270311 Libyen Vormarsch
28 Mars 2011Në Brega, qytetin tjetër të madh në jug të Axhabijas, njësitë e pushtetmbajtësit Gadafi me sa duket nuk bëjnë më rezistencë. Kryengritësit e opozitës libiane raportuan që të dielën në mëngjes se e morën portin ushtarak të qytetit. Tani milicët me sa duket ndodhen përpara qytetit tjetër të madh me rëndësi ushtarake në drejtim të perëndimit: Ras Lanuf. Përparimi i shpejtë i kryengritësve vjen papritur. Për një javë luftuan ata me trupat qeveritare për të kontrolluar qytetin me rëndësi strategjike Axhabija. Me sa duket ata kanë pasur edhe humbje të mëdha, siç tha një zëdhënës i kryengritësve, ish-oficeri libian i flotës ajrore, Ahmed Omar Bani:
"Siç thashë, për lirinë duhet paguar një çmim. Dhe ne jemi të gatshëm ta paguajmë këtë çmim. Dhe tani ne përgatitemi që të çlirojmë edhe pjesën që mbetet të vendit të shtypur."
Kthesa në Axhabija erdhi natën duke gdhirë e shtuna. Avionë të koalicionit britanik-amerikan-francez hodhën me dyzina raketa në drejtim të tankeve dhe topave të Gadafit. Ushtarët e diktatorit nuk i rezistuan dot këtij zjarri.
Opozita - e dobët ushtarakisht pa mbështetje ndërkombëtare
Pa mbështetjen e koalicionit ndërkombëtar, opozita është më e dobët ushtarakisht se trupat libiane dhe mercenarët. Këtë e tregon edhe një shembull nga Perëndimi i vendit. Në qytetin Misrata, të cilin vazhdojnë ta mbajnë opozitarët, gjendja e banorëve vazhdon të jetë serioze. Vërtet që trupat besnike ndaj Gadafit e përfunduan hë për hë natën goditjen e qytetit, kur mbi qytet u vunë re avionë të aleatëve perëndimorë. Por pas kësaj, ushtria libiane i vazhdoi sulmet. Dëshmitarë thonë se ushtarë dhe mercenarë udhëtojnë me automjete civile dhe pozicionojnë tanke në afërsi të shtëpive të banimit. Sipas të dhënave të mjekëve, numri i viktimave të vrara shtohet çdo ditë.
Opozita në Libi ndodhet jo vetëm përballë problemeve ushtarake. Në rajonet, ku ajo ka rifituar kontrollin, ajo e sheh veten përpara shpresave të mëdha të njerëzve. Lindja qe lënë prej kohësh pas dore nga Gadafi, thonë libianët në mërgim. Kështu, në qytetin e Bengasit ka 35 vjet që vazhdon ndërtimi i një spitali, por ai ende nuk ka mbaruar.
Banorë, të cilët nuk kanë gjetur punë te firma të huaja, ankohen për varfëri të madhe, thotë Zeidan Zelawi: "Unë kam fëmijë, ata duan të ndjekin maturën. Unë nuk ua paguaj dot. Më duhet të lyp, e di ç'do me thënë kjo? Të lyp me një tabelë, që më duhen para për fëmijët."
Këshilli Tranzitor i opozitës pati deklaruar se do t'i respektojë marrëveshjet e përfunduara me botën e jashtme, edhe për të mbrojtur investimet dhe vendet e punës. Megjithatë, në televizor u treguan pamje me mbështetës të opozitës, që thërrisnin "e gjithë nafta shkon te Sarkozia, për Gjermaninë asnjë pikë më."
Autor: Torsten Teichmann/ Auron Dodi
Redaktoi: Aida Cama