund t'i mbaja lotët. Ky njeri me shpirt të lirë kaq ditë e netë pas hekurave!

Jo happy end

Kur u publikuan fotot e para, me Denizin që përqafon Dilekun e dashur, shumë vetë u përlotën. Deniz e ka të shkruar dhimbjen në fytyrë. Si dikush në rrezik të mbytet ai u mbajt pas saj, martesa u bë në kohën e burgimit. Një happy end prekës? Jo vërtet. Sepse megjithë gëzimin për lirimin e tij, nuk duhet të harrojmë: Deniz është njëri nga më shumë se 100 gazetarët e burgosur në Turqi. Kush mendon se me lirimin e tij filloi një erë e re e çtensionimit, mori dje një mësim tjetër: Sapo ishte bërë publik lirimi i tij, kur gjykatësit e Erdoganit dënuan me burgim të përjetshëm gazetarë të tjerë turq. Deniz akoma nuk kishte dalë nga burgu.

Lufta nuk duhet të ndalet

Ines Pohl Kommentarbild App (DW/P. Böll)

Kryeredaktorja e Deutsche Welles, Ines Pohl

Fakti që nuk bëhet fjalë për qytetarë gjermanë luan rol të rëndësishëm për mundësitë diplomatike të qeverisë gjermane. Por a nuk duhet të jetë shoqëria civile  në radhë të parë? Ishte prekëse, e habitshme se sa shumë vetë u angazhuan për lirimin e Denizit. Por me lirimin e tij lufta nuk ka mbaruar. Në të gjithë botën gjenden në burgje më shumë 300 gazetare e gazetarë, torturohen pjesërisht, sepse janë angazhuar për lirinë e shtypit. Megjithë gëzimin e lehtësimin vlen ende edhe sot: Për sa kohë që një gazetar ndodhet pas hekurave për shkak të punës së tij kritike, ne nuk duhet të ndalim të kërkojmë nga politika të angazhohet për lirimin e tyre. Për një gjë jam e sigurtë: Kjo është ajo që dëshiron edhe Deniz tani!

Ju mund të jepni mendimin Tuaj në fund të këtij artikulli. Ne ju mirëpresim!