1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ku humbi "pranvera boshnjake"?

Dragan Maksimoviq/Bahri Cani10 Prill 2014

Protestat në Bosnje-Hercegovinë e kanë humbur entuziazmin nga fillimi i vitit. Kjo shihet edhe nga mënyra e shprehjes së pakënaqësisë me gjendjen në vend por edhe nga fakti që asnjë prej kërkesave nuk është plotësuar.

https://p.dw.com/p/1BfgC
Protetsta në Banja Luka - prill 2014Fotografi: DW/D. Maksimovic

Kur filluan demonstratat në shkurt në Federatën e Bosnje-Hercegovinës (B-H), shumëkush ka menduar se ky mund të jetë edhe fillimi i fundit të gjendjes së rëndë në këtë vend. Qytetarët janë organizuar në plenume, por të gjithë janë të mendimit se ky është rezultati i vetëm i protestave. Analisti Pejo Gashpareviq thotë se nuk është realizuar asnjë prej kërkesave të protestave: "Nuk ka asnjë rezultat konkret. Kjo nuk befason sepse vetë organzimi i protestave ka ardhur në një moment të pavolitshëm dhe ka pasur për qëllim ndryshime politike".

Kërkesat e vjetra dhe përgjigjet e vjetra

Në shkurt njerëzit në mbarë B-H kanë kërkuar kushte më të mira për jetë, luftimin e korrupsionit, rishikimin e privatizimit... Dy muaj më pas, disa dhjetëra boshnjakë ka dalë sërish në protesta. Por përveç paralajmërimeve, asgjë e rëndësishme nuk ka ndodhur. Dy muaj pas fillimit të protestave, ende nuk ka ndonjë formulim të saktë të kërkesave. Fegjo Fajiq nga Mostari i lexoi para pak protestuesve disa kërkesa në llogari të qeverisë së Federatës së B-H: "Dorëheqja e qeverisë, ndërprerja e të gjitha procesve të privatizimit dhe heqja e lehtësimeve për të punësuar njerëz në institucionet publiike, rritja e rrogave, ndërprerja e futjeve në borxhe që kanë për qëllim financimin e shpenzimeve publike."

Këto kërkesa janë dëgjuar edhe para dy muajve, por institucionet ia kanë hedhur përgjegjësinë njëri - tjetrit dhe asnjë prej kërkesave nuk është realizuar. Kryeminisri i Federatës së B-H Nermin Nikshiq tha se qeveria do t'i marrë parasysh këto kërkesa dhe do të veprojë në harmoni me ligjin, ndërsa qytetarët në zgjedhje mund ta thonë mendimin e tyre për punën e autoriteteve të shtetit.

Proteste Landwirte Bosnien und Herzegowina Orasje
Pamje nga protestat në B-H - mars 2014Fotografi: DW/Mirsad Camdzic

Skenarët e mundshëm

Deri tani të gjitha protestat kanë përfunduar vetëm me parulla si: "Jemi të uritur në tri gjuhë", "Do ta gjeni fatin e Sanaderit", "Hajdutë...", "Nuk duhet të heshtim deri sa ata vjedhin"... Por ende nuk dihet nëse do të ketë ndonjë rezultat konkret nga këto protesta. Analistët thonë se ndryshimi i pushtetit në këtë moment nuk do të kishte kurfarë kuptimi, sepse zgjedhjet do të mbahen së shpejti. Nga ana tjetër, kjo do të thotë se duhet pritur deri në vitin e ardhshëm. Gashpareviq ka frikë se as qeveria e re nuk do të sillte ndryshime serioze, ndërkohë që protestuesit e kanë humbur entuziazmin.

Mesazhi për qeverinë e tanishme është që njerëzit do të protestojnë çdo ditë në qytetet e tyre, deri në plotësimin e kërkesave. Por shumë prej tyre as vet nuk janë të bindur se këto kërkesa do të shqyrëtohen seriozisht. Ndoshta vetëm sa për të mbledhur pikë politike, në prag të zgjedhjeve të ardhshme.

Prostetat janë zbehur edhe në RS

Sa i përket Republikës Serpska, pushteti e ka qetësuar opinionin me ngritjen e rrogave prej pesë përqind. Shumë ekspertë thonë se kjo do të ketë pasoja negative, për shkak të deficitit buxhetor. Vetëm veteranët e protestave ende shpresojnë se në RS mund të ketë ndonjë ndryshim. Dushko Vukotiq mendon se protestat duhet të vazhdojnë: "Nëse nuk i plotësojnë kërkesat tona, ne do të shqyrtojmë mundësitë e veprimit të mëtutjeshëm”.

Republika Srpska Parlament 24.02.2014
Parlamenti në Republikën SerpskaFotografi: DW/D. Maksimovic

Deri në zgjedhjet e ardhshme kanë mbetur edhe pak më shumë se gjashtë muaj. Një prej mundësive është që edhe plenumet të kenë kandidatët e tyre për zgjedhje. Por shumica e qytetarëve në B-H nuk pret ndryshime të shpejta.