1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kroacia para ndryshimeve

Rezultatet e zgjedhjeve në Kroaci tregojnë se zgjedhësit megjithatë duan ndryshime. Ndonëse në shikim të parë duket se rezultatet janë të ngjashme me zgjedhjet e kaluara, në Kroaci nuk do të jetë si më parë.

Së pari një lajm i mirë: përkundër përshtypjes së ringjalljes së fuqishme të lëvizjes ustashe në Kroaci në muajin e fundit, partitë ekstreme të djathta kanë fituar shumë pak vota. Kjo falë edhe venimit të HDZ-së, nën drejtimin e Andreja Plenkoviqit, për dalje në zgjedhje pa partitë djathtiste.

Në shikim të parë rezultatet duken të ngjashme si në zgjedhjet e vjeshtës së kaluar, por zgjedhësit megjithatë duan ndryshime. Të ngopur me politikën e nxitjeve dhe kthimit në të kaluarën, ata i kanë dhënë përparësi toneve më të qeta të Plenkoviqit. Ndërsa pakënaqësitë e tyre i kanë shprehur me mbështetjen e fuqishme të "Živi Zidit" (Muri i Gjallë), të cilën e shohin si alternativën e vetme ndaj partive të deritanishme.

Velrësimet e gabuara të Millanoviqit

Fushata elektorale ishte e bazuar kryesisht tek dy politikanë. Përderisa Plenkoviqi u lirua nga e djathta ekstreme, udhëheqësi i koalicionit popullor Zoran Millanoviq mendonte se zgjedhjet do të vendosen në krahun e djathë politik. Por vlerësimi i tij ishte e gabuar. Përcaktimi i tij për një retorikë të fuqishme nacionaliste duket se ka trembur edhe zgjedhësit e partisë së tij socialdemokrate SDP.

Millanoviqit e humbui shumë lehtë përparësinë e madhe ndaj partisë HDZ, të udhëhequr më parë nga Karamarko dhe ekipi i tij. Ai tani e ka kuptuar se ku ka gabuar, por tepër vonë. Në dallim prej tij, Plenkoviqi u përcaktua për një retorikë të matur dhe për reforma, e jo luftëra ideologjike. Paraqitjet e tij janë kritikuar si monotone, por duket se zgjedhësit duan të kenë më shumë qetësi dhe janë lodhur nga zhurmaxhinjtë, që përdorin fjalë të mëdha.

DW 60 Jahre Mitarbeiter Statements Andrea Jung-Grimm

Andrea Jung-Grimm

Pak për ndryshimet

Për fat të keq, në këtë fushatë shumë pak është folur për ndryshimet sociale dhe ekonomike, por edhe për raprotet ekonomike me vendet fqinje, të cilat janë tepër të rëndësishme përkundër faktit që Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian. Pavarësisht këtij statusi, Kroacia është e lidhur me vendet fqinje dhe me rajonin.

Për këto raporte është folur vetëm pas bërjes publike të disa deklaratave të Millanoviqit nga një banket jozyrtar, ku ai flet me fjalë të rënda për Serbinë dhe serbët, të cilët i quan "një grusht njerëzish të mjerë". Ndërsa për Bosnje-Hercegovinën thotë se është një shtet, citoj: „big shit“.

Ndryshe për raportet mes këtyre vendeve është folur shumë pak. Në veçanti për problemet e grumbulluara në raportet Kroaci-Serbi, të cilat janë tensionuar së fundi edhe më shumë.

Plenkoviqi pohon se është i gatshëm për komunikim njerëzor dhe të civilizuar me të gjithë. Por ai angazhohet me vendosmëri për zgjidhjen përfundimtare të problemeve në raportet mes Kroacisë dhe Serbisë, siç është çështja e të zhdukurve, dëmshpërblimet e luftës dhe pakica kroate në Serbi. Si një prej problemeve më të mëdha ai sheh nxjerrjen para drejtësisë të kriminelëve të luftës dhe mangësinë e shoqërisë serbe që të përballet me të kaluarën. Nëse Plenkoviq do t'ia dalë të përballet me këto probleme, mbetet të shihet. Sepse për këtë i duhet mbështetja edhe e partnerëve në koalicion.

Negociata të reja apo - zgjedhje të reja

Tani pas numërimit të votave vjen koha e negociatave për koalicionin qeverisës. HDZ ka fituar më së shumti vota, por për krijimin e qeverisë i duhen partnerë në koalicion. Partia Most ka paraqitur kushte, nga të cilat nuk do të heqë dorë shpejt, sepse do të humbiste besimin e zgjedhësve. Teorikisht edhe SPD mund të fillojë negociatat për krijimin e shumicës për qeverisje, por kjo është pak e besueshme. Në fund, si zgjidhje e detyrueshme mund të jetë krijimi i koalicionit të madh, të cilin nuk e do asnjë prej partnerëve. Para nesh kemi pra negociata të vështira, po zgjedhje të reja.