1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lammert: Më bën përshtypje se sa shumë ka ecur Shqipëria

Anila Shuka9 Maj 2008

Intervistë me presidentin e parlamentit gjerman Norbert Lammert (CDU) në prag të vizitës së tij katërditëshe (10-14.05.08) në Shqipëri.

https://p.dw.com/p/DxYf
Lammert me Topallin në takimin tyre më të fundit në Berlin (2006): "Një miqësi e mrekullueshme"Fotografi: Deutscher Bundestag

DW: Zoti President, Ju të shtunën do të udhëtoni për në Shqipëri ku do të qëndroni gati katër ditë. A nuk është ky udhëtim paksa tepër i gjatë për t'ia kushtuar një vendi kaq të vogël siç është Shqipëria?

Lammert: Është e vërtetë që do të shkoj vetëm në Shqipëri dhe për këtë i kam lënë vetes pak kohë më të gjatë. Zgjati shumë, derisa munda t'i përgjigjem ftesës së homologes sime nga Shqipëria, sepse kisha planifikuar që të mos bëja vetëm një ndalesë të shkurtër, por që bisedat me përfaqësuesit e vendit t'i lidhja edhe me mundësinë për ta njohur më mirë atë. Prandaj edhe gëzohem shumë për këtë vizitë.

DW: Çfarë prisni nga kjo vizitë?

Lammert: Nuk është hera e parë që shkoj në Shqipëri, por është vizita e parë zyrtare, e cila ka si temë edhe thellimin e kontakteve ndërmjet parlamenteve tona. Në se bisedat në Shqipëri do të jenë po aq të përzemërta sa edhe raporti im me zonjën Topalli, gjë që besoj se ashtu do të jetë, atëherë do të jetë një miqësi e mrekullueshme.

DW: Si e vlerësoni ecjen e Shqipërisë gjatë viteve më të fundit?

Lammert: Nga pozita e dikujt që qendron jashtë, duhet të jem i kujdesshëm me paragjykime. E kam shumë mirë në kujtesë, se si Shqipëria për një kohë shumë të gjatë në Evropën Perëndimore ishte prototip i vendit të prapambetur dhe të izoluar në mes të Evropës, madje aq, saqë Shqipëria nuk konsiderohej fare si vend evropian, por si një shembull ekzotik, që kishte dalë nga binarët e historisë. Fakt është që në shumë aspekte Shqipëria ishte me të vërtetë një rast i veçantë, sepse ajo nuk bënte pjesë as në organizatën e atëhershme politike në Evropën Lindore, e as në Evropën Perëndimore. Ajo çka më bën përshtypje të veçantë, është se sa shumë ka ecur Shqipëria në rrugën e kthimit të saj në Evropë. Prandaj edhe përpjekja e përbashkët për një perspektivë të tillë evropiane do të jetë pjesa më e rëndësishme e bashkëpunimit ndërmjet vendeve dhe para së gjithash parlamenteve tona.

DW: Ky ritëm përparimi është pak i ngadalshëm për disa njerëz, po të kemi parasysh raportet e komisionit të BE-së për Shqipërinë. A mendoni ju se shpejtësia e afrimit me BE-në është e përshtatshme?

Lammert: Ne nuk shohim vetëm në rastin e Shqipërisë se pritjet zakonisht zhvillohen më shpejt se ndryshimet përkatëse që sjellin gjendjen e shpresuar. Kjo është një përvojë që jemi duke e bërë edhe në Gjermani. Procesi i riprodhimit të unitetit të Gjermanisë u prit me shpresa të flakta, realizimi i të cilave kërkoi shumë më tepër kohë nga ç'mendonte shumica. Kur kujtoj përvojën e bërë rishtazi me pranimin e anëtarëve të rinj të bashkësisë evropiane, shoh jo vetëm perceptimin përkatës që për disa syresh ka zgjatur shumë derisa u anëtarësuan, por edhe supozimin e përligjshëm se këto vende janë pranuar tepër herët, nisur nga gjendja faktike në secilin prej tyre.

DW: Çfarë do të rridhte nga kjo për vendet e Ballkanit Perëndimor?

Lammert: Përvoja më e rëndësishme individuale është që kushtet për anëtarësim duhet të krijohen nga secili vend vetë. Kjo sigurisht që nuk mund të realizohet nga dikush tjetër. Në anën tjetër, vendet për të cilat ne kemi interes të përbashkët që të luajnë rol në Evropën e së ardhmes, kanë të drejtë të mbështeten në këtë proces. Për këtë është rënë dakord si në aspektin formal ashtu edhe material. Kësaj i shërben Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, ku janë bërë edhe premtime të konsiderueshme financiare për mbështetjen e procesit të reformave. Të dyja nuk do t'i bënim në se nuk do të ekzistonte kjo perspektivë. Por për të dyja vlen se ato nuk i zëvendësojnë reformat, për të cilat ka nevojë vendi.

DW: Bashkimi Evropian sapo i ka ofruar Serbisë Marrëveshjen e Stablizim-Asociimit, megjithëse ajo nuk e ka plotësuar njërin nga kushtet kryesore të BE-së. A nuk shikoni këtu një kontradiktë?

Lammert: Së pari, nuk ekziston askund e njëjta situatë, por po të shohim më me vëmendje, atëherë situata ndryshon nga vendi në vend. Megjithatë duhet të bëjmë dallim mes dy aspekteve, pyetjes parimore, se cilat vende, që sot nuk janë anëtarë të Bashkimit Evropian, mund dhe duhet të anëtarësohen parimisht, duke u bazuar në pozitën e tyre gjeografike, në përkatësinë e tyre historike dhe kulturore; dhe pyetjes së dytë konkrete, se kur janë plotësuar kushtet, për ta vënë në jetë këtë interes. Dhe në këtë pikë, nuk shoh as për Serbinë e as për Shqipërinë ndonjë mundësi për ta lidhur këtë me një afat të caktuar kohor. Aq më tepër tani, kur në vendet anëtare janë rritur rezervat, për të bërë paracaktime të nxituara, pas përvojës që patëm në disa raste gjatë viteve më të fundit.

DW: Sa të mëdha janë shanset që shteti i ri i porsakrijuar i Kosovës do të përparojë, edhe pse një vend fqinj si Serbia thotë, se nuk do ta njohë kurrë atë?

Lammert: Duke u nisur nga historia e Gjermanisë dhe Evropës në shekullin e 20-të, jam shumë i kujdesshëm me çdo frazë që fillon me „gjithnjë“ ose „kurrë“. Unë vërej se qëndrimet në rajonin për të cilin po flasim janë të ashpërsuara, por edhe këtu duhet thënë se palët duhet të qartësohen për ato qëllime të rëndësishme të tyre që kanë më shumë përparësi. Sidoqoftë, ata nuk do të mund t'i kenë të dyja njëherësh, edhe ambicien e theksuar kombëtare edhe perspektivën evropiane.