Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë Topalli i jep vetes edhe kompetencat e organit të akuzës
30 Maj 2008Çështja e provave dhe e dokumentave që Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar Parlamentit për të argumentuar kërkesën e saj për heqjen e imunitetit të ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka acaruar raportet mes Kryetares se Parlamentit Jozefina Topalli dhe Prokurores së Republikës Ina Rama.
Në mbledhjen e Këshillit të imuniteteve, zonja Topalli e akuzoi organin qëndror të akuzës se ka fshehur provat lidhur me përgjegjësinë e Mediut në shpërthimin e municioneve në Gërdec të Vorës.
"Dosjet voluminoze kanë dokumenta që nuk janë siguruar nga Prokuroria, por përmes kanalesh të tjera" tha të premten kryetarja e Parlamentit Topalli.
Vetë ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i thirrur në mbledhjen e Këshillit të Imuniteve për të thënë versionin e tij të së vërtetës tha, se akuza e Prokurores së Republikës ndaj tij ishte tendencioze dhe e paargumentuar. Mediu tha se ishte gati të linte imunitetin e deputetit republikan për arësye te integritetit moral, por jo se mbante përgjegjësi ligjore.
Deklarata e Kryetares Topalli se Prokuroria kishte fshehur fakte solli edhe kërkesën e deputetëve, anëtarë të Këshillit të Imuniteteve që organi i akuzes t'ia sguronte Parlamentit ato. Çështja e imunitetit të ish-Ministrit të Mbrojtjes mbetet ende pezull, dy muaj e gjysmë pas shpërthimit të municioneve stoqe sovjetiko-kineze në Gërdec të Vorës, më 15 Mars 2008.