1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kundër frymës së Shengenit - Parlamenti Evropian miraton një rezolutë kundër kontrolleve kufitare

8 Korrik 2011

Vendimi i Danimarkës për të ashpërsuar kontrollet kufitare në BE ka shkaktuar kritika në shumë vende anëtare të BE. Të enjten (7.7.), Parlamenti Evropian debatoi për temën dhe miratoi një rezolutë.

https://p.dw.com/p/11rBs
Presidenti i Komisionit Evropian, Barroso kritikoi ashpër Danimarkën
Presidenti i Komisionit Evropian, Barroso kritikoi ashpër Danimarkën per shkak te kontrolleve kufitareFotografi: dapd

Debati për kontrollet kufitare në BE tërhoqi kundërshtarët e Evropës pranë mikrofonëve të sallës plenare të Strasburgut. Deputeti hollandez, Daniel van der Stoep i mbrojti kontrollet kufitare daneze. Ai është anëtar i partisë së populistit të djathtë Geerd Wilders, Partisë së Lirisë.

"Futja e kontrolleve në kufi është një mjet i suksesshëm për të penguar që elementë të padëshiruar të kalojnë kufijtë. Një shtet sovran është i detyruar që t'i mbrojë interesat e popullit të tij."

Van der Stoep vazhdoi që pranimi i shteteve të tjera në zonën e Shengenit bëri vetëm që kriminaliteti nga jashtë të depërtojë në vendet e pasura të Evropës Perëndimore. Më i qartë qe William Dartmouth nga Partia e Pavarësisë e Britanisë së Madhe: jo vetëm eurozona, por edhe zona e Shengenit për të ndodhet afër fundit:

"Janë shtetet nacionale ato që mund ta qeverisin më mirë veten. Udhëheqja e BE konfirmoi përbashkësisht se ajo nuk është në gjendje ta bëjë këtë."

Deputeti gjerman i CSU-së, Manfred Weber e mbrojti Shengenin- jo pa kritikuar shefat e shteteve dhe të qeverive, të cilët vendosën që shtetet t'i kryejnë në të ardhmen kontrollet në mënyrë më të thjeshtë. Më tej ai kritikoi edhe kancelaren Merkel:

"Kur dëgjova këto deklarata të personaliteteve tona drejtuese, unë mendova, sa larg kemi shkuar? Që është një sukses kur tashmë e mbron Shengenin. Një gjë e vetëkuptueshme, të cilën ne e kemi krijuar në Evropë, papritur kthehet sërish në temë diskutimi."

Heqja e kufijve shton sigurinë

Weberi i bëri thirrje politikës, që t'u bëjë të qartë njerëzve, se kontrollet kufitare nuk sjellin më shumë siguri.

"Unë jetoj në Bavari, pranë kufirit gjermano- çek. Atje siguria është shtuar që kur i kemi hequr kontrollet kufitare, sepse ne bashkëpunojmë me autoritetet çeke."

Kjo kryhet përmes këmbimit të të dhënave, për shembull me anë të sistemit të informacionit të Shengenit, të një banke të dhënash të përbashkët të policisë të të gjitha shteteve anëtare të Shengenit. Weberi kritikoi edhe Komisionin. Në rastin e Danimarkës, Komisioni argumenton në formë juridike, pra mbi bazën e marrëveshjeve, por jo politikisht. Më tej shkoi Cornelia Ernst e partisë "E Majta":

"Kur qeveria daneze vendos kontrolle të përhershme në kufijtë me Suedinë dhe Danimarkën, atëherë kjo është shkelje e marrëveshjes, dhe unë pres nga Komisioni që të mos bëjë gjë tjetër, përveç vënies së emrit që ka të kësaj që ndodh."

Megjithë kundërshtitë, Komisioni miratoi një rezolutë të përbashkët. Në të thuhet se Parlamenti Evropian shpreh keqardhjen e madhe, se disa shtete anëtarë duan të rifutin kontrollet e kufijve. Vërshimi i refugjatëve nuk e justifikon rifutjen e kontrolleve. Në vjeshtë do të miratohen rregulla konkrete nga Komisioni, të cilat të përcaktojnë se në ç'kushte do të lejohen sërish kontrollet kufitare.

Autor: Christoph Prößl/ Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti