1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kur migracioni të sëmur

Michael Reitz1 Shkurt 2007

Metoda të reja terapie në Mynih për migrantët

https://p.dw.com/p/AsCu
Mundësitë për terapi shpesh nuk njihen nga migrantët
Mundësitë për terapi shpesh nuk njihen nga migrantëtFotografi: AP

Kombet e Bashkuara flasin për migracion kur dikush kalon më shumë se një vit larg vendlindjes. Arsyet janë shpesh dëshira për mbrojtje dhe mbijetesë, për sigurimin e jetesës por edhe për integritet shpirtëror. Në Gjermani kjo kategori njerëzisht në nevojë përbën ndërkohë dhjetë deri tridhjetë përqind të pacientëve. Mjekët dhe personeli sanitar gjenden përballë kërkesave të cilat tejkalojnë përgatitjen profesionale tradicionale psikiatrike. Një projekt pilot i klinikës universitare të Mynihut kërkon t'i vijë në ndihmë personelit mjekësor.

Qoftë kur familjet e migrantëve kërkojnë vetë ndihmë, qoftë kur dërgohen nga instanca të tjera, punonjësit e shërbimeve psikiatrike apo psikologjike gjenden shpesh përpara një numri problemesh. Në këtë kuadër rol qëndror nuk luajnë vetëm dallimet në perceptimin e shëndetit dhe sëmundjes të kushtëzuara nga sfondi kulturor. Shpesh imigrantëve u mungon vetëdija për situatën ku ndodhen, të cilën e perceptojnë vërtet si të rëndë por jo si shkak sëmundjeje. Një tjetër problem është mungesa e orientimit të shumë të huajve në sistemin gjerman të shëndetit.

Kjo ishte disa vjet më parë edhe përvoja e sipërmarrësit turk Murat Balik kur u vendos në Gjermani: "Unë isha në Gjermani vetëm, pa familje pra, pa miq dhe pa mjedisin me të cilin isha mësuar. Dhe papritur fillova të ndihesha vetëm në Gjermani, në vendin e huaj, megjithëse me kalimin e kohës krijova edhe këtu shoqëri. Megjithatë vazhdoja të ndihesha i injoruar. Këto ishin shkaqet e problemeve shëndetësore. Unë vuaja nga një ulcer gastrike dhe fillimisht mjekësia tradicionale nuk më ndihmoi. Të gjesh rrugën tënde në vend të huaj është vërtet e vështirë. U përballa me probleme psiqike të cilat në fillim nuk isha në gjendje t'i përballoja vetë."

Murat Balik kishte shqetësime të rënda psikosomatike të shkaktuara nga kontrastet mes dy kulturave të ndryshme. Ai u operua disa herë nga stomaku por shqetësimet nuk morën fund. Kjo gjendje vazhdoi derisa miqtë gjermanë dhe gruaja e tij e këshilluan t'i drejtohej psikoterapisë. Ata i treguan se si shkohet deri atje. Murak Balik u shërua por çfarë ndodh me migrantët për të cilët sistemi shëndetësor gjerman është po aq i huaj sa gjuha e re që duan të mësojnë? Cilat janë vështirësitë me të cilat përballen mjekët dhe personeli sanitar?

Profesor Rainer Frank, shef në repartin e psikiatrisë për fëmijët dhe të rinjtë në Klinikën Universitare të Mynihut, shpjegon problematikën: "Kërkesë e vëçantë në këto raste është të njihesh me të kaluarën e jetës dhe kulturat përkatëse të njerëzve për të përfshirë në trajtimin mjekësor përfytyrimet e pacientëve. Ky është një proces mjaft kompleks. Këtu në Mynih kemi një shembull shumë pozitiv. Një klinikë ka hartuar një udhëzues për komunikimin ndërkulturor me pacientët myslimanë në spital dhe klinika private. Eshtë konstatuar se nëse përgatitet personel i kualifikuar dhe kërkohet ndihma e përkthyesve trajtimi ka rezultate më të mira dhe në fund edhe kostot janë më të ulëta."

Projekti i hartuar në Mynih me mbështetjen e klinikës universitare parashikon institucionalizimin e kontakteve me bashkësitë e migrantëve dhe përfaqësuesit e tyre. Veç kësaj personeli mjekësor duhet përgatitur më mirë sa i takon sfondit kulturor të të prekurve. Kështu imigrantët shpesh druhen se shqetësimi më i vogël psiqik mund të bëhet shkas për t'i mbyllur në klinika psikiatrike. Objektivi i mjekëve në Mynih është: në rradhë të parë sqarim mbi sistemin shëndetësor gjerman si dhe një harmonizim më i mirë mes ofertave të mjekësisë psikiatrike me nevojat e imigrantëve dhe refugjatëve.

Nevojën e këtyre masave Murak Balik e kupton sa herë flet me kolegë turq apo iranianë të cilët ndodhen në të njëjtën gjendje të mjeruar si ai vetë disa vjet më parë: "Duhet patjetër të egzistojë një zyrë e tillë koordinimi ku të ketë dhe bashkëkombas dhe ku alternativat e terapisë të shpjegohen në gjuhën amtare. Kur flas me bashkatdhetarët e mi dhe u them se kanë nevojë për terapi më përgjigjen se nuk janë të çmendur dhe nuk duan të mbyllen në psikiatri."