1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lëvizja Hizmet, dikur aleate, sot rivale e Erdoganit.

dpa/Angjelina Verbica20 Dhjetor 2013

Në plan të parë janë bastisjet policore dhe akuzat për afera korruptive, por në prapaskënë ashpërsohet lufta brenda kampit islamik në Turqi. Ajo mund të bëhet e rrezikshme për Erdoganin.

https://p.dw.com/p/1AeC3
Konflikt Fethullah Gülen / Erdogan
Fotografi: picture-alliance/dpa/AP

Djem ministrash, dhe biznesmenë të lidhur me qeverinë janë në mesin e të arrestuarve të shumtë për kurrupsion. Mediat turke i cilësojnë arrestimet si sulme të lëvizjes së fuqishme të predikuesit Fethullah Gylen kundër qeverisë. Vetë kryeministri Rexhep Taip Erdogan u befasua nga bastisjet. Në kampin islamik është ndezur një luftë, që mund të bëhet e rrezikshme për partinë në pushtet AKP. Ndër akuzat janë korrupsion për lëshimin e paligjshëm të lejeve të ndërtimit. Planet e ndërtimeve të mëdha në Turqi, sidomos në sheshin Gezi në Stamboll, shkaktuan në verë në mbarë vendin protesta kundër qeverisë. Demonstratat janë fashitur, po tani Erdogani po vihet nën trysni nga një palë, që dikur kanë qenë aleatët e tij. Lëvizja Hizmet e Gylenit e ka mbështetur për kohë të gjatë Erdoganin dhe e ka ndihmuar atë për të ardhur në pushtet.

Protestat në sheshin Gezi në verë
Protestat në sheshin Gezi në verëFotografi: picture-alliance/dpa

Pas akuzave se do ta bëjë Turqinë shtet islamik Gylen u largua nga vendlindja në 1999. Që atëherë ai jeton në SHBA. Lëvizja e tij ka milionë pasues dhe ka shkolla në më shumë se 100 vende, ndër to edhe në Gjermani. Në Turqi pasuesit e Gülenit drejtojnë shumë të ashtuquajtura dershane. Këto janë shkolla, që përgatisin nxënësit për provimet e hyrjes në universitete. Ata nuk janë vetëm një grumbullim i rëndësishëm të ardhurash, por edhe një vend rekrutimi për lëvizjen Hizmet

Rritet përçarja në kampin islamist

Predikuesi 72 vjeçar është besimtar dhe fetar, por në të njëjtën kohë kozmopolit dhe liberal. Gazeta më e madhe turke "Zaman" është pjesë e mediave të kësaj lëvizjeje.

Aleatët e dikurshëm Gylen dhe Erdogan i bashkonte dikr antipatia kundër kemalistëve, pasuesve të themeluesit sekularist të shtetit Mustafa Kemal Atatürk, në politikë dhe ushtri. AKP, e cila i fitoi sërish zgjedhjet në 2010, i dërgoi partitë sekulariste në opozitë. Pushteti i ushtarakëve, që e shohin veten si ruajtës të trashëgimisë së Ataturkut dhe që kanë bërë disa herë grushte shteti, u dobësua jashtëzakonisht prej AKP-së. Shumë oficerë dhe një ish shef i ushtrisë ndodhen në burg.

Që kur kundërshtari i përbashkët duket se është dobësuar, po rritet përçarja ndërmjet predikuesit karismatik dhe kryeministrit gati gati autokrat. Për AKP këto nuk janë lajme të mira. Në mars do të mbahen zgjedhjet komunale, në të cilat partia islamiste konservatore mund ta humbiste Stambollin. Vitin e ardhshëm janë edhe zgjedhjet presidenciale dhe në 2015 ato parlamentare.

Përplasjet mund të bëhen të rrezikshme për Erdoganin
Përplasjet mund të bëhen të rrezikshme për ErdoganinFotografi: Reuters

Mendohet se Gyleni ka ndikim të fuqishëm në polici dhe gjyqësor, gjë që e kanë vënë në dukje edhe bastisjet e fundit. Ata janë

kulmi i luftës ndërmjet kampeve, të cilën kolumnisti Kadri Gürsel e përshkruan si "luftë të hapur". "Ky është në fakt një proces divorci, që bëhet çdo ditë e më i pakëndshëm."

Deputeti i njohur i AKP-së dhe ish futbollisti i njohur Hakan Sükür u largua nga partia. Të trajtosh si armiq pasuesit e lëvizjes Hizmet, të cilët e kanë mbështetur pa u lëkundur AKP-në, nuk është "gjë tjetër veçse mosmirënjohje", tha ai. Pak më vonë ndodhi ajo, që mediat turke e cilësojnë goditje të lëvizjes kundër qeverisë: Arrestimet për afera korruptive.

Erdogan ndodhej në këtë kohë në qytetin Konia, një nga qendrat e AKP-së. Ai vetë nuk i komentoi bastisjet, po deklaratat e tij mund të kuptohen si kërcënim. Erdogan tha se nuk do të përkulet para "aleancave të ndyra" për përçarjen e AKP-së. Ndërkohë në Stamboll janë shkarkuar 14 zyrtarë të lartë të policisë.