Löw mbetet trajner i kombëtares gjermane
21 Korrik 2010Trajneri i kombëtares gjermane në futboll Joachim Löw dhe manaxheri i ekipit kombëtar Oliver Bierhoff i zgjatën kontratat e tyre me Federatën Gjermane të Futbollit (DFB) deri në 2012-ën.
Këtë e bëri të ditur DFB-ja (Federata Gjermane e Futbollit) në Frankfurt mbi Main. Sipas saj të dy do të kujdesen për skuadrën gjermane edhe gjatë Kampionatit Evropian në Poloni dhe Ukrainë në 2012-ën.
Edhe kontratat e bashkëtrajnerit Hans-Dieter Flick dhe trajnerit të portierëve Andreas Köpke u zgjatën deri më 31 korrik 2012.
50-vjeçari Löw është pajtuar për zgjatjen e kontratës me Federatën Gjermane të Futbollit deri në vitin 2012, njoftojnë gazetat "Bild" dhe "Süddeutsche Zeitung".
Löw u shpreh: "Kanë kaluar shtatë ditë nga përfundimi i Kampionatit Botëror dhe gjatë fundjavës arritëm një vendim shumë të shpejtë. Unë personalisht me shtabin tim dhe natyrisht me Oliver Bierhoff-in gëzohemi shumë për këtë bashkëpunim të mëtejshëm me DFB-në dhe natyrisht edhe me ekipin."
Autor:dpa/Esat Ahmeti
Redaktoi: Angjelina Verbica