1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Occupy-Camp Frankfurt

22 Tetor 2011

Për fundjavën Lëvizja "Occupy" ka njoftuar se do të ketë protesta të reja. Protestuesit rrinë me çadra para bankave të Frankfurtit. Por i ftohti po vjen dhe program konkret, protestuesit nuk kanë.

https://p.dw.com/p/12whW
Lëvizja "Occupy" në Frankfurt
Lëvizja "Occupy" në FrankfurtFotografi: picture-alliance/dpa

Ka një javë që aktivistë të lëvizjes "Occupy" dolën për herë të parë në shumë qytete të botës nëpër rrugë për protestuar kundër pushtetit të tregjeve financiare. Ajo që nisi në Nju Jork me një çadër para Wall Street-it u kthye në një fenomen global. Edhe në zemrën e botës financiare të Gjermanisë, Frankfurtit është ngritur sipas modelit amerikan një çadër proteste. Banorët e saj sfidojnë të ftohtin dhe vazhdojnë të demonstrojnë - edhe këtë fundjavë.

Banorët e çadrave

Pak pas orës nëntë të mëngjesit ende ka vesë në bar. Shumica e rreth 70 çadrave shumëngjyrëshe të ngritura para lagjes së bankave në Frankfurt mbi Majn janë ende të mbyllura. Banorët e tyre ende flenë. Por para çadrës që shërben si kuzhinë, presin ata që ngrihen më herët për të marrë kafenë. Pas dy tavolinave portative qëndron Luc, një student nga Kanadaja. "Jam në Evropë si turist vetëm çantë shpine. Të shtunën para dy javësh isha në Bernë dhe pastaj në Frankfurt. Unë kam dëgjuar për këtë lëvizje, edhe meqënëse nuk jam në Kananda, mendova që të bashkëpunoj këtu."

Banka Qendrore Evropiane
Banka Qendrore EvropianeFotografi: dapd

Harxhet e protestuasve vijnë nga qytetarët e Frankfurtit

Kjo lëvizje nuk ka zëdhënësin e saj apo një platformë komunikimi në internet. Me bashkëqytetarët në Nju Jork, Madrid, Londër ata takohen përmes Facebookut. Aty bihet në ujdi për datat e protestave të ardhshme në të gjithë botën, pjesa tjetër organizohet në terren. Një burrë rreth të dyzetave hyn në çadër. Ka sjellë 4 çanta me mollë për të mbështetur demonstruesit.

"Këto i kam blerë sepse dua të solidarizohem me ata që demonstrojnë ketu prej ditësh." Luc i shkëlqen fytyra, merr trastat me mollë e i çon aty ku mblidhen rezervat e miellit, salçiçeve, marmalatës, të gjitha me shpenzimet e shumë frankfurtasve që i simpatizojnë demonstruesit.

Aty nga mesdita një burrë i veshur me kostum të zi shikon me vëmendje pllakatet. Ai merr një fletushkë në dorë, shkon në drejtim të kullës gri të punëdhënësit të tij, Bankës Qendrore Evropiane. Bankierin nuk e shqetëson aspak që BQE prej gati dy javësh është rrethuar nga kritikët e tregjeve financiare. "Nuk jam aspak i zemëruar, unë i kuptoj ata. Shikojmë që duhen bërë shkurtime shumë të mëdha tani në Greqi. Ka shumë gjasa që ky moment të vijë edhe këtu. Prandaj është absolutisht e kuptueshme që njerëzit protestojnë."

Lëvizja e re organizohet

Në mesditë grupi protestues ka ftuar mediat në një konferencë shtypi. Prezent janë edhe kritikë të globalizmit dhe Sindikata gjermane. Lëvizja "Occupy" nuk pranon se po përdoret nga sindikatat. "Ne jemi vëllezër në mendje" thotë një përfaqësues i lëvizjes tjetër protestuese të të indinjuarve "Indignados" që nuk do ta përmendë emrin.

"Ne nuk jemi bërë bashkë me sindikatat dhe lëvizjen Attac. Ne e shohim veten në një lëvizje pluraliste. Pikërisht këtu qëndron fuqia." Por ai nuk thotë se të rinjtë e lëvizjes "Occupy" janë të varur nga kontaktet dhe talenti organizativ i profesionistëve të sindikatave dhe Attac. Nga ana e tyre këto organizata përfitojnë nga impulsi i ri i aktivistëve, të cilët për herë të parë ia kanë dalë të mbledhin njerëzit në protesta, që nga koha e fillimit të krizës në Gjermani.

Autor: Friederike Schulze/Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti