1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kuba dhe sanksionet: "Ushqim po, liri jo"

Do të duhet të shfuqizohet embargoja e Shteteve të Bashkuara kundër Kubës pas 50 vitesh? New York Times ia rekomandon këtë Obamës. Por rezistenca e kundërshtarëve është e madhe.

"Nuk iu besoj këtyre tipave", thotë Rafael Hernandez duke parë Fidel Castron dhe vëllain e tij Raul. Si shumë kubanezë të tjerë në mërgim edhe Hernandez braktisi vendlindjen në vitin 1960 për te ardhur në Miami, menjëherë pas marrjes së pushtetit nga Fidel Castro dhe partia e tij komuniste.

Hernandezit i duhet të luftojë me emocionet, teksa mban timonin e taksisë së tij. "Po qe se do më pyesni: Castro duhet të vdesë", thotë ai dhe i drejtohet një pasagjeri. "Do të ishte më mirë për njerëzit", i përgjigjet ai pyetjes, nëse duhet të hiqet embargoja kundër Kubës, e vendosur 50 vjet më parë nga presidenti i atëhershëm John F. Kennedy. Pastaj një fjali, e cila bën të qartë të gjithë dilemën e shprehur në debatin, që ndezi New York Times me heqjen e embargos: Po qe se sanksionet do të shfuqizoheshin, njerëzit "do kishin ushqim, për të pirë, por nuk do të kishin liri."

Prof. Jaime Suchlicki nga Instituti i Kubës për Studime Kubanezo-Amerikane në Universitetin e Miamit e ngre lart çmimin për heqjen e sanksioneve: Së pari kubanezët duhet të lirojnë Alan Gross. Ndihmësi amerikan për zhvillimin ndodhet prej pesë vitesh në burgun kubanez. "Përveç kësaj ata duhet të hapin internetin, me qëllim që të gjithë kubanezët të kenë mundësi informimi. Ata duhet të hapin ekonominë, të lejojnë partitë politike, të respektojnë të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes." Po qe se këto nuk ndryshojnë nuk ka arsye për politikën amerikane të ndryshojë, mendon politologu me origjinë kubaneze.

Arian Rodriguez: Kubanët vuajnë

Arian Rodriguez: "Kubanët vuajnë"

Jo shumë larg nga instituti i Prof. Suchlicki punon Arian Rodriguez në "Palace", një lokal i homoseksualëve pranë plazhit "Miami Southbeach". "Kemi qenë në Kubë dhe kemi parë se si kanë ndikuar në jetën tonë sanksionet, prandaj dhe ikëm që andej. Para gjashtë vitesh Ariani erdhi me nënën në Miami. Pjesa tjetër e familjes ka qëndruar me njerkun në Kubë.

Sanksionet nuk sjellin ndryshim

Njerku i Arianit është aktivist për të drejtat e njeriut dhe ka qëndruar pesë vite në burg. Familja e tij e ka ndjerë drejtpërdrejt shtypjen nën regjimin e Castros. Megjithatë ai mendon "se të vetmit njerëz që vuajnë drejtpërdrejt nga sanksionet janë kubanezët. Sanksionet ekzistojnë prej shumë vitesh dhe ato nuk kanë sjellë asnjë ndryshim, pra çfarë kuptimi kanë ato?"

Sipas tij ekziston edhe një arsye tjetër për heqjen e sanksioneve. "Qeveria kubaneze nuk do të ketë më asnjë justifikim për gjendjen e mjerueshme." Shumica e të rinjve kubanezë mendojnë kështu. Më të moshuarit janë më shumë për ruajtjen e sanksioneve. Këtë e konfirmojnë edhe sondazhet më të fundit.

Ndërkohë një kubaneze që punon në një hotel të Miamit, SLS nuk janë informuar mbi debatin për heqjen e sanksioneve." Mimi Franco dhe Mary Costa bëjnë një pushim të shkurtër. Për Mimin Kuba është e huaj: "Nuk ia kam idenë për Kubën, jam amerikane, kam lindur dhe jam rritur këtu." Ndërsa Mary Costa është nga Meksika, por është martuar me një kubanez: "Kur vijnë këtu ata nuk duan t'ia dinë më për Kubën." Sipas saj "njerëzit nuk besojnë tek ndryshimet, as tek Fidel dhe Raul Castro."

E këtij mendimi është edhe Ana Quintana nga Fondacioni i Uashingtonit "Heritage Foundation". Shumë vetë e quajnë këtë thjesht fasadë. Sipas ekspertes politika amerikane duhet të mbetet e orientuar tek "të drejtat e njeriut". Motoja e saj "tregti e lirë - vetëm me njerëz të lirë."

Të hiqet embargoja

John Hemingway pret më shumë nga SHBA

John Hemingway pret më shumë nga SHBA

John Hemingway, nipi i shkrimtarit të famshëm, njeriu që jetoi për një kohë të gjatë në Kubë, Ernest Hemingway nuk mendon kështu. Sipas tij SHBA bëjnë tregti edhe me Kinën dhe Arabinë Sauditë. "Pas 50 vitesh ka ardhur koha që embargoja të hiqet dhe të pranohet që të dyja vendet ekzsitojnë dhe i rregullojnë në mënyra të ndryshme fatet e tyre", thotë Hemingway për Deutsche Wellen. Sipas tij Obama duhet ta heqë embargon, edhe po qe se e anashkalon kongresin.

Njerëzit në Kubë jetojnë në kushte të vështira, thotë Javier gonzales, një 19 vjeçar nga Miami Dade College. "Ata nuk kanë ushqim si ne, nuk kanë ujë të pastër, dhe e marrin atë nga lumi. Kur shohin celularin tim, reagojnë shumë të habitur." Javier ndjek një orë letrare të shkrimtarit Louis Martinez-Fernandez "Historia e Kubës revolucionare."

Shkrimtari Louis Martinez-Fernanadez i pyetur mbi debatin aktual, mendon se ai është shumë sipërfaqësor. Ajo që duhet mënjanuar sipas tij është përmbytja e Kubës me investime amerikane. Sipas tij duhet që Obama dhe Raul Castro të bëjnë një marrëveshje, ku të ketë edhe isa garanci për demokracinë. Por më e rëndësishmja është që "Kuba të mos u shitet amerikanëve".