1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

290409 USA Finanzkrise Arbeitsmarkt

30 Prill 2009

Numri i të papunëve në SHBA vazhdon të rritet. Që prej fillimit të recesionit më shumë se pesë milionë amerikanë kanë humbur vendet e punës. Vetëm gjatë muajit mars, 663.000 qytetarë në SHBA u regjistruan të papunë.

https://p.dw.com/p/Hh3v
Përpjekjet e presidentit Obama për frenimin e recesionit duhet të vërtetohen nga realiteti
Përpjekjet e presidentit Obama për frenimin e recesionit duhet të vërtetohen nga realitetiFotografi: AP

Çdo ditë mediet amerikane japin mesazhe të kobshme. Recesioni në ekonominë më të fuqishme të botës ka pasoja të forta negative: në mars norma e papunësisë në SHBA arriti nivelin 8,5 për qind. Ky është niveli më i lartë që prej 25 vjetësh. Askush nuk përjashton më që kjo shifër së shpejti të bëhet dyshifrore. Që prej Luftës së Dytë Botërore nuk ka patur kurrë kaq shumë të papunë në SHBA. Ekonomia është zhytur në krizën më të thellë dhe këtë amerikanët e ndiejnë çdo ditë. Një prej tyre është edhe kjo nënë nga Los Angeles. Normalisht, thotë ajo, nuk ka patur kurrë probleme të gjejë një punë:

"Unë gjithmonë gjeja diçka në marketingun me telefon, por tani as këto punë nuk ekzistojnë më."

Vendet me paga të mira, punët e vogla, ato me kohë të pjesshme, të gjitha duket se janë zhdukur. Këtë e vërtetojnë radhët e gjata çdo ditë përpara qëndrave të punësimit. Çdo muaj atyre u shtohen qindra mijëra vetë. Në të gjithë sektorët e mëdhenj, nga Boeing deri tek Caterpillar, bëhen shkurtime. Në radhë të parë janë punëtorët e fabrikave ata, që vuajnë nga rënia ekonomike, shpjegon ekspertja për çështje të ekonomisë në kanalin publik radiofonik NPR, Marilyn Geewax. Gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar Amerika ka humbur gati pesë milionë vende pune në fabrika, vetëm gjatë muajit të kaluar janë shkurtuar 161.000:

"E frikshme është që ne dimë se edhe të tjerë punëtorë fabrikash do të humbasin vendet e tyre të punës, pasi qeveria Obama planifikon shkurtime në programet e armëve. Kjo nënkupton shkurtime në sektorin e armatimit, veçanërisht në Anglinë e Re."

Të hënën (27.4.) prodhuesi i automjeteve General Motors njoftoi se deri vitin e ardhshëm do të shkurtojë 21.000 vende pune. Dhe në Ohajo, një prej shteteve të goditura më rëndë nga recesioni, vjeshtën e kaluar mbeti papunë një lokalitet i tërë: ofruesi gjerman i shërbimeve DHL mbylli qendrën e tij të shpërndarjes në lokalitetin Wilmington, ku fitonin të ardhurat e tyre një e treta e banorëve.

Presidenti Obama bëri përgjegjës spekulimet financiare për katastrofën. Për sa kohë bankat janë në situatë të vështirë, ato nuk do të japin kredi për firmat dhe konsumatorët. Por ata janë faktorë kyç për rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane. Bankat vuajnë nga pesha e kredive të këqija dhe instrumentave financiarë, që u ka humbur vlera. Ministri i financave Timothy Geithner sheh dy alternativa:

"E para është t'i lemë gjërat siç janë dhe të shpesojmë që sistemi financiar të rimëkëmbet me forcat e veta. Por kjo do ta ashpërsojë recesionin dhe do të vonojë rimëkëmbjen e ekonomisë sonë. Mundësia e dytë është që qeveria të ndërhyjë dhe t'u blejë bankave titujt financiarë me vlerë të humbur."

Me planin e tyre për shpëtimin e bankave Geithner dhe Obama synojnë t'i japin fund të tatëpjetës në ekonominë e SHBA-së dhe të shkurtojnë kështu edhe radhët e gjata pëpara zyrave të punës. Qeveria e tij investon 800 miliardë dollarë në një program emergjence për ekonominë: me masa të shumta në ndërtim e para së gjithash ristrukturimin e sektorit energjetik, ai u premton amerikanëve rritje ekonomike dhe qindra mijëra vende të reja pune.

Autor: Antje Passenheim/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi