1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Radha e Italisë në krizën e euros

Dirk Kaufmann / Elert Ajazaj13 Qershor 2012

Pas Spanjës gjendet nën trysni gjithnjë e më shumë edhe Italia. Ministrja austriake e Financave beson se edhe numri tre i eurozonës do të detyrohet t'i kërkojë ndihmë BE-së.

https://p.dw.com/p/15Cqo
Fotografi: picture-alliance/dpa

Italisë i duhet të paguajë norma interesi më të larta për kredi të reja. Të martën (12.06.2112) qeverisë në Romë iu desh të garantonte për obligacione shtetërore deri 6,6 për qind. Investuesit po përpiqen t'i shesin letrat italiane me vlerë, tregtia me sigurimet e dështimit të shlyerjes së huave po lulëzon. Qeveria Monti vihet në një pozitë sa vjen e më të vështirë.

Qeverisë Rajoy në Madrid sapo iu desh të pranonte se nuk i shpëton më dot bankat e vendit, të cilat gjenden në një rrugë pa krye pa marrë ndihmën e Brukselit. Tani ministrja austriake e Financave Maria Fekter, nuk e përjashton këtë mundësi as për qeverinë në Romë. Ajo tha në televizionin austriak se njëherë Italia duhet të provojë gjithçka që të dalë nga kurthi i huave pa ndihmë të huaj.

Tjetër dimension

Spanja është ekonomia e katërt më e madhe në eurozonë, së cilës i duhet të pranojë që nuk është në gjendje t'i zgjidhë problemet e veta pa ndihmën e Brukselit. Në rast se Italisë (ekonomisë së tretë më të madhe) i duhet gjithashtu të ndjekë këtë rrugë, atëherë kjo gjë do ta ngrinte krizën evropiane të huave në një nivel të ri.

Maria Fekter nuk beson te Italia
Maria Fekter nuk beson te ItaliaFotografi: Reuters

Mirëpo një krahasim midis problemeve italiane me ato spanjolle zbulon dallime vendimtare. Në bisedë me Deutsche Welle-n, Jürgen Pfister, krye-makroekonomist i bankës Bayern LB, përmend dallimin më të dukshëm: "Italia nuk ka problem me bankat, sepse nuk ka as plasje të boom-it me pasuritë e patundshme si Spanja." Vështirësitë aktuale të Romës janë për shembull në rënien e kapacitetit ekonomik. Dhe kjo, thotë Pfister, është rezultat i masave të kursimit të qeverisë Monti. Gjithashtu duhet pritur që ato të lënë "edhe vitin tjetër gjurmë të qarta frenash në ekonomi".

Megjithatë, në krahasim me Spanjën Roma ka bërë mjaft përpara në përpjekjet e saj për uljen e borxhit të ri, thotë Pfister. Ndërkohë që Italia mund të synojë një shkallë deficiti prej dy për qind, "Spanja po patëm fat do t'i afrohet nivelit 6,5 për qind". Veç kësaj ka edhe arsye të tjera që flasin për atë që Roma është më shumë sesa Madridi në gjendje t'i vërë vetë në kontroll problemet e saj, vijon Pfister. Ai përmend këtu aftësinë e ekonomisë italiane për të konkurruar dhe strukturën industriale të këtij vendi të zhvilluar më tej.

Hija e zgjedhjeve

"Qeveria e teknokratëve" që qeveris aktualisht Italinë, e drejtuar nga eksperti financiar Mario Monti, pati ardhur në detyrë me lëvdime në avancë. Mirëpo, për mendimin e Jürgen Pfister-it ajo nuk ka arritur t'i plotësojë pritjet ndaj saj. Në fund të fundit edhe një qeveri teknokratësh duhet të shqetësohet për rizgjedhjen e vet nëse kërkon ta kryejë punën për një kohë të gjatë, shton ai. Prandaj (thotë Pfister) zgjedhjet e vitit të ardhshëm kanë pasoja që tani dhe e bëjnë kabinetin Monti "një qeveri në gati për shkarkim".

Mario Monti ka edhe shumë punë për të bërë
Mario Monti ka edhe shumë punë për të bërëFotografi: Reuters

Por ndryshe nga Maria Fekter-i (ministrja e Financave e një vendi të eurozonës) Jürgen Pfister nuk është i mendimit se Roma ka për të kërkuar ndihmë evropiane. Ai është i bindur se italianët mund t'i vënë vetë në kontroll problemet e tyre. Po në qoftë se jo? Atëherë, thotë Pfister, eurozona ka një problem tjetër: "Ombrellat e shpëtimit, edhe në formën e zgjeruar, nuk mjaftojnë për Italinë."