Liberalizimi i vizave në rrezik?
6 Nëntor 2012
Komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme znj. Cecilia Malmstrëm, pjesëmarrëse në Forum u shpreh se nga Parlamenti Europian do të tregohet shumë maturi për miratimin e klauzolës për pezullimin e lëvizjes së lirë në zonën Schengen.
Sipas Malmstrëm kjo klauzolë është një amendament në Kodin e Vizave për të gjithë vendet, me të cilat kemi marrëveshje për lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen dhe jo vetëm me vendet e Ballkanit Perëndimor. Nëse kjo masë do të hyjë në fuqi, do të jetë në bazë individuale për çdo vend, masë e cila pas propozimit të Komisionit, do të votohet me shumicë të cilësuar.
Komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme shfaqi dhe opinionin e saj personal se mbetej një mbështetëse e zjarrtë e procesit të liberalizimit të vizave.
Bindja ime dhe e Këshillit është të japim edhe më shumë lëvizje të lirë, jo vetëm për rajonin, por edhe për rajone të tjera të botës. Por në rast se kjo nuk fuksionon sipas parametrave të kërkuar, duhet të ketë edhe një klauzolë pezullimi.
Ministrja e Brendshme e Qipros, vendit që ka Presidencën e rradhës së BE-së, Eleni Mavru, e përshkroi Forumin Ministerial BE-Ballkani Perëndimor, që mbyllet të martën në Tiranë, jo me qëllimin për të vendosur klauzolën e pezullimit të lëvizjes së lirë për vendet e rajonit. Por, sipas saj, ky forum i vlen rritjes së bashkëpunimit mes palëve për të shmangur abuzimet dhe konsolidimin e këtij benifiti në vijimësi, konform parametrave dhe rregullave të kërkuara nga BE-ja.
Duhen forcuar agjencitë e zbatimit të ligjit
Gjatë diskutimit mes pjesëmarrësve në Forumin e Tiranës është folur dhe për kooperimin mes vendeve të rajonit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Agjencitë e zbatimit të ligjit duhen forcuar. Kapacitet e tyre duhen forcuar për një luftë më efikase kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit transnacional, duke përfshirë këtu edhe hetimet financiare. Përpjekje duhen bërë për konfiskimin e aseteve kriminale. Korrupsioni është mjaft i përhapur dhe mbetet shqetësues. Ai pengon hetimin dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe lejon infiltrimin e grupeve kriminale në sektorin publik dhe privat. Të ketë dënime më të ashpra kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, tha Cecilia Malmstrëm.
Në Ministrialin e Tiranës janë prezentë ministrant e brendshëm dhe të drejtësisë nga Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe nga Mali i Zi, zyrtarë dhe përfaqësues nga shtetet e tjera të rajonit dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian.