1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Libia, hyrja për terroristët e IS-it në Afrikën e Veriut

Diana Hodali15 Korrik 2015

Libia është në luftë civile, rrezikohet nga shpërbërja dhe zgjerimi i IS-it. Në këtë mënyrë terroristët rrezikojnë të gjitha vendet fqinje. Për këtë arsye SHBA do të stacionojë avionë pa pilot në kufirin e Libisë.

https://p.dw.com/p/1FyXx
Fotografi: picture-alliance/Balkis Press

Libia po zhytet gjithnjë e më shumë në kaos dhe dhunë. Milicë nga qytete të ndryshme dhe fise të ndryshme luftojnë me njëri-tjetrin. Se sa i përçarë është ky vend, e tregon edhe fakti se ka dy parlamente rivalizuese. Kryengritësit islamistë qeverisin prej gushtit 2014 në Tripoli, ndërsa parlamenti i njohur ndërkombëtarisht u detyrua ta transferonte qendrën e tij në Tobruk në lindje.

Edhe pse politikanët drejtues nga Libia kanë rënë dakord me ndërmjetësimin e OKB-së për version të ri të marrëveshjes së paqes, duke ushtruar një presion shtesë mbi qeverinë rivale islamike në Tripoli, mungesa e një udhëheqjeje politike qendrore në Libi ka çuar në rritjen e mëtejshme të ekstremizmit.

"Kjo situatë i ka dhënë të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS) shanse për t'u zgjeruar", thotë Günter Meyer, profesor i gjeografisë historike dhe drejtues i Qendrës se Studimeve për Botën Arabe në universitetin e Maincit (ZEFAW). Prandaj SHBA duan ta shtrijnë luftën kundër IS tani edhe në Siri me avionë pa pilotë.

Një rreze shprese: Në Marok partitë politike kanë nënshkruar një plan të ri paqeje për Libinë.
Një rreze shprese: Në Marok partitë politike kanë nënshkruar një plan të ri paqeje për Libinë.Fotografi: picture-alliance/AA/Jalal Morchidi

Shtim i rradhëve me anëtarë nga grupe të tjera terroriste

Triumfet e terroristëve të IS në Libi filluan në tetor të vitit 2014 në provincën verilindore të Darna-s, "qysh në kohën e ish-diktatorit Muammar Gaddafi një bastion i islamistëve", thotë eksperti i Lindjës së Mesme Meyer. Por edhe Sirte, vendlindja e Gadafit, dhe Sabrata, pranë kufirit tunizian, u pushtuan nga IS.

Që atëherë shumë sulme në Libi bëhen nga IS dhe prerja e kokës së 21 të krishterëve. Pjesa më e madhe e ithtarëve të IS në Libi kanë luftuar në Siri dhe Irak. Ata janë kthyer dhe kanë formuar tani shtyllën kurrizore të terroristëve në Libi, thotë Meyer.

Shumë nga ata, që luftojnë në Libi nën flamurin e IS, vijnë nga grupi ekstremist "Ansar al Sharia". "Vajtja e luftëtarëve te IS vazhdon", thotë Günter Meyer. Sepse Libia është stacioni i parë i Afrikës së Veriut për terroristët dhe rrezikon kështu të gjithë Magrebin. IS ka marrë kampet e trajnimit të skenës islamiste, që lulëzonte në lindje të vendit që në kohën e Gadafit, si dhe ka ndërtuar të reja. "Si rekrutimi, trajnimi, ashtu edhe kontrabanda e armëve kalojnë nga Libia", thotë Günter Meyer.

Sepse kufinjtë me vendet fqinje janë të hapur. Prandaj kryeministri Habib Essid deklaroi pas sulmit terrorist në Sousse, se do të ngrejë një mur mbrojtjës 168 km të gjatë në kufirin me Libinë, për të mbrojtur vendin nga ekstremistët.

Por muri duhet t'ua vështirësojë edhe simpatizantëve të IS kalimin nga vendi i tij për në Libi. Tunizianët përbëjnë pjesën më të madhe të luftëtarëve të huaj në IS. Edhe atentatori i Sousse i ishte bashkuar IS dhe ishte trajnuar në një kamp në Libi. Ai u kthye dhe vrau në fund të qershorit 39 turistë.

Libia vend në luftë civile, që rrezikohet të shpërbëhet.
Libia vend në luftë civile, që rrezikohet të shpërbëhet.Fotografi: dapd

Luftëtarë të rinj

Megjithë luftëtarët e shumtë nga Tunizia "shteti islamik" nuk ka bazë të fortë në atdheun e tyre. Udhëheqja e IS dëshiron ta ndryshojë këtë. Dhe duket se organizata terroriste po ia arrin të fitojë për vete një numër gjithnjë e më të madh të luftëtarëve nga vendet fqinje, në konkurrencë me grupet e tjera islamike. Kështu grupi islamik algjerian "Xhund al Khalifa" është ndarë nga grupi terrorist i Al-Kaedës dhe i është betuar për besnikëri kryetarit të IS, Ebu Bekr el-Bagdadi.

"Edhe në Marok ekziston rreziku që IS të zërë vend", thotë Günter Meyer. Sepse Maroku është ndërkohë vend kalimi për terroristët e IS në rrugën e tyre për në Siri. Ai që nuk arrin që të shkojë në Libia, ai fluturon nga Maroku.

Zgjerim i luftës kundër IS?

Për të ndaluar zgjerimin e "shtetit islamik" në Magreb, Shtetet e Bashkuara po planifikonë të ndërtojnë një bazë me avionë të telekomanduar në kufirin me Libinë, njofton Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë të lartë të qeverisë. Me avionët e telekomanduar SHBA donin të krijonin një imazh të aktiviteteve të IS Libi që të eleminonin në këtë mënyrë një "njolle të panjohur" në strategjinë amerikane kundër terrorizmit.

Nuk përjashtohet që avionët e telekomanduar të përdoren për sulme, thuhet në raport. Kështu SHBA do ta zgjeronin ofensivën kundër IS. Deri tani koalicioni anti IS vepron me sulme nga ajri kundër grupit terrorist në Siri dhe Irak.

Se me cilin vend afrikanoverior po negociohet për të ndërtuar një bazë të avionëve të telekomanduar në kufirin me Libinë, nuk dihet deri tani. Eshtë e mundur që SHBA synojnë të përdorin një bazë ekzistuese. Libia kufizohet me Tunizinë, Algjerinë, Egjiptin, Nigerinë, Çadin dhe Sudanin.