Kritika ndaj propozimit për kontrolle të diferencuara të udhëtarëve në aeroporte
29 Dhjetor 2010Aeroportet në Gjermani propozojnë ndarjen e pasagjerëve në grupe rreziku sipas moshës, gjinisë dhe prejardhjes, me qëllim, që të diferencojnë intensitetin e kontrolleve. Kjo mund të shkurtonte kohën e tejzgjatur të kontrolleve antiterror, u shpreh presidenti i caktuar i Shoqatës së Aeroporteve (ADV) Christoph Blume.
Kontrollet e diferencuara mbartin rrezikun e diskriminimit
Të martën (28.12.) propozimi i tij u kritikua ashpër nga politikanë për çështje të sigurisë, mbrojtjës të të dhënave personale dhe specialistë të policisë. Ministrja gjermane e Drejtësisë, Sabine Leutheusser-Schnarrenberger (FDP), paralajmëroi ndaj stigmatizimit të pasagjerëve, nëse do të ndaheshin në mënyrë të parapërgatitur sipas kritereve të caktuara. Në bisedë me gazetën "Frankfurter Rundschau", ministrja tha se kjo është një shkelje e së drejtës gjermane dhe evropiane të trajtimit të barabartë.
Leutheusser-Schnarrenberger paralajmëroi edhe ndaj rrezikut të mbledhjes së një sasie tepër të madhe të dhënash, nëse në të ardhmen "udhëtarët do të ndahen në të rrezikshëm dhe të parrezikshëm dhe do të pyeten për itineraret, numrin e fluturimeve dhe sjelljen paguese." "Unë jam në përgjithësi për më pak të dhëna në Gjermani. Ky është mjeti më i mirë kundër shpërdorimit të të dhënave personale", tha politikania liberale.
Sindikata e policisë: kontrollet e diferencuara mund të jenë gabim i rrezikshëm
Kundër këtij propozimi është shprehur edhe i ngarkuari i qeverisë federale për ruajtjen e të dhënave, Peter Schaar. Sindikata e policisë deklaroi, se një seleksionim i kontrolleve mund të rezultojë një gabim i rrezikshëm.
Propozimi i presidentit të caktuar të Shoqatës së Aeroporteve Blume mbështetet në modelin izraelit. Në Izrael gjatë kontrolleve të sigurisë udhëtarët për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme dhe që fluturojnë rregullisht itinerare të ngjashme, konsiderohen si "të sigurtë" dhe nuk kontrollohen në mënyrë aq intensive sa pasagjerë të tjerë, për të cilat ka pak ose aspak të dhëna. Izraelitët i mbështesin kontrollet kryesisht në marrjen në pyetje të pasagjerëve, dhe një nga kriteret kryesore është origjina e tyre.
Autor: dpa/afp/la
Redaktoi: Eliana Xhani