1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Liria e mendimit apo liria fetare

Rachel Gessat/ Angelina Verbica18 Shtator 2012

Një film agjitativ antimysliman nga SHBA ka çuar në protesta të ndryshme në shumë vende arabe. Edhe në Gjermani po zhvillohet një debat se ku përfundon liria e shtypit dhe e artit dhe liria e mendimit?

https://p.dw.com/p/16B4H
Një film plagos ndjenjat fetare.
Një film plagos ndjenjat fetare.Fotografi: AFP/Getty Images

Që filmi amerikan "Pafajësia e muslimanëve" është një vepër sa joartistike, aq edhe fyese, për këtë janë të bindur si aktorët politikë edhe ato shoqërorë në Gjermani. Një "marrëzi pa shije" e quajti atë politikani i të Gjelbërve, Volker Beck, ndërsa kryetari i konferencës ipeshknore gjermane Robert Zollitsch një "provokim të papranueshëm dhe të pakuptimtë".

Megjithatë nuk ka unitet mendimi për mënyrën se si mund të ndërhyjë shteti, që të pengojë përhapjen e filmit shpifës në Gjermani. Politikanët e PSD dhe të të Gjelbërve mendojnë se filmi është në fakt irritues, por pa përmbajtje të dënueshme. Ministrja e Drejtësisë, Sabine Leutheusser-Schnarrenberger (FDP), ka refuzuar deri tani veprimet ligjore dhe ka kërkuar në vend të tyre, "që shumica dërmuese e popullsisë të kundërshtojë me vendosmëri provokatorët."

Ministrja e Drejtësisë alundonte kështu në lidhje grupin e djathtë ekstrem "Pro Deutschland", që kishte bërë të ditur, se do ta shfaqë publikisht filmin, i cili qarkullon pjesësisht në platformat e internetit.

Prof Dr. Christoph Gusy
Prof Dr. Christoph GusyFotografi: Norma Langohr - Pressestelle Universität Bielefeld

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, i së njëjtës parti si Leutheusser-Schnarrenberger, kërkoi ndalimin e shfaqjes së filmit. Këtu ai mori mbështetje nga ana e kancelares. Angela Merkel deklaroi të hënën në Berlin, se autoritetet duhet të shqyrtojnë ligjërisht, nëse shfaqja e filmit do të dëmtonte sigurinë publike. Dhe ministri i Brendshëm, Hans-Peter Friedrich (CSU), deklaroi se do të veprojë me të gjitha "mjetet e lejueshme ligjore" kundër përhapjes së mëtejshme të filmit anti-islamik.

Situata ligjore në Gjermani

Një deklaratë, që mund të vlerësohet më së shumti si thirrje ndaj senatit të Berlinit, mendon Christoph Gus, jurist për të drejtën shtetërore dhe kushtetuese në universitetin e Bielefeldit: "Ministri i Brendshëm gjerman nuk ka asnjë mundësi për zbatimin e ligjeve kundër videove, apo nxitjes së popullit përmes videove."

Për çështje të tilla mbajnë përgjegjësi ligjore landet gjermane, në rastin e shfaqjes së filmit në Berlin senatori i Berlinit dhe gjykata administrative, ose penale në Berlin. "Praktikisht nuk ka asnjë bazë ligjore, që u jep kompetenca autoriteteve, për të vepruar në raste të tilla. Mbrojtja e ndjenjave fetare mbulohet vetëm me paragrafin 166 të kodit penal. Paragrafi megjithatë është shumë i ngushtë: jo çdo lloj propagande, jo çdo lloj talljeje me fenë është i ndaluar prej tij.

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle kërkoi ndalimin e shfaqjes së filmit.
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle kërkoi ndalimin e shfaqjes së filmit.Fotografi: DW

Ekuilibër i vështirë

Por vetëm ato fyerje, që "prishin qetësinë publike", siç thuhet aty tekstualisht. Një formulim, që duket se lë hapësirë të madhe për mundësi të ndryshme interpretimi. Por Prof. Gus lshtë skeptik, nëse shfaqja publike e filmit do të ndalohej duke marrë parasysh paragrafin 166: "Edhe paqja publike nuk duhet të shkelë të drejtat themelore të kushtetutës."

Kushtetuta gjermane i jep një vend shumë të rëndësishëm lirisë së mendimit dhe të artit. Në një shtet me pluralizëm fetar si Republika Federale Gjermane liria e mendimit përbën një bazë të domosdoshme të bashkëjetesës: "Secili mund ta kritikojë tjetrin, por edhe duhet të pranojë kritikë, kjo vlen edhe për bashkësitë fetare".

Autoritetet dhe gjykatat duhet gjithmonë të peshojnë ndërmjet lirisë së artit dhe mendimit të njërës palë dhe të lirisë fetare të palës tjetër.