1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kuvendi i AAK-s në Prishtinë: Haradinaj rizgjedhet kryetar

Bekim Shehu1 Dhjetor 2008

Në Prishtinë u mbajt Kuvendi i pestë i përgjithshëm i AAK-së, parti kjo opozitare e cila udhëhiqet nga Ramush Haradinaj. Në fjalimet në kuvend nuk munguan kritikat ndaj planit të gjashtë pikësh të OKB-së.

https://p.dw.com/p/G6NT
Ramush HaradinajFotografi: AP

Ramush Haradinaj u rizgjodh kryetar partie pa kundërkandidatë. Ndërsa risia nga kuvendi i së dielës (30.11) i AAK-së, është emri i publicistit të njohur kosovar Blerim Shala, i cili zyrtarisht ju bashkua kësaj partie, madje duke zënë vendin e nënkryetarit të parë të partisë. Haradinaj, kohët e fundit ka ashpërsuar kritikat e tij ndaj udhëheqësve të institucioneve të vendit sidomos pas përkrahjes që i dha KS-it, një plani gjashtë pikësh të Sekretarit të Përgjishshëm Ban Ki Mun që mundëson vendosjen e misionit EULEX dhe ky mision të ketë qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës. Zoti Haradinaj madje ka kërkuar që në Kosovë të krijohet një qeveri siç e quan ai të shpërtimit kombëtar, sepse plani gjashtë pikësh sipas tij, zyrtarizon ndarjen e brendshme të Kosovës në vendbanime shqiptare dhe serbe. Në kuvendin e sotëm të partisë së tij, zoti Haradinaj u përmbajt nga këto kritika, por jo edhe nënkryetari i ri i partisë, Blerim Shala.

Në cilësinë e mysafirit, në punimet e kuvendit të AAK-së ishte edhe presidenti Fatmir Sejdiu. Duke u rikujtuar strukturave udhëheqëse të Aleancës kur ato ishin në pushtet dhe vetë Zotit Shala se të gjithë kanë qenë pjesë e proceseve të deritashme në Kosovë, presidenti Sejdiu u shpreh se sfidat që e presin Kosovën duhen tejkaluar prapë së bashku.

Presidenti Sejdiu, kryeministri Thaçi por edhe udhëheqësit e opizitës janë të vetëdijshëm se kthim prapa nga plani i zotit Ban Ki Mun nuk ka. Tash ata po anagazhohen që të ketë një mobilizim të politikës kosovare në mënyrë që të përshpejtohet kalimi i kompetecave nga UNMIK-u tek institucionet e Kosovës dhe misioni EULEX, duke u munduar që rezoluta 1244 e KS-it, të mos jetë më fuqiplote, por t'i lë vendin Kushtetutës së Kosovës dhe planit të Marti Ahtisarit.