1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza e Krimesë pa rrugëdalje

Bettina Marx13 Mars 2014

Kancelarja Merkel e ka paralajmëruar Rusinë për krizën e Krimesë me izolim ndërkombëtar dhe sanksione të mëtejshme. Por jo vetëm Moska është fajtore për konfliktin, mendon Bettina Marx

https://p.dw.com/p/1BPHt

Rrallëherë një deklaratë qeveritare është pritur me kaq shqetësim të thellë sa fjalimi i kancelares Angela Merkel lidhur mbi gjendjen në Ukrainë. Prej javësh e muajsh para portave të BE-së po zhvillohet një dramë, që po e trondit kontinetin. Në të bëhet fjalë për demokraci e vetëvendosje si dhe për pushtet dhe interesa gjeopolitike. Me referendumin në fundjavë në Krime kriza po arrin një tjetër pikë kulmore. E megjithatë politika perëndimore nuk është në gjendje që ta parandalojë shkëputjen e gadishullit nga Ukraina dhe ankesimin e tij prej Moskës.

Me mjete diplomatike synohet të zbutet konflikti, theksoi Merkel në fjalimin e saj duke shtuar: një ndërhyrje ushtarake nuk është opcion. Në vend të kësaj po bëhen përpjekje për bisedime në tri linja politiko-ekonomike, ndihma financiare për Ukrainën dhe sanksione kundër Rusisë. Në rast se Moska megjithatë i përmbahet kursit të saj konfrontues, atëherë do të ashpërsohen sanksionet e vendosura deri tani. Ora s'mund të kthehet pas, tha Merkel. Konflikti i interesave në Europë nuk mund të zgjidhet duke iu kthyer metodave të shekullit të 20-të.

Gabimi i Perëndimit

Por pikërisht këtë kanë bërë Perëndimi, SHBA-ja dhe BE-ja. Ato janë sjellë pas rënies së Perdes së Hekurt dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik si fitimtarë duke e shtrirë sferën e tyre të influencës deri në kufijtë e Rusisë. Ato e kanë shkelur premtimin e tyre, se NATO nuk do të zgjerohet drejt Europës Lindore dhe nuk do të vazhdojë ta kufizojë sferën e influencës së Moskës. Me zgjerimin e NATO-s dhe të BE-së ato nuk kanë marrë parasysh sensibilitetin rus. Kundër vullnetit të shpallur të Moskës ato ndërhynë në Jugosllavi dhe pranuan shkëputjen e Kosovës. SHBA-ja me ndihmën e aleatëve perëndimorë zhvilloi një luftë jo konform së drejtës ndërkombëtare në Irak dhe ndërhyri në Libi. E së fundi Perëndimi e ka përqendruar vëmendjen tërësisht tek Afrika, ose thënë më mirë, tek pasuritë nëntokësore të kontinetit afrikan.

Bettina Marx
Bettina MarxFotografi: DW

E pra s'ka përse të habitemi, që Rusia e ndjen veten të zënë ngushtë dhe se po përfitohet në kurriz të saj. Putini, i cili rënien e Bashkimit Sovjetik e konsideron si fatkeqësinë më të madhe, nuk do ta pranojë më avancimin e kufizimeve të influencës së vet. As një lëvizje revolucionare për demokraci në prag të portës së vet nuk i shkon përshtat njeriut të dhunshëm të pushtetit, i cili i shtyp në mënyrë rigoroze demokracinë dhe lirinë e mendimit në vendin e tij. Për këtë arsye ai nuk do të stepet as prej kërcënimeve nga Perëndimi, për t'ia shkëputur Krimenë Ukrainës dhe për t'ia aneksuar Rusisë. Kjo, që të mos keqkuptohemi, është një shkelje e qartë dhe e papranueshme e së drejtës ndërkombëtare.

Përshkallëzim i parashikueshëm

Por Perëndimi nuk ka asgjë efektive për t'u kundërvënë. Sepse situata e mbetur në vendnumëro në Ukrainë është edhe rezultat i politikës së papërmbajtur ekspansioniste të tij. Në këtë kuptim duhet pranuar kritika me fjalë të ashpra që shprehu ndaj kësaj politike kryetari i partisë "E Majta" Gregor Gysi në Bundestag.

Ndoshta një deklaratë qeveritare para parlamentit nuk është as vendi dhe as koha e duhur për të rahur gjoksin dhe për t'i pranuar gabimet. Por pa një evidentim të kthjellët të arsyeve nuk mund të gjendet rrugëdalja nga kriza. Kësisoj për fat të keq nuk sjell asgjë, kur Merkel i përmbahet diplomacisë dhe çtensionimit. Gjithçka po shkon drejt ashpërsimit të konfliktit.