1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kur poetët dalin në barrikada

Birgit Görtz / Pandeli Pani18 Dhjetor 2013

Në protestat në Ukrainë marrin pjesë edhe shumë artistë. Intelektualët në Ukrainë janë megafonë të shoqërisë dhe protestojnë për ndryshime në sistemin politik.

https://p.dw.com/p/1AbXf
Fotografi: DW/T.Davydenko

"Ajo që më pëlqen shumë në Ukrainë është se njerëzit tani thonë, nuk kam kohë se do të shkoj në demonstratë", thotë Max Czollek, një poet i ri nga Berlini. Ai ishte në fund të verës me një bursë në Chernivtsi, një qytet i vogël në Ukrainën Perëndimore, i cili është mjaft i njohur tek dashamirësit e poezisë lirike. Me miqtë e tij ai mban kontakt përmes rrjeteve sociale, për shkak se ata tani nuk kanë kohë për telefonata. "Të gjithë shkrimtarët që njoh janë në Kiev, edhe në qoftë se jetojnë diku tjetër apo studiojnë jashtë vendit. Ata janë të gjithë në Maidan. Miku im i mirë, Andrij Ljubka thotë, nuk ka asnjë autor serioz që nuk është tani në Kiev." Ljubka është një nga ata poetë të rinj, vetëm 26 vjeç, i cili ka kohë vetëm pak për telefonata.

Max Czollek
Max CzollekFotografi: DW/B.Görtz

Pranë njerëzve

As poeti Serhij Zhadan, lindur në vitin 1974, nuk rri dot para skrivanisë. "Në qoftë se njerëzit me të vërtetë duan ndryshim në këtë vend, ata duhet të kuptojnë se ne mund ta arrijmë këtë vetëm nëpërmjet rezistencës aktive" thotë me bindje Zhadan, shumë nga veprat e të cilit janë përkthyer në shumë gjuhë. Ai qe një nga intelektualët drejtues edhe në vitin 2004 gjatë Revolucionit Portokalli.

Serhij Zhadan
Serhij ZhadanFotografi: Janchuk

Intelektualët në Ukrainë gëzojnë një emër krejt të ndryshëm se në Gjermani. Ata janë megafonë të shoqërisë, thotë Max Czollek. "Këtu në Gjermani nuk bashkohen njerëzit as për të nënshkruar një peticion. Është e vështirë të imagjinohet që autorët gjermanë të mblidhen në sheshin Oranienplatz në Berlin dhe të protestojnë aty bashkë me refugjatët." Fjala është për rreth njëqind refugjatë, kryesisht nga vendet afrikane, që po demonstrojnë për më shumë se një vit kundër politikës gjermane të azilit fillimisht tek Porta e Brandenburgut dhe tani në lagjen Kreuzberg në sheshin Oranienplatz. Në Gjermani nuk ka autorë që të jenë edhe intelektualë të angazhuar, mendon Czollek, i cili thotë se sa i përket angazhimit politik të qytetarëve dhe të intelektualëve Ukraina dëshmon që është më afër idealeve evropiane të pjesëmarrjes dhe të shoqërisë civile se shumica e shteteve në qendër të Evropës.

Ndryshimet kozmetike nuk janë të mjaftueshme

Serhij Zhadan thotë se njerëzit në Ukrainë duan ndryshime të thella në sistemin politik. "Nuk është e mjaftueshme të zëvendësohet një kryeministër me një tjetër, të shkarkohet një ministër i Brendshëm, dhe të zëvendësohet me një shok të tij." Kjo lloj politike e privon vendin dhe popullin nga të gjitha mundësitë e zhvillimit." - thekson Serhij Zhadan.

Buchcover Hymne der demokratischen Jugend

Zhadan mendon se urkrainasit janë në një proces të maturimit politik. Ata po e kuptojnë se "problemet nuk mund t'ia japin dikujt që t'i zgjidhë, sidomos jo politikanëve. Njerëzit duhet të marrin pjesë në mënyrë aktive në fatin e vendit duke marrë pjesë vetë dhe vazhdimisht."

"Shumica e qytetarëve duan ndryshimin. Ata duan të jetojnë në një Ukrainë tjetër." - thotë Serhij Zhadan. Pra fjala nuk është vetëm për ndryshimin e kulturës politike, por edhe se ç'drejtim do të marrë Ukraina, drejt BE-së apo drejt Rusisë? Integrimi evropian është shkak për zhvillimet poltike në Ukrainë.

Duke folur për Ukrainën Max Czollek thotë: "Po në Gjermani çfarë duhet të ndodhë që njerëzit të dalin në rrugë për të protestuar? Ndoshta duhet që të na pllakosë kriza ekonomike?" Ai është i bindur se atëhere njerëzit edhe në Gjermani do të dilnin në rrugë për të protestuar për bindjet e tyre politike.