1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthesa vendimtare - rrëzimi i diktaturës në Shqipëri dy dekada më parë

19 Shkurt 2011

20 shkurti i vitit 1991 ishte si një prej momenteve deçisive të kthesës së madhe për Shqipërinë, deri atëhere të izoluar nga bota. Ish-dëshmitarë të asaj ngjarje bëjnë një bilanc të ndryshimeve dhe pritjeve.

https://p.dw.com/p/10KTY
Rrëzimi i momumentit të diktatorit në 1991.Fotografi: Armando Babani

Shkrimtari Bedri Myftari në kohën e regjimit komunist ka qënë i burgosur dhe i përndjekur politik. Ai e kujton deri në detaje 20 shkurtin e vitit 1991. Grumbullin e madh të njerëzve që erdhi nga qyteti “Studenti”, ku zhvillohej greva e urisë e studentëve dhe pedagogëve të Universitetit, që në atë kohë kishte emrin e diktatorit Enver Hoxha.

Albanien Bedri Myftari
Shkrimtari Bedri Myftari, në kohën e regjimit komunist ka qënë i burgosur dhe i përndjekur politik.Fotografi: DW

"Nuk kam parë ndonjëherë njerëz aq të vendosur, që kishin bindje se monumenti i atij që kishte nëpërkëmbur dhe kishte shtypur me dorë të hekurt për dekada popullin s'mund të vijonte të qëndronte në qendër të kryeqytetit. U bë një zhurmë e madhe kur monumenti po lëkundej. U gëzova jashtëzakonisht ishte një gjë e paimagjinueshme. Kur u rrëzua busti i Enver Hoxhës në mes të Tiranës, atëhere thamë që vdiq komunizmi në Shqipëri. Ishte një gëzim i jashtëzakonshëm", kujton Bedri Myftari.

Ndryshime rrënjësore në dy dekada

Në këto dy dekada qysh pas asaj dite, për shkrimtarin Bedri Myftari janë shënuar ndryshime rrënjësore për Shqipërinë. Nga një vend tërësisht i izoluar dhe ku përfundoje në dënimin më të rreptë, nëse flisje kundër rregjimit, vendi është tashmë anëtar i NATO-s dhe aspiron që të jetë anëtar në BE. Pavarësisht transformimeve pozitive të pamohueshme, ka dhe mjaft çështje të cilat duhet të merrnin zgjidhje me kohë, ose mjaft të tjera, që lëvizin mjaft ngadalë, shprehet Myftari. Sipas tij këto janë dhe shkaqet, që kanë zgjatur periudhën e tranzicionit në Shqipëri.

“Për shembull administrata është e mbushur prapë me ‘ish-ët'. Të përndjekurit politikë nuk i kanë marrë të gjitha ato që kanë ëndërruar, dëmshpërblimin financiar dhe moral, çështja e pronave ka mbetur në vend, nuk është bërë dënimi i krimeve të komunizmit. Është folur shumë po kjo nuk është bërë. Edhe çështja çame nuk është zënë atëherë me gojë dhe tani nga qeveria me frikë e zë me gojë”.

Myftari shtron problematikën e njohur të prezencës së korrupsionit në çdo nivel, të mosndarjes së pushteteve, të besimit të ulët tek sistemi i drejtësisë etj., për të cilat flitet në çdo raport të faktorit ndërkombëtar mbi zhvillimet në Shqipëri.

Drejtori i javores “Free Press”, që del në Tiranë, Arban Hasani, në ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha ka qënë nxënës në Liceun Artistik, mes pjesëmarrësve aktivë në mbështetje të grevës së urisë së studentëve dhe zhvillimeve të vrullshme që ndodhnin në Shqipëri. Ai e përkufizon rënien e bustit të diktatorit si “një fitore të madhe ndaj frikës, që kishte mbjellë për rreth gjysëm shekulli regjimi komunist”. E sheh edhe si momentin e një kthese pa zbrapsje drejt proceseve dhe reformave demokratike. Por koha e realizmit të tyre ka marrë dhe po merr shumë kohë, thotë Arban Hasani.

Arban Hasani, drejtori i javores “Free Press”, në bisedë me Deutsche Welle-n.
Arban Hasani, drejtori i javores “Free Press”, në bisedë me Deutsche Welle-n.Fotografi: DW

Realizimi i reformave demokratike po merr shumë kohë

“Ky tranzicioni kaq i gjatë nuk ishte i parashikuar 20 vite më parë. Qytetarët shqiptarë, studentët, intelektualët dhe klasa politike mendonin në atë kohë, se kjo fazë e tranzicionit do të ishte shumë më e shkurtër, duke patur parasysh faktin se vendi ynë ishte ndër vendet e para që në fillim të viteve '90 aplikoi për integrim në institucionet euroatlantike”.

Për Arban Hasanin ajo që ndodh aktualisht në skenën politike shqiptare, është një sinjal i qartë se procesi integrues do të marrë sërish kohë.

“Vendi ndodhet nën protesta të opozitës. Sërish ka ngjarje të rënda mes mazhorancës dhe opozitës. Sërish kemi të bëjmë me mungesën e dialogut politik, gjë e cila po frenon këto hapa integrues të Shqipërisë”, thotë drejtori i javores “Free Press”, Arban Hasani.

Autor: Arben Muka / Tiranë

Redaktoi: Eliana Xhani