Kuranet e salafistëve alarmojnë autoritetet
13 Prill 2012"Vetëkuptohet që nuk kemi asgjë kundër Kuranit", theksojnë në Entin Federal për Mbrojtjen e Kushtetutës. Mirëpo, personat që shpërndajnë falas te të interesuarit në zonat e këmbësorëve librin e shenjtë të fesë myslimane janë nën vëzhgimin e rreptë të organeve gjermane të sigurisë.
Konkretisht po mbikëqyret organizata "Besimi i vërtetë", e cila bën pjesë te salafistët islamikë radikalë. Grupi përreth predikuesit nga Këlni Ibrahim Abu-Nagie ka porositur e shtypur në një shtypshkronjë gjermane 300.000 ekzemplarë kurani në gjuhën gjermane. Paralajmërimin se do të shpërndahen miliona ekzemplarë kurani Rauf Ceylan, sociolog universitar i fesë, e konsideron megjithatë vetëm mjet propagandistik: "Grupimi kërkon vetëm të tërheqë vëmendje dhe të krijojë kështu kontakte të reja", është vlerësimi i Ceylan-it.
Kurani po keqpërdoret prej ekstremistëve
Pikërisht ky zell misionimi i tremb autoritetet e sigurisë. Ato druajnë se para së gjithash të rinjtë mund të jenë cak rekrutimi i predikuesve radikalë të urrejtjes. "Njerëzit që janë të pasigurt apo në kërkim të kuptimit për jetën janë shpesh pre e lehtë." Thjeshtësimi i besimit nëpërmjet ndalimeve dhe lejeve të qarta ka efekt veçanërisht tërheqës, tregon një ekspert i Entit për Mbrojtjen e Kushtetutës në landin e Bremenit. Se ç'dëm mund të shkaktojë kjo është parë në rastin e terroristëve të radikalizuar gjermanë, të ashtuquajturit "Grup i Sauerland-it", thotë ai. Të rinj në moshën midis 23 dhe 30 vjeç patën punuar për të prodhuar bomba për atentate në RFGJ, përpara se të arrinin të arrestoheshin në momentin e fundit.
Ndërkohë, shumë xhami dhe ambiente grumbullimi të rreth 2.500 salafistëve që vlerësohen si radikalë në Gjermani mbikëqyren rregullisht. Sipas njohurive të mbrojtësve të kushtetutës, shumë salafistë mbrojnë pikëpamje që nuk mund të përputhen me ligjin themeltar gjerman.
Jo të gjithë salafistët janë ekstremistë
Mbrojtja e kushtetutës konstaton në raportin e saj: "Salafistët ekstremistë e shpërfillin barazinë mes burrit dhe gruas dhe refuzojnë demokracinë e të drejtat e njeriut. Sipas përfytyrimeve të tyre fundamentaliste, shoqëria perëndimore duhet te kthehet në përgjithësi në teokraci. Si dëshmi për atë sesa të rrezikshëm janë salafistët ekstremistë, të zjarrtë për të misionuar, organet e sigurisë vënë vazhdimisht në dukje që të gjithë terroristët e 11 Shtatorit ishin të ndikuar prej salafistëve.
Salafistët orientohen në të vërtetë vetëm te islami i hershëm i shekullit VII, modeli fillestar i islamit. Jeta e tyre bazohet krejtësisht në kuran. Por në këtë mes për salafistët nuk ka interpretim simbolik. Salafistët fundamentalistë reklamojnë për vete monopolin e interpretimit të kuranit. "Kush merret nga afër me kuranin dhe gjuhën e tij, e di sesa problematike është kjo, sepse ka shumë mundësi interpretimi", thotë sociologu i fesë Rauf Ceylan. Shumë myslimanë besimtarë e pohojnë gjykimin e Ceylan-it.
Shpërndarja e kuranit është e ligjshme
Sipas kushtetutës, në Gjermani ka liri besimi. Këtu bën pjesë edhe e drejta për të bërë reklamë për pikëpamjet fetare ose për të ofruar edhe predikime në internet, për aq kohë sa ato nuk bëjnë thirrje për vepra dhune. Aq më pak nuk është vepër penale shpërndarja e shkrimeve fetare. Grupimi salafist "Besimi i vërtetë" shpërndan vetëm ekzemplarë kurani, pa kurrfarë komentimi. Fillimisht kjo e bën aksionin të pakontestueshëm. Megjithatë, kritikuesit e aksionit pyesin se me çfarë komentesh shpërndahen ndër të interesuarit ekzemplarët e kuranit.
Autor: Wolfgang Dick / Elert Ajazaj
Redaktoi: Esat Ahmeti