1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritika në Gjermani ndaj deklaratave të Erdoganit

1 Mars 2011

Deklaratat e kryeministrit turk Recep Tayyip Erdogan në lidhje me integrimin e turqve, që jetojnë në Gjermani, kanë shkaktuar reagime të shumta në radhët e politikanëve gjermanë.

https://p.dw.com/p/10REW
Pllakatë për vizitën e kryeminsitrit turk në GjermaniFotografi: picture-alliance/dpa

Deklaratat e kryeministrit turk Recep Tayyip Erdogan në lidhje me integrimin e turqve, që jetojnë në Gjermani, kanë shkaktuar reagime të shumta në radhët e politikanëve gjermanë. E ngarkuara e qeverisë federale për Integrimin Maria Bëhmer (CDU) dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Liberale Christian Lindner (FDP) kritikuan kërkesën e Erdoganit që fëmijët me origjinë turke, që lindin dhe rriten në Gjermani, duhet të mësojnë fillimisht turqishten dhe pastaj gjermanishten. Kurse kryetari i Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, Ruprecht Polenz (CDU), e mori në mbrojtje kryeministrin turk.

Kush jeton në Gjermani, duhet ta zotërojë mirë gjermanishten

Integration der islamischen Welt
Kurse gjuhe për gratë turkeFotografi: dpa

"Gjuha e vendit, ku vendosesh, duhet të jetë prioritare", tha e ngarkuara e qeverisë federale për Integrimin, Maria Bëhmer, për gazetën «Passauer Neue Presse». Sipas saj "në familjet, ku flitet pak gjermanisht, fëmijët janë në zhvillimin e tyre rreth dy vjet pas", theksoi Bëhmer.

Bëhmer kritikoi gjithashtu edhe faktin që kryeministri turk i paralajmëroi sërish turqit, që jetojnë në Gjermani, prej rrezikut të asimilimit. "Politika gjermane nuk ka kërkuar kurrë asimilimin", tha e ngarkuara e qeverisë federale për Integrimin, "Askush nuk do t'u heqë turqve rrënjët e tyre kulturore. Të gjithëve, që i thonë po vendit tonë, ne u ofrojmë të marrin pjesë në mënyrë të barabartë."

Lindner: Qëndrimi i Erdoganit i papranueshëm

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Liberale Christian Lindner e quajti qëndrimin e Erdoganit të papranueshëm. Ai tha për gazetën «Bild-Zeitung»: "Gjermanishtja është baza për të bashkëjetesën në Gjermani."

Polenz: Fillimisht zotërimi i gjuhës amtare

Türkische und deutsche Frauen, Islam, Deutschland
Fotografi: picture-alliance/dpa

Politikani konservator, Ruprecht Polenz, që është edhe kryetari i Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, i mbrojti thëniet e Erdoganit në lidhje me mësimin e gjuhës amtare dhe asaj gjermane. «Shumë gjuhëtarë theksojnë se fillimisht duhet të zotërosh gjuhën tënde amtare, përpara se të mësosh gjuhën e vendit, ku jeton», tha ai për gazetën «Frankfurter Rundschau».

Bashkësia turke distancohet nga deklaratat e kryeministrit

Kryetari i saj, Kenan Kolat, tha se "ai nuk e sheh me vend, që Erdogani zhvillon në këtë mënyrë fushatë elektorale". Ai tha për gazetën «Bild-Zeitung»: "Çështjet e integrimit vendosen në Gjermani me turqit, që jetojnë këtu dhe jo në Turqi."

Autor: Pandeli Pani (dpa)

Redaktoi: Angjelina Verbica