1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryetari i Syrizas Cipras: "Ne jemi konsensusi"

23 Maj 2012

Dy mesazhe solli në Paris dhe Berlin kryetari i partisë së majtë greke Syriza: "Ne duam ta mbajmë euron, dhe programi i kursimeve e bën Greqinë një fuçi pa fund."

https://p.dw.com/p/150R9
Aleksis Cipras për vizitë në Berlin
Aleksis Cipras për vizitë në BerlinFotografi: dapd

Aleksis Cipras ka efektin e një magneti. Si të hënën në Paris ashtu edhe të martën në Berlin (22.05.2012) e njëjta pamje: sallat në të cilat kishte ftuar në konferencë për shtyp kryetari i aleancës së majtë Syriza në Greqi, ishin mbushur plot. Në sallën e konferencave për shtyp në Berlin këtë mund ta përjetosh një ose dy herë në vit, pikërisht atëherë kur kancelarja u përgjigjet personalisht pyetjeve të gazetarëve. Greku Cipras është ylli i ri në politikën e Evropës dhe tërheq në radhë të parë me kundërshtitë e tij: ai është një radikal i majtë, që si kryeministër synon të rinegociojë kushtet e kredive për vendin e tij por që dëshiron edhe të mbajë euron.

Tur evropian me synime të qarta

Udhëtimet në Paris dhe Berlin Aleksis Cipras i kishte planifikuar me kujdes. Në kryeqytetin gjerman ai u takua me krerët e partisë Socialdemokrate (SPD) dhe partisë E Majta. Në zgjedhjet parlamentare në Greqi në 17 qershor ka shumë gjasa që aleanca e majtë Syriza të rezultojë forca kryesore politike dhe pas kësaj do duhet të krijojë qeverinë. Tri javë e gjysmë para këtyre zgjedhjeve kryetari i Syrizës do të shfrytëzojë mediet në Gjermani dhe Francë për të shpjeguar pozicionin e tij dhe për të korrigjuar sa mundet imazhin e krijuar për të. Dhe më tej: në dy vendet më të rëndësishme të BE-së Cipras synon të përballet me frikërat e politikanëve dhe qytetarëve se një qeveri e Syrizës me politikën e saj do të vinte në pikëpyetje stabilitetin e Eurozonës: "Ne nuk jemi një forcë politike, që kërkon të çojë Evropën drejt një katastrofe, edhe pse kjo është ajo që paraqesin mediet në Greqi dhe disa në Evropë. Përkundrazi ne jemi një forcë thellësisht proevropiane."

Objektivi më i rëndësishëm i vizitave të tij në Francë dhe Gjermani është rinegociimi i marrëveshjeve të kredisë, që Greqia ka lidhur me BE dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Masat e urdhëruara të kursimeve sipas Cipras kanë bërë që Produkti i Brendshëm Bruto i Greqisë të bierë me 20 për qind, ndërkohë që papunësia është rritur në 25 për qind dhe një pjesë e madhe e popullsisë greke është varfëruar. Nëse kreditorët edhe më tej do të ngulin këmbë në reduktimin e pensioneve, rritjen e taksave dhe vendosjen kontributeve të tjera, atëherë vendi nuk ka asnjë shans për rritje.

"Gabime absurde"

Cipras të habit me një apel: "Ne u drejtohemi qytetarëve gjermanë, taksapaguesve gjermanë dhe i pyesim: edhe për sa kohë do t'i hidhni paratë tuaja në një fuçi pa fund? Ju nuk mund të investoni vazhdimisht në një program joefektiv." Nëse kjo do të vazhdojë atëherë Greqia brenda pak muajsh do të ketë nevojë për një paketë të tretë kredish dhe një reduktim të dytë borxhesh. "Ne nuk pretendojmë asgjë absurde, absurde është kur qeveritë evropiane ngulin këmbë në një gabim. Ai duhet të korrigjohet." Por "si" Aleksis Cipras nuk e thotë. Ai nuk paraqet një program konkret. Ndoshta nuk dëshiron të japë premtime para zgjedhësve grekë.

Këta zgjedhës, thotë kryetari i partisë së majtë, me votën e tyre i kundërshtuan qartë kushtet e kredive. Ata i ndëshkuan dy partitë që mbështesin masat e kursimeve: konservatorët e Nea Dimokratia dhe para së gjithash sociademokratët e PASOK-ut. Vullneti i zgjedhësve ishte i qartë, thotë Cipras dhe pranon të marrë përgjegjësitë që i jep kjo votë.

"Evropa nuk përbëhet nga qeradhënës dhe qeramarrës"

Por nëse Greqia nuk i përmbush kushtet, kreditë do të ndalen dhe vendi duhet të dalë nga Eurozona, i thuhet Cipras. Ai reagon me një kritikë të qartë ndaj kancelares gjermane Angela Merkel: "Evropa nuk përbëhet nga qeradhënës dhe qeramarrës. Ne grekët nuk ndihemi si qeramarrës, por si anëtarë të mirëfilltë të Eurozonës. Askush nuk ka të drejtë të ndihet pronar. Ne të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë tona." Por a është ai vetë i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë ndaj Evropës? Po, thekson Aleksis Cipras. Ata të cilët nuk e pranojnë kërkesën e tij për rinegociim të kredive duhet të kenë të qartë opinionin e popullsisë greke dhe partive greke: "Syriza është konsensus."

Autor: Panagiotis Kouparanis/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi