1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Kriza e Turqisë dobëson NATO-n në rajon"

Zhvillimet në Turqi mund ta trondisin krahun jugor të NATO-s, paralajmëron eksperti i sigurisë Gerd Portugall. Edhe arrestimi i shumë gjeneralëve dhe ushtarëve mund të ketë pasoja ndaj aleancës.

DW: Pas puçit të dështuar presidenti turk Erdogan ka shpallur për tre muaj gjendje të jashtëzakonshme. A mundet t'i ndryshojnë këto zhvillime marrëdhëniet mes Turqisë dhe NATO-s?

Gerd Portugall: Mendoj se afagjatë nuk do të tronditen në themelet e tyre raportet e NATO-s me Turqinë. Ne kemi pasur një rast të krahasueshëm në Francë. Atje pati një sulm terrorist, si rrjedhojë u shpall gjendje e jashtëzakonshme e më pas autoritetet shtetërore kanë vepruar konform kësaj. Këtu rasti është krejt ndryshe: në Turqi fillimisht u veprua, ndërhyrja shtetërore u legalizua më pas.

A mund ta influencojnë zhvillimet në Turqi forcën strategjike të NATO-s dhe krahun jugor të saj?

Mungesa e stabilitetit në Turqi do të thotë dobësim i spirancës së deritanishme të NATO-s për stabilitetin në rajon. Kësisoj automatikisht kjo do të thotë edhe një dobësim i aleancës në këtë rajon. Por unë nuk mendoj, se krahu jugor i NATO-s tani do të shpërbëhet terësisht, vetëm se kjo është një tronditje e rëndë, që në afat të mesëm sërish do të rigjenerohet dhe stabilizohet.

Türkei Erdogan Unterstützer in Istanbul

Përkrahës të Erdoganit

A mundet ta ndryshojë kjo politikën e jashtme dhe të sigurisë të Turqisë?

Pikërisht në sektorin e politikës së jashtme dhe të sigurisë priten më pak ndryshime se sa në rastin që vendi do të drejtohej prej ushtrisë. Amerikanët e kanë thënë qartë: me një diktaturë ushtarake ne nuk mund të bashkëpunojmë, në një rast të tillë do të na duhet të heqim dorë prej përdorimit të bazës sonë mbrojtëse të aviacionit në Inçirlik. Inçirlik është i rëndësishëm në luftën kundër "Shtetit Islamik" (IS). Ndryshimet më të mëdha priten në vet sistemin politik të Turqisë.

Dhjetra mijëra nëpunës shtetërorë janë suspenduar, mijëra janë arrestuar. Ku mund të çojë kjo krizë shtetërore?

Masat nga presidenti Erdogan synojnë të stabilizojnë qeverinë e tij, të forcojnë sundimin e tij, por kjo e gjitha është për vet aparatin shtetëror një dobësim. Vërtetë, është një situatë krizë. Për fat të mirë ajo nuk po shkon në drejtim të një "failing states". Eshtë interesante, që për herë të parë pas tentativës për puç, aviacioni ushtarak turk sërish ka sulmuar objektiva kurde. Kjo tregon se ushtria shfaqet edhe si instrument i qeverisë civile e me këtë nënvizon, që ende vazhdon të jetë e nevojshme. Problemi më i madh në fqinjësinë e Turqisë, që është i vetmi vend krahas Jordanisë me një kufi të përbashkët me Irakun dhe Sirinë, është një e ashtuquajtur shtetësi në shpërbërje - ndërkohë që vet Turqia është shumë larg prej kësaj. Mendoj, se tronditja pas një puçi të suksesshëm do të kishte qenë më e madhe, se sa në kushtet aktuale.

Gati 8.000 ushtarë janë arrestuar - dhe më shumë se 100 gjeneralë e admiralë. Si do të influencojë kjo ndaj bashkëpunimit të Turqisë me NATO-n?

Aleanca është e orientuar nga bashkëpunimi multinacional. Një e treta e gjeneralëve dhe admiralëve tani do të shfuqizohen nga posti. Duhet të kemi parasysh, që keta zotërinj përgjatë viteve kanë vendosur kontakte të ngushta personale me kolegët e tyre në ushtritë aleate - dhe nëse tani këta do të zëvendësohen, atëherë me kalimin e kohës kontaktet duhet të vendosen nga e para. Nga ana tjetër: Turqia ka ushtrinë e dytë për nga madhësia brenda NATO-s dhe për çdo gjeneral, që shkarkohet tani, është një tjetër gjeneral i gatshëm të marrë përsipër postin. Natyrisht tani unë nuk shoh rrezikun, që do të ketë ndonjë luftë të madhe, që e pret Turqinë. Por nëse bllokoni ekipin drejtues të forcave të armatosura, një sërë punonjësish të drejtësisë, akademikë e mësues, nuk është i mundur zëvendësimi i menjëhershëm i këtij personeli. Kjo do të thotë, funksionimi i sektorëve të caktuar duhet të vuajë prej këtyre masave.

Politologu Dr. Gerd Portugall është ekspert për politikën e sigurisë dhe ndër të tjera ka qenë i ngarkuar për pedagogjinë në Universitetin e Potsdamit për "Military Studies". Qe nga viti 2013 ai është redaktor për politikën e sigurisë, të mbrojtjes dhe teknikës së mbrojtjes në "Behörden Spiegel" në Bon.