1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lamtumira e Fidel Kastros - Largohet nga skena udhëheqësi me qëndrimin më gjatë në detyrë

Michael Castritius 19 Shkurt 2008

Një ndër udhëheqësit e fundit socialistë të botës, Fidel Kastro, jep dorëheqjen nga posti. Kastro është i sëmurë qysh prej 18 muajsh dhe deri më sot ia kish dorëzuar detyrat shtetërore të vëllait Raul.

https://p.dw.com/p/D9hb
Fidel Kastro, majtas, dhe i vëllai Raul CastroFotografi: AP

Fidel Kastro, maximo leader, ka qenë gjatë gjithë jetës luftëtar dhe ka rebeluar. Fillimisht kundër të jatit, pronar plantancionesh, i cili shfrytëzonte punëtorët e vet. Më pas kundër diktatorit të Kubës, Batista, i cili shfrytëzonte vendin e vet. Dhe më në fund për disa dekada ai luftoi kundër SHBA-ve. Shërbimi sekret amerikan, CIA, ka tentuar disa herë ta vriste Kastron dhe ka synuar vazhdimisht rrëzimin e regjimit të tij, por Fidel Kastro u mbijetoi të gjithave.

"Atdheu ose vdekja, ne do të fitojmë!" Kjo është parrulla e luftarakut Fidel Kastro. Ai është i pavdekshëm. Vetëm me 113 rebelë të armatosur thjeshtë ai sulmon në vitin 1953 kazermën e dytë për nga madhësia të diktaturës dhe mbijeton.

Pas humbjeve të rënda në vitin 1958 pak pas zbarkimit në Kubë me vetëm 20 shokë ideali Kastro nisi luftën guarrilase kundër diktatorit Batista, edhe kësaj ai i mbijetoi. Dhjetra atentateve, madje sipas të dhënave zyrtare 600 sulmeve, i ka mbijetuar Kastro duke menduar edhe për këtë: "Ky nuk është fat, ata nuk patën sukses dhe tani më shpallin si të sëmurë rëndë ose si të vdekur. Por unë kam vetëm një problem real, se kur një ditë të jem vërtetë i vdekur, askush nuk do ta besojë këtë."

Fidel Castro
Fidel Kastro (Fidel Castro)Fotografi: AP

Fidel Kastro, plot humor dhe sharmant. Thuhet se gratë e duan atë, ndërsa burrat e pasojnë. Të paktën këtë e bëjnë kubanezët e varfër, sepse shtresa më e pasur menjëherë pas revolucionit mori arratinë në SHBA. Më së voni ekzodi u krye në vitin 1961 pasi Kastro revolucionin antifashist përfundimisht e shndërroi në revolucion socialist.

Djali i pasur i një pronari të madh u bë udhëheqës komunist, dyzet vjet më vonë ai vazhdon të udhëheqë si një dinozaur në llojin e vet, ndërsa prej kohësh blloku lindor i përket historisë.

Dhjetë presidentë të SHBA ka përjetuar Kastro në post, e tashmë ai është udhëheqësi me periudhën më të gjatë në detyrë si askush tjetër në botë. SHBA mbeten armiku kryesor i tij. Kërcënimi nga Veriu dhe embargoja e SHBA janë për të fajtorë për ekonominë e mangët, mungesën e energjisë, qytetet në rënim dhe varfërinë. Kushdo që ka shprehur dyshime për këtë ka përfunduar nëpër burgje.

Fidel Kastro, një burrë dhe i gjithë pushteti: njeriu që i solli popullit kujdesin shëndetësor, ushqimet bazë dhe arsimimin, por që njëkohësisht ushtroi ndaj tij shtypjen, arbitraritetin parrullat dhe privimin nga mendimi i lirë.