1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kritika hipokrite ndaj ministres von der Leyen

Ursula von der Leyen ka një problem. Ajo kritikohet për inskenime mediatike për qëllime karriere. Por debati pjesërisht është hipokrizi, mendon Christian F. Trippe.

Ajo e ka bërë përsëri. Ministrja e Mbrojtjes von der Leyen ka lënë që ta fotografojnë dhe filmojnë gjatë vizitës së trupave në Hammelburg, ku luftëtarë kurdë Peshmerga stërviten nga Bundesveri. Ajo buzëqesh për kamerat, u jep dorën të pranishmëve dhe jep deklaratat e përgatitura. Çfarë të bënte tjetër?

Kudo ku paraqiten politikanë të lartë ka inskenim. Zëdhënës dhe këshilltarë kujdesen që fotot të jenë të duhurat dhe toni i zërit të jetë i pastër në mënyrë që mesazhet politike të jenë sa më të thjeshta. Politikanët vetë kthehen në mesazh. Demokracia e medive është gjithnjë edhe demokraci eventesh. Deri këtu nuk ka asgjë të kontestuar.

Por në rastin e Ursula von der Leyen tek shumë vetë, jo vetëm në radhët e kundërshtarëve politikë por gjithnjë e më shumë edhe në radhët e veta, është përhapur përshtypja se e tepron me vetë-inskenimin. Zv/kryetari i SPD-së Thorsten Schäfer-Gümbel i rekomandoi tani „më pak sesione fotografish“ dhe të kujdesej më shumë për ushtrinë.

Nuk duhet harruar që Bundesveri aktualisht po trondidet nga një numër skandalesh për gjendjen e armatimeve. Forcat e armatosura gjermane janë vetëm me kusht të gatshme për misione. Kjo situatë e trishtuar është në kontrast të çuditshem me pamjet e përsosura, nganjëherë mbresëlënëse që rezultojnë nga daljet në publik të Ursula von der Leyen; me fjalë të guximshme ajo formulon detyrën e saj politike: Gjermania duhet të marrë më shumë përgjegjësi në botë dhe për këtë duhet të përdorë „të gjithë instrumentet“. Me livrimet e armëve kurdëve, u shpreh ajo me entuziasëm, është thyer një „tabu“ e politikës gjermane të pasluftës. Disa kritikë veçanërisht nervozë nuhatën atje një „militarizim të politikës së jashtme“.

Natyra më të regjura dallojnë atje fillimisht një fushatë mediatike të një gruaja për të cilët flitet se ka ambicie për zyrën e kancelares. Paralelet me një nga paraardhësit në post të von der Leyen janë thuajse të pashmangshme: edhe Karl-Theodor zu Guttenberg ishte shumë ambicioz, edhe ai e njihte pushtetin e imazheve dhe vlerësonte paraqitjet publike me efekt të fortë.

Christian F. Trippe

Christian F. Trippe

Ajo që kanë në mendje politikanët dhe ajo që kërkojnë gazetarët, para së gjithat njerëzit e kameras dhe fotografët, bashkohet në takimin politik. Kur përfytyrimet dhe pritjet nuk përputhen me njëra-tjetrën, atëherë bëhen edhe përpunime. Karl-Theodor zu Guttenberg në Times Square në Nju Jork me pozën e Fred Astaire? Fotografët e shtypit i kishin kërkuar më parë që të merrte pikërisht atë pozë.

Ministrja von der Leyen vetëm në pistë në një natë të ndriçuar, vështrimin drejt horizontit si një komandante në fushën e betejës? Pikërisht kjo foto merret si shembull nga kritikët e saj. Por ajo në të vërtetë është vetëm një pjesë e skenës, në të nuk shihet se kë ka përballë; dhe veç kësaj ajo është realizuar me një efekt dramatik blici.

Gazetarët duhet të shohin prapra fasadës së vetëinskenimit politik dhe jo të bashkëpunojnë për inskenimin. Ndryshe analizat kritike shumë shpejt humbasin jo pak besueshmëri.