1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza e borxheve në Evropë evidenton dallime qëndrimesh në qeverinë gjermane

2 Tetor 2011

Aleatët e kancelares Merkel nuk bien dot dakord për nevojën e një integrimi më të madh evropian, përballë krizës së borxheve në BE. Disa dëshirojnë një rol më të gjerë për BE-në, ndërsa të tjerë kundërshtojnë.

https://p.dw.com/p/12kbq
Ministri Federal i Financave, Wolfgang Schäuble - mbrojtës i euros
Ministri Federal i Financave, Wolfgang Schäuble - mbrojtës i eurosFotografi: dapd

 Aleatët e kancelares Merkel nuk bien dot dakord për nevojën e një integrimi më të madh evropian, përballë vazhdimit të krizës së borxheve në BE. Disa dëshirojnë një rol më të gjerë për BE-në, ndërsa të tjerë argumentojnë se nuk ka kohë më të tmerrshme se sa kjo që po kalojmë, për t'i dhënë më shumë fuqi Brukselit.       

Kriza e borxheve të BE shtron për diskutim faktin se sa rigoroze janë rregullat për borxhet e BE-së dhe kërcënon unitetin e bllokut prej 27 anëtarësh. Ndaj aleatët konservatorët të Evropës po vrasin mendjen nëse zgjidhja e problemit është në më shumë apo në më pak integrim të BE-së.

Ministri Federal i Financave të Gjermanisë, Wolfgang Schäuble (CDU) nuk lë dyshime për qëndrimin e tij.

Përgjigjia për krizën mund të jetë vetëm më shumë Evropë, shkruan Schäuble në një letër të publikuar në të përditshmen gjermane Welt am Sonntag. "Po të mos kishim qenë pjesë e Bashkimit Evropian, ribashkimi paqësor i Gjermanisë do të kishte qenë shumë më i vështirë, nëse jo i pamundur," shkruan ministri gjerman i Financave një ditë para përvjetorit të ribashkimit të Gjermanisë së Lindjes me atë të Perëndimit.

Komentet e Schäuble-s u bëjnë jehonë si pozicionit të Merkelit, ashtu edhe atij të presidentit francez Nikolas Sarkozy dhe të Presidentit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso. Barroso ka thënë se ai sheh nevojën për institucione më të forta të BE-së mbi nivelin e kombeve të veçanta.

Skepticizëm në Evropë

Por kjo ide gjen më pak mbështetje tek disa anëtarë të Bashkimit Kristiansocial (CSU), partisë motër të CDU-së.

"Të gjithë ata që duke u nisur nga kriza aktuale e borxheve konkludojnë se ka nevojë të forcohet Evropa e centralizuar ecin në drejtim të gabuar", i tha ministri Federal i Punëve të Brendshëme, Hans Peter Friedrich i CSU-së revistës "Der Spiegel".

Hans Peter Friedrich-u u shpreh më tej se skepticizmi në rritje ndaj BE-së në Evropë nuk mund "të përballohet me një dobësim të mëtejshëm të parlamenteve nacionale dhe të qeverive të zgjedhura nga qytetarët."

Ministri Federal i Brendshëm Hans-Peter Friedrich
Ministri Federal i Brendshëm Hans-Peter FriedrichFotografi: dapd

Georg Nüsslein, zëdhënës i grupit parlamentar të CSU-së është edhe më i qartë.

"Unë nuk arrij të dalloj më punën që i takon të bëjë ministri i Financave", citohet Nüsslein nga revista 'Der Spiegel'. Nëse Schäuble po përpiqet të realizojë ëndrrat e tij evropiane në mes të krizës, atëherë ai nuk po e bën si duhet punën e tij."

Një bashkim politik

Por Schäuble megjithatë i përmbahet fort ëndrrës evropiane. Ai shkruan se "pa hapa të kufizuar, por me synim të qartë drejt një thellimi të BE-së ne do të humbasim aftësinë për të vepruar si Evropë me kalimin e kohës".

Schäuble kërkon më tej që politika aktuale e përbashkët financiare e eurozonës të zgjerohet në një drejtim politik, duke i bërë ndryshimet me kujdes. "Në fund të këtij procesi ndodhet bashkimi politik i Evropës", shkruan Ministri Federal i Financave, Wolfgang Schäuble.

 Autor: Holly Fox/ Auron Dodi (afp, dpa)

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora