1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthim i PDR-së së Pollos tek partia mëmë e Sali Berishës

Intervistoi Ani Ruci 7 Gusht 2008

"Ka elementë të rëndësishëm, esencialë që i lidhin dy partitë" - interviste me Tritan Shehun, nënkryetar i Partisë Demokrate të Re

https://p.dw.com/p/EsL2
PDR shpreson se bashkimi me PD-në rrit efikasitetin e së djathtës dhe kështu edhe shanset për të fituar zgjedhjet parlamentare të 2009-ës
PDR shpreson se bashkimi me PD-në rrit efikasitetin e së djathtës dhe kështu edhe shanset për të fituar zgjedhjet parlamentare të 2009-ësFotografi: picture-alliance / dpa

DW: Zoti Shehu, po flitet për një shkrirje të reformatorëve apo Partisë Demokrate të Re, me Partimë Demokratike të Berishës. Ktheheni atje nga ku u larguat plot dhjetë më parë. Çfarë ka ndryshuar, çfarë ju nxit të mos ekzistoni më si parti më vete?

Tritan Shehu: Ka elementë të rëndësishëm, esencialë që i lidhin dy partitë. Dhe ato janë të shumta. Kemi origjinë dhe program të përbashkët në qendrën e djathtë. Së treti është puna e përbashkët në këtë periudhë trevjeçare qeverisjeje të qendrës së djathtë ku partia jonë ka qenë luajale, gjithëpërfshirëse dhe është përkushtuar me të gjitha forcat e saj për të realizuar programin e përbashkët me të cilin dolëm para elektoratit më 2005-ën, që na solli edhe në pushtet. Por me ne reformatorët ka qene luajale edhe Partia Demokratike.

DW: Zoti Shehu, ju nuk përmendët diçka tjetër, që mendoj është e rëndësishme, dhënien e postit të zv. kryeministrit kryetarit të partisë tuaj, Genc Pollos. Nuk duket se sinjalin e parë të afrimit dhe të asaj që mund të ndodhë më pas, shkrirjes, e dha i pari kreu i partisë mëmë, vetë klryeministri Berisha, që për hir të së vërtetës u ka bërë gjthmonë thirrjë "djemve plangprishës" të kthehen.

Tritan Shehu: Po, keni të drejtë. Emërimi i Genc Pollos në postin e zv. kryeministrit është pa dyshim një sinjal i qartë afrimi i ardhur nga PD-ja, një sinjal që krijon një premisë për të nesërmen. Ne e kuptuam këtë sinjal dhe po kërkojmë të gjejmë forma, mënyra për të forcuar bashkëpunimin dhe kohezionin me PD.

DW: Dhe në këto opsione apo mënyra për një bashkëpunim më të afërt, më i preferuari është ai i shkrirjes së partisë tuaj?

Tritan Shehu: Ka elemente për mundësi dhe opsione të tjera të ndërmjetme, le të them. Opsionet, shpresoj të diskutohen shumë shpejt mes dy forcave tona politike. Personalish nuk përjashtoj asnjë mundësi, qoftë edhe bashkimin e plotë apo shkrirjen siç e quani ju. Shikoni, po jetojme në një kohë emancipimi të politikës, kur bashkimet dhe jo copëtimet duhet të mbizotërojnë, në nje kohe kur nga ky bashkim efikasiteti i së djathtës rritet dhe po kështu edhe shanset për të fituar zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm , 2009.

DW: Çfarë fitoni Zoti Shehu, nëse në fushatën, që po afron për këto zgjedhje ju nuk dilni si parti më vete dhe njëherazi pjesë e koalicionit qeverisës por nën flamurin e PD? Shpresoni për një përfaqësim më të madh në Parlamentin e ardhshëm? Në fakt tani për tani ju keni vetëm dy deputetë: ju dhe zoti Pollo.

Tritan Shehu: Me Partinë Demokratikle kemi një objektiv të përbashkët, fitoren e zgjedhjeve. Që të dyja i përkasim qendrës së djathtë, jemi që të dyja forca politike anëtare të Partive Popllore Evropiane. Ka pasur një afrim gjithmonë e më të madh mes dy forcave tona politike duke bërë që kjo afërsi të arrijë të preket, të ndihet edhe nga elektorati. Pra të kërkojme forma të reja organizative që nuk do të na shërbejnë vetëm ne si reformatorë apo demokratëve, por gjithë koalicionit të qendrës së djathtë, aq më shumë tani që jemi përpara zgjedhjeve të 2009-ës.

DW: A nuk quhet pragmatizëm politik kjo kthesë, më shumë për ju që i bashkoheni partisë më të madhe, që ka më shumë elektorat dhe më pak për PD?

Tritan Shehu : Jo, ky është një këndvështrim mjaft si thjeshtëzuar, Nuk janë interesat pragmatike, pragmatizmi politik, por interesat e gjithë të djathtës, fillimi i një faze të re bashkimesh në politikë. Shiko çfarë ndodhi në Itali! Bota ecën drejt bipolarizimit politik. Pastaj këto tri vite bashkëqeverisjeje janë një argument i fortë

DW: Argument. që ju jep garanci se dukuritë për të cilat dhjetë vjet më parë kur dolët më vete - si ju ashtu edhe zoti Pollo keni qenë eksponentë në partinë e Berishës - pra ato dukuri nuk do të shfaqen sërish!!

Tritan Shehu: Po ne nuk mund të mbetemi peng i skemave dhe ngjarjeve të së shkuarës. Mos harroni, fituam bashkë një fushatë elektorale, atë të verës 2005, ishim bashkë të suksesshëm në qeverisje duke rivendosur besimin e humbur reciprok, apo që ishim në gjendje të vendosim objektiva të përbashkëta afatgjata, më i afërti- fitorja e zgjedhjeve të 2009-ës- edhe afrimi i kryetarit tonë Pollo pranë Berishës është faktor i rëndësishëm, pra kanë hapur të tjera premisa, kërkojnë të tjera zgjidhje afatgjata, për të rritur efikasitetin e kapaciteteve tona të përbashkëta. Jetojmë në situata të reja politike krejt të ndryshme nga ato të dhjetë viteve më parë.