1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Libyen Gaddafi

24 Gusht 2011

Muammar al Gaddafi u përpoq të zhdukte bazën e fiseve në Libi duke forcuar pushtetin e tij. Por a do të rikthehet shoqëria e fiseve në Libi pas Gaddafit? Sa shanse ka bashkëjetesa konstruktive në vendin e pasur me naftë?

https://p.dw.com/p/12MaH
Sulme kundër pallatit të Gaddafit
Sulme kundër pallatit të GaddafitFotografi: dapd

Si asnjë vend tjetër i rajonit struktura politike dhe shoqërore e Libisë është e përcaktuar nga një konglomerat sa i brishtë dhe i shtresëzuar fisesh në bashkëjetesë por edhe në armiqësi konkuruese. Në 42 vitet e sundimit të Gaddafit, u duk se fiset kaluan në prapaskenë, pra në dukje u zhdukën, por me ndryshimet aktuale në Libi, ky sistem i vjetër do të mund të rigjallërohet sërish.

Gaddafi u përpoq të zhdukte mentalitetin e fisit

Ky do të ishte një hap tjetër në drejtim të zhdukjes së “sistemit të Gaddafit”, me të cilin koloneli ishte përpjekur të eliminonte strukturat e vjetra dhë të krijonte në mënyrë radikale struktura të reja në Libi.

Festime në Tripoli
Festime në TripoliFotografi: dapd

“Komandanti i revolucionit”, siç e quante veten Gaddafi me një modesti të shtirur, nuk kishte asnjë shans me sistemin e vjetër të fiseve të dilte në krye të shtetit. Ai vetë vjen nga një fis i parëndësishëm i Guedefas, pjesëtarët e të cilit nuk do të kishin pasur shans kundër 140 fiseve të tjera të Libisë.

Trajtim jo i barabartë i fiseve me privilegje dhe poste

Pas revolucionit dhe rrëzimit të mbretit Idris, Gaddafi u përpoq të zinte vendet kyçe në shtet dhe ushtri me njerëz të fisit të tij. Kjo metodë nuk ishte vetëm një despotizëm oriental, por edhe masë sigurie dhe garanci për mbijetesën e tij politike. Pushteti i Gaddafit nuk ishte i sigurtë që nga fillimi. Prandaj koloneli filloi të shpërblejë fiset që tregonin besnikëri dhe të ndëshkojë të pabindurit, ose së paku të mos i marrë në konsideratë për poste dhe priviligje të ndryshme. “Libia e re” e Gaddafit bazohej në slloganin “Familja - Fisi - Atdheu”, njëherazi ai përpoq të dobësonte mentalitetin e fisit. Krijimi i komiteteve popullore me të drejtë zgjedhjeje të qytetarëve, duhej të krijonte përshtypjen e fundit të epokës së fisit. Por në të vërtetë vendimet nuk merreshin në komitete, por nga vetë Gaddafi.

Masat festojnë dështimin e Gaddafit
Masat festojnë dështimin e GaddafitFotografi: Picture-Alliance/dpa

Libia vend pa unitet

Günter Meyer, ekspert gjeopolitik për vendet arabe e sheh Libinë e sotme një vend të përçarë. “Është një vend pa unitet. Kemi të bëjmë me 130-140 fise, të cilat nuk mund t'i përfytyrojmë si fise klasike beduinësh me identitet të qartë... Aktualisht shumica e popullsisë beduine prej dy tre-gjeneratash banon kryesisht në qytete që do të thotë që besnikëria e klanit ka rënë ndjeshëm. Udhëheqësit e fiseve nuk mund të bazohen aspak tek ky luajalitet. Pra kemi shumë interesa kontradiktore, po ashtu rivalitete të mëdha të fiseve mes tyre, gjë që do luajë një rol të madh në të ardhmen e vendit.”

Thirrjet e Gaddafit nuk i ndoqi populli libian
Thirrjet e Gaddafit nuk i ndoqi populli libianFotografi: dapd

Më shumë se strukturat e reja shoqërore të Gaddafit, Libinë e ndryshoi pasuria e naftës dhe krijimi i qyteteve të reja dhe moderne, që u kthyen në pikëmbledhje për popullsinë e fiseve. Afiniteti i fisit u dobësua, por rivalitetet apo fiset e mënjanuara nga Gaddafi mbetën. Fiset e Cyrenaikës dhe Bengazit rebeluan disa herë kundër Gaddafit, dhe ishin ato që e filluan kryengritjen. Fitorja e tyre mund ta përforcojë rishtazi mentalitetin e fisit dhe mund të bëhet po ashtu shkak për konflikte të reja.

Rrezik që fiset të mos bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive

Analisti Michael Lüders shprehet skeptik për të ardhmen: “Ka shumë gjasa që fiset të mos bashkëpunojnë në frymë konstruktive kur të vijë puna për ndarjen e pushtetit dhe pasurisë së naftës. Një skenar negativ mund të jetë ndarja e vendit apo konflikte të vazhdueshme mes fiseve. Megjithatë ka shpresa që Këshilli i Përkohshëm në Bengazi ka pushtet ta shtrijë kontrollin në shumicën e vendit dhe të përfshijë fiset kryesore në strukturat e reja politike. Por mbetet komplet e hapur se ç'pamje do të ketë Libia pas gjashtë muajsh.”

 

Autor: Peter Philipp/DW-TV/DLF/Lindita Arapi

Redaktoi: Mimoza Kelmendi