1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Letta fiton votëbesimin e deputetëve italianë

Mimoza Cika-Kelmendi12 Dhjetor 2013

Qeveria e re italiane votohet lehtësisht edhe pa Berluskonin dhe përkrahësit e tij të Forza Italia-s. Kryeministri Letta premton ulje të papunësisë.

https://p.dw.com/p/1AXlp
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kryeministri italian, Enrico Letta, ka fituar dy votëbesime në Parlament dhe Senat. Letta donte me këtë të demonstronte unitetin e koalicionit të tij qeverisës me mbështetjen e partisë së re të qendrës së djathtë, të ndarë më herët nga ish-lideri Silvio Berlusconi dhe të përfaqësuesve të partisë Forza Italia. Pas Parlamentit, gjatë natës edhe Senati e konfirmoi kryeministrin socialdemokrat në këtë post. Letta premtoi ndër të tjera në kuadër të reformave drastike që kërkon Europa, reduktimin e burokracive dhe më pak vende në Parlament, një dhënie fund të financimit të partive nga shteti, një iniciativë të re për rritjen e ekonomisë së vendit si dhe ulje drastike të papunësisë.

Duke bërë thirrje për një “fillim të ri”, Letta tha: “Do të bëj gjithçka mundem. Nuk do të dorëzohem përpara atyre, që thonë se kaosi është shumë i madh dhe nuk mund të bëjmë asgjë”. Letta tha në Parlament se Italia u ishte shmangur reformave për 20 vjet dhe nuk mund ta përballojë më një gjë të tillë. Ai u zotua se do të luftojë fuqishëm për të përballuar problemet emergjente të vendit si papunësia e të rinjve, që ka shkuar tashmë në më shumë se 40%.

Ndërkohë protestat në vend kanë vazhduar gjatë gjithë kësaj jave.