1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

211209 Dutschke 1979

Pandeli Pani28 Dhjetor 2009

30 vjet më parë (24.12.1979) Gjermania humbi një prej figurave të saj të ndritura: Rudi Dutschken, lideri më karizmatik i lëvizjes studentore të viteve 60-të në Gjermani, e cila njihet për qëndrimin e saj antiautoritar.

https://p.dw.com/p/LD1F
Ideologu i Lidhjes Socialiste të Studentëve gjermanë (SDS), Rudi Dutschke
Ideologu i Lidhjes Socialiste të Studentëve gjermanë (SDS), Rudi DutschkeFotografi: picture-alliance/dpa

Lëvizja e studentëve në Gjermani nis një vit përpara 1968. Shkëndija e parë e protestës së studentëve u dha qershorin e 1967-ës, kur studenti pacifist Benno Ohnesorg u qëllua për vdekje nga një polic gjatë një demonstrate në Berlin. Kjo ngjarje konsiderohet në Gjermani si shkëndija për krijimin e opozitës jashtëparlamentare të emërtuar shkurt "APO". Figura qendrore e lëvizjes studentore u bë studenti 27-vjeçar i sociologjisë Rudi Dutschke (Duçke). Dutschke merr pjesë aktive në pothuajse të gjitha protetstat e mëdha të grupimit studentor APO. Edhe në kongresin e Berlinit kundër Luftës së Vietnamit, në shkurt 1967 Dutschke është në krye të aksionit.

Protestat drejtohen jo vetëm kundër SHBA por kundër kapitalizmit në përgjithësi

Dutschke: "Revolucionarizimi i revolucionarëve është kushti vendimtar për revolucionarizmin e masave. Rroftë revolucioni botëror dhe shoqëria e krijuar prej tij, një shoqëri e lirë e individëve kjo dhe jo vetëm e një fshati."

Demostrate me Rudi Dutschken
Fotografi: AP

Rudi Dutschke është i bindur, që SHBA luftën kundër Vietnamit e bëjnë si përfaqësues të sistemit kapitalist. Si rrjedhojë protestat e APO-s drejtohen jo vetëm kundër SHBA, por edhe kundër kapitalizmit në përgjithësi. Studentët simpatizojnë hapur me Vietnamin në demonstratat e tyre. Emri i udhëheqësit vjetnamez Ho Shi Min, për të cilin brohoritej nëpër protetsta shndërohet në një simbol të lëvizjes.

Gazeta "Bild": "Ekstremistë, radikalistë, gardistë të kuq, provokues skandalesh"

Mediet regojnë në përgjithësi me qëndrim refuzues ndaj protestës së studentëve, sidomos në Berlin, ku shtëpia botuese konservatore Axel-Springer ka 70% të tregut. Por edje shtypi i kompanisë Springer, në radhë të parë gazeta bulevardeske "Bild", përdor një gjuhë jo fort joshëse për studentët: "Ekstremistë, radikalistë, gardistë të kuq, provokues skandalesh", këto janë epitetet e gazetës "Bild" në për studentët.

Dy ditë pas demonstratës kundër Luftës së Vietnamit të lëvizjes APO, senati i Berlinit bën thirrje për një manifestim pro-amerikan. Në manifestim marrin pjesë mbi 80.000 vetë. Në valën e këtij manifestimi një student që i ngjan Rudi Dutschke-s sulmohet nga masa. Me shumë mundim policia arrin ta mbrojë atë.

Atmosferë e ndezur në Berlinin e 68-tës

Kjo është atmosfera në Berlin, kur më 11 prill 1968 dikush i flet Rudi Duschke-s në rrugë. Një burrë e pyet atë: "Jeni ju Rudi Dutschke?" Kur ai e pohon këtë burri i ulërin: "Ti qelbësirë, derr komunist!" dhe pas kësaj nxjerr revolverin dhe qëllon. Plumbat e godasin Rudi Dutschke-n në kokë. Një dëshmitar rrëfen: "Ne menduam, se dikush po qëllonte pëllumbat, por më pas pamë një burrë që vraponte e pas kësaj pamë Dutschke-n të shtrirë në tokë. Ai u ngrit në këmbë dhe thërriste nënën dhe babain e tij duke thënë "duhet të shkoj tek berberi", ai eci kështu nja 50 metra dhe pastaj ra në tokë, fjalët e tij të fundit ishin: 'ushtarët, ushtarët.'

Ai rrezatonte të renë, besimin, të gjithë e donin Dutschke-n

Po atë mbrëmje përpara selisë së koncernit botues Axel-Springer në Berlin Kreuzberg u mblodhën mijrëa studentë, që thërrisnin: "Vrasës, Springer!" Tronditja që shkaktoi sulmi ndaj Rudi Dutschke-s, i cili gëzonte simpatinë e opozitës jashtëparlamentare, është e thellë. Publicistja Katharina Rutschky, asokohe shoqe ideali e Rudi Dutschke-s, kujton: "Ai ishte karizmatik dhe dukej si një njeri i pafajshëm, i hapur dhe me karakter. Ai rezatonte të renë, besimin dhe të gjithë e donin Dutschke-n, sepse atij mund t'i besonin."

Atentatori dënohet me shtatë vjet burg. Pas dy vjetësh ai kryen vetëvrasje. Rudi Dutschke u mbijetoi të shtënave dhe plagosjes së rëndë, por vdiq dhjetë vjet më vonë prej pasojave të atentatit.

Ngjarja gjeti jehonë në mbarë RFGJ-në

Sulmi ndaj Rudi Dutschke-s është si një pishtar për opozitën jashtëparlamentare, vë në dukje deputeti i të gjelbërve Christian Strëbele, i cili asokohe protestonte me të tjerët përpara koncernit Axel-Springer: "Kjo ishte një ngjarje, që gjeti jehonë në mbarë federatën. Pas kësaj pati demonstrata në dhjetra qytete gjermane, madje edhe demonstrata të mëdha. Nuk duhet të harrojmë, që Rudi Dutschke ishte i dyti nga radhët e studentëve. Në fakt ne kishim të njëjtën linjë, thuajse një vit përpara tij u vra nga dora e një polici në demonstratën në Berlin kundër Shahut të Persisë studenti Benno Ohnesorg."

Demonstrata ne Berlin
Fotografi: Michael Ruetz

Të shtënat ndaj Rudi Dutschke-s shënojnë një pikëkthese në historinë e APO-s

Pas atentatit ndaj Dutsche-s një pjesë e lëvizjes opozitare jashtëparlamentare u radikalizua. Po në maj të vitit 1968 u demonstrua në mbarë vendin dhe pati trazira të ashpra kundër ligjit të qeverisë për gjendjen e jashtëzakonshme. Dy vjet më vonë shumë antarë të lëvizjes kaluan në ilegalitet duke iu bashkangjitur organizatës terroriste Fraksioni i Ushtrisë Kuqe (RAF). Të tjerë filluan të angazhohen nëpër institucione, parti dhe iniciativa qytetare për ndryshimin e shoqërisë gjermane me mjete demokratike.

Autor: Dorothea Jung / Vilma Filaj-Ballvora
Redaktor: Pandeli Pani