1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zhurmë shurdhuese natën e ndërrimit të viteve

Gudrun Heise1 Janar 2015

Zhurmë shurdhuese, fishekzjarre që shpërthejnë dhe të tjerë që bëjnë zhurmë. Natën e ndërrimit të viteve ka më shumë se ç'duhet. Vërtet është bukur por mund të dëmtojë në mënyrë masive edhe dëgjimin.

https://p.dw.com/p/1EDeP
Fotografi: imago/Michael Schulz

"Çdo vit kemi në klinikë njerëz që kanë pësuar dëme të pakthyeshme të dëgjimit deri në shurdhim. Në të vërtetë duhet t'i paralajmërojmë të gjithë dhe t'u lutemi që të kenë sa më kujdes me fishekzjarret natën e ndërrimit të viteve", thotë profesor Tobias Moser nga Universiteti i Göttingen. Mjeku specialist otojatër dhe ekipi i tij merren në radhë të parë me nivelet e ndryshme të zhurmës dhe mekanizmat qelizorë që shpërndajnë tingullin. Veshi është në gjendje të dallojë një spektër gjigant nivelesh të ndryshme të tingullit.

Si dëgjojmë, çfarë dëgjojmë?

Një valë tingulli që ndesh me daullen e veshit e bën atë të dridhet. Si valë trysnie këto dridhje përcillen në vesh dhe në fund vala e trysninë vë në lëvizje qimëza fare të vogla. Ato gjenden në të ashtuquajturat qeliza të qimeve. Ato i transformojnë lëvizjet e qimëzave në sinjale lëndësh mesazhi, të cilat në fund i përcillen trurit si impulse nervore.

Sound
Fotografi: Fotolia

Në vesh realizohen arritje shumë të mëdha, thotë studiuesi. "Fjala është se si tingullin ta përkthejmë në një sinjal nervor me një precizion kohor më të vogël se një të mijtën e sekondës. Dhe kjo për orë të tëra, për ditë me radhë dhe në fakt vazhdimisht dhe me të njëjtat qeliza qimesh dhe të njëjtat qeliza nervore." Për kërkimet e tyre Moser dhe ekipi i tij këtë vit kanë marrë çmimin e njohur në programin e Gottfried Wilhelm Leibniz të Bashkësisë Kërkimore Gjermane.

Kur pëlcet e kërcet

Zhurma e fortë e fishekzjarreve që pëlcasin natën e ndërrrimit të viteve mund të dëmtojë rëndë veshin e brendshëm të ndjeshëm në funksionin e tij aq të përsosur. Mund të ndodhë një traumë tingulli dhe një humbje akute e dëgjimit. Një traumë e tingullit ndodh kur ka impulse shumë të shkurtra tingulli me më shumë se 135 decibel (dB). 140 dB është niveli i zhurmës që dëgjojmë kur një avion fluturon rreth 30 metra larg. Në rastin e fishekzjarreve publike ka raste që maten nivele të larta deri në 190 dB. Kjo mund të dëmtojë rëndë qelizat e qimeve dhe të shkaktojë një shurdhim të veshit të brendshëm. Kjo prek para së gjithash tonet me frekuencë të lartë prej rreth 4000 herc.

Tinnitus Symbolbild
Fotografi: Fotolia/Alexander Raths

Ritual i përvitshëm

Sipas vlerësimeve në gjithë Gjermaninë natën e ndërrimit të viteve më shumë se 8.000 vetë pësojnë dëmtime në dëgjim, ndër ta shumë të rinj. Ata shpesh nuk janë të ndërgjegjshëm për rrezikun. Për ta është e rëndësishme që në mbrëmjen e ndërrimit të viteve të pëlcasë e kërcasë me sa më shumë fuqi. Numri i fëmijëve dhe të rinjve që duhet të mbajnë aparat dëgjimi sipas të dhënave të një arke publike sigurimi në Gjermani (DAK) është rritur fort vitet e fundit, rreth 38 për qind. Sipas studimit të arkës së sigurimit humbja e dëgjimit ka pjesërisht si shkak MP3-Player por ka edhe raste dëmtimi për shkak të fishekzjarreve. Një zhurmë e fortë e vetme mund të mjaftojë. Dhe të tilla ka më shumë se duhet natën e ndërrimit të viteve. Tobias Moder ka një recetë të thjeshtë për t'u mbrojtur: "Natën e ndërrimit të viteve nuk dal kurrë nga shtëpia pa mbrojtës për veshët."

Silvester 2012 Neujahr 2013 Berlin
Fotografi: Getty Images