1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kush e ndalon IS?

Një vit pas shpalljes së Kalifatit në Siri dhe Irak Shteti Islamik është më i fortë se kurrë. Megjithë disa suksese të veçuara aleanca multinacionale nuk është në gjendje, të zmbrapsë përfundimisht milicët terroristë.

Kështu e feston IS pervjetorin e parë të krijimit të Kalifatit: Luftëtarët varin një kokë të prerë në portën e fabrikës së një firme gazi pranë qytetit francez Lion. Në Sousse të Tunizisë ata qëllojnë me armë turistët në plazh dhe në Kuvajt hedhin në erë një xhami shiite. Tri sulme terroriste në tre kontinente me një dieferencë prej dy orësh. Mesazhi është i qartë. Ne jemi kudo dhe mund të godasim në çdo kohë.

Kur Abu Bakr al-Bagdadi shpalli para një viti kalifatin dhe e shpalli vetën kalifi Ibrahim, luftëtarët e Shtetit Islamik ishin ende të përqëndruar në Irak dhe Siri. Në mënyrë të rrufeshme ata vendosën nën kontrollin e tyre edhe pjesë të tëra të Irakut verior. Qyteti dymilionësh Mossul ishte gjahu më i majmë. Së bashku me Rakka, qendrën tjetër që ndodhet në Siri, ata krijuan një strukturë gjerë, që mund ta zgjeronin edhe më tej.

Xhihadistë në ekspansion

I vetëshpalluri kalifi Ibrahim, Abu Bakr Al Bagdadi

I vetëshpalluri kalifi Ibrahim, Abu Bakr Al Bagdadi

Sot harta e Lindjes së Mesme ka ndryshuar: IS gjendet ndërmjet territoreve të luftës së përgjakshme në Siri dhe Irakut akoma të destabilizuar. Dhe bërthama e shtetit xhihadist vazhdon të zgjerohet. Në tetorin e kaluar gadishulli egjiptian Sinai e shpalli vetën Kalifat, disa ditë më vonë atij iu bashkangjitën pjesë të Libisë. Me gjithë kërcënimet për shkatërrim IS edhe pas një viti vazhdon të zgjerohet dhe më shumë se kurrë më parë.

"Ne këtë e kemi nënvlerësuar krejtësisht", pohon deputeti i parlamentit irakian Mithal al-Alusi. Në rradhë të parë askush nuk e priste që kaq shumë të huaj do të shkonin për të luftuar me IS. "Ne nuk na e ka marrë kurrë mendja se çfare përmasash do të merrte e gjitha." Që pakënaqësia ishte e madhe dhe që fronti kundër kryeministrit të atëhershëm Nuri al-Maliki zgjerohej, këtë e kanë ditur të gjithë, thotë ai. Alusi është në dijeni edhe për mbështetësit, që ka patur IS në ofensivën në Irakun e Veriut: Anëtarë të partisë Baath- të ish diktatorit Saddam Hussein dhe ish oficerë të ushtrisë së tij. Me ndihmën e xhihadistëve ato dëshrironin të merrnin hak ndaj Nuri al-Malikit, që qeverisi deri në vitin 2014, por janë ndërkohë në pakicë. Prandaj janë përpjekur të distancohen nga IS dhe të afrohen me qeverinë aktuale të Haidar al-Abadi. Por thotë Alusi: "Qeveria i refuzon bisedimet."

Is kontrollon në Irak dhe Siri një territor prej rreth 70 000 km katrorë

IS kontrollon në Irak dhe Siri një territor prej rreth 70 000 km katrorë

Përsëri i forcuar pas humbjeve

Ndërkohë në rang ndërkombëtar disa dhjetëra kombe janë bashkuar për të zbrapsur rreth 35 000 xhihadistët e Kalifatit. Bombarduesit amerikanë kryejnë sulme dhe gllabërojnë çdo ditë 7,5 milionë dollarë. Armët evropiane dhe saudite janë gjithashtu në përdorim. Në tokë ushtria irakiane, milicët shiitë të mbështetut nga Irani, rebelët sirianë dhe njësitë kurde luftojnë kundër luftëtarëve të Zotit. Së bashku ata mund t'u shkaktojnë islamistëve humbje në Kobanen siriano-kurde dhe në Tikritin irakian.

Por në javët e fundit IS e ka rifituar forcën e tij goditëse. Në Ramadi, në kryeqytetin irakian të provincës, luftëtarët e IS, më të pakët në numër, kanë përzënë përsëri njësitë e ushtrisë, për të tretën herë. Në Siri ushtria siriane plotësisht e shkatërruar ia la qytetin e Palmirës xhihadistëve. Ditët e fundit njoftohen përsëri luftime të ashpra në Kobane, edhe Tikriti sulmohet përsëri nga IS.

Superioriteti i xhihadistëve

Për trajnimin e luftëtarëve kurdë Peshmerga Bundeswehri ka dërguar 80 ushtarë në Erbil

Për trajnimin e luftëtarëve kurdë Peshmerga Bundeswehri ka dërguar 80 ushtarë në Erbil

Pse nuk arrihet që të zmbrapset përfundimisht Shteti Islamik? Përgjigja e zakonshme është: IS është një kundërshtar jashtëzakonisht i vështirë, i lëvizshëm, që e zotëron luftën konvencionale, luftën guerile, terrorin dhe propagandën. Këtë e thotë edhe Izadin Sadus gjeneral brigade. Milicët e tij Peshmerga janë vendosur në kodrat mbi Bashiqa, rreth 80 kilometra në veriperëndim të qytetit të kurdëve të Irakut, Erbil. Që nga fillimi i gushtit të vitit të kaluar gjithçka, që ndodhet nën rripin e kodrave, është zonë e Kalifatit. Më parë këtu jetonin së bashku të gjitha grupet etnike të Irakut: kurdë, arabë, turkmenë, jazidë, asirianë dhe shabak - dhe tani pothuajse vetëm xhihadistë.

Kur IS përparoi nga Mosuli në territoret e kurdëve, Peshmergat u tërhoqën dhe me to u larguan edhe banorët e qyteteve. "Ne nuk kishim përgatitje të mjaftueshme dhe as pajisje të mjaftueshme ushtrake", thotë gjeneral brigade Sadus. Kjo do të ndryshojë tani. Me armët gjermane dhe me trajnerët ndërkombëtarë ata përgatiten çdo ditë e më mirë. Megjithatë përsëri ka një raport të pabarabartë. Gjenerali i Peshmergës tregon kufirin me Kalifatin tre kilometër më tej. "Ne kemi krijuar ledhe, llogore, për të forcuar pozicionet tona“, shpjegon ai. "Por ata matanë kanë mina dhe lëndë shpërthyese TNT.“ Më shumë se 1500 luftëtarë Peshmerga kanë humbur ndërkohë jetën.

Kundërshtarë të dobët të IS

Navid Kermani: Duhet t'ia heqim mbështetjen terrorit

Navid Kermani: "Duhet t'ia heqim mbështetjen terrorit"

Përse bilanci në luftën kundër IS është kaq i dobët, për këtë ka edhe një tjetër arsye. Shteti Islamik është aq i fortë, sa ç'e lejojnë kundërshtarët e tij. "Ne do ta mundim terrorin vetëm atëherë, kur t'ia heqim mbështetjen“, shkruan gjermano-iraniani Navid Kermani në librin e tij të sapobotuar "Ndërmjet Koranit dhe Kafkës". Përgjegjësi të veçantë mbajnë ato, në emër të të cilëve ushtrohet dhuna.

Për përgjegjësi as bëhet fjalë në rajon, përkundrazi, shtypja, poshtërimi, sundimtarët arbitrarë dhe autoritarë për dekada të tëra kanë bërë që të rriten braza të traumatizuar dhe të gatshëm për dhunë. Ekzekutimet publike, heqjet e kokave, vrasja me gurë dhe prerja e dorës nuk janë vetëm praktika ndëshkimi të shtetit të Kalifatit, por edhe në Arabinë Saudite, Iran dhe Irak në kohën e Sadam Huseinit.

"Që kur është rrëzuar Sadami, ne kemi terror", thonë Foadi dhe Ibrahimi. "Fillimisht kanë qenë amerikanët, që arrestonin dhe torturonin, pastaj Al-Kaida dhe tani është IS." Të dy të rinjtë irakianë nuk duan të kthehen më në ushtri, nuk duan të luftojnë më për një vend, që de facto nuk ekziston më. Ata nuk i respektojnë politikanët, që mendojnë vetëm për vete, që vetëm zihen me njëri-tjetrin dhe mbushin xhepat e tyre. Dhe ata nuk duan të humbasin jetën në një luftë për interesat e të tjerëve ndërmjet fuqisë rajonale shiite Iranit dhe Arabisë Saudite sunite. Foad është shiit, Ibrahim sunit. Të dy duan të ikin në Evropë.